Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Të rinjtë, trajnim për biznesin social

$
0
0

foto faqe 18Tri studentet e UET-it përfaqësojnë në Gjeorgji kapitalizmin me “fytyrë njerëzore”

Tbilisi mirëpriti trajnimin njëjavor për Sipërmarrësit e Rinj Socialë, prej datës 5 – 12 nëntor, organizuar nga “Youth for Social Changes” në Gjeorgji, pjesë e rrjetit të Erasmus+, në kuadër të projektit të ndërmarrë nga National Agency në Gjermani. 

“Në Gjeorgji i bëmë të gjithë të flisnin shqip!”- ishte momenti i parë i bisedës ekzaltuese me Marinela Seitajn, njërën nga tri UET-istet, pjesëmarrëse në trajnimin në Gjeorgji.

Për Amantia Bilbilin, Xheni Kondurin dhe Marinela Seitajn, tri pjesëmarrëset shqiptare të Kursit të Trajnimit për Sipërmarrësit e Rinj Socialë, do të mbetet një përvojë e jashtëzakonshme sinergjia e krijuar nga të rinjtë e kulturave të ndryshme, përmes  bashkëpunimit të fortë mbi të njëjtin qëllim dhe dëshirës për të vazhduar  me përkushtim në të ardhmen punën për zhvillimin dhe implementimin e projekteve të nisura. “Në fund, të tria bashkë ne dolëm në përfundimin se në Shqipëri mund të krijojmë dy biznese sociale, duke prekur dhe u ardhur në ndihmë dy plagëve shoqërore, siç janë gjakmarrja dhe njerëzit me aftësi të kufizuara. Me hapjen e një biznesi të tillë, do krijohet pak nga pak qarkullimi i mjaftueshëm i parasë, në mënyrë që të gjithë individët e përfshirë në kategorinë e mësipërme të punësohen dhe të marrin në dorë jetën e tyre”, – thotë Amantia.

Sipërmarrja sociale është të krijosh një biznes mbi shkaqe sociale. Muhamed Junus ka qenë ideatori i kësaj. Kjo është një nga temat më të përfolura, sidomos në Gjeorgji, ku ka disa biznese sociale të iniciuara nga organizata gjermane.

Dukuria e gjakmarrjes u diskutua gjerësish gjatë seancave të trajnimit në Tbilis. Pjesëmarrësit arritën të krijonin hap pas hapi një plan me disa pika për zgjidhjen e këtij ngërçi njerëzor. U arrit të sintetizohej një ide bazë mbi atë se për çfarë kanë nevojë disa zona të veriut të Shqipërisë, në mënyrë që të shkëputen nga ky rreth i përgjakshëm vicioz. Biznesi social i ideuar për t’i dhënë zgjidhje gjakmarrjes përfshinte juristë, psikologë e sociologë, si dhe specialistë burimesh njerëzore për të integruar vetë personat e prekur në këtë biznes. “Një tjetër biznes social ishte edhe në Afganistan, me emrin ‘Skiistan’, në të cilin fëmijët shkonin dhe trajnoheshin për ski dhe fitimet pastaj u shkonin pjesërisht njerëzve në nevojë ose shoqërisë në atë vend dhe pjesa tjetër shërbente për zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit”, – shton Amantia.

Projekti i ndërmarrë nga “National Agency” në Gjermani do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë ishte trajnimi. Faza e dytë do të zhvillohet në dhjetor dhe është shkëmbimi kulturor i të rinjve. Xheni Konduri do të marrë pjesë sërish në dhjetor, tashmë si lidere e grupit të të rinjve shqiptarë dhe trajnuese mbi idenë e biznesit social. Sa i përket projektit mbi idenë e biznesit social kundër gjakmarrjes, Xheni shprehet se ky projekt do të strukturohet më tej në vazhdim dhe do t’u paraqitet për financim organeve të “National Agency” nëpërmjet Erasmus+.

Për Marinelën, bashkëjetesa 7-ditore me të rinj nga Sllovakia, Bosnje-Hercegovina, Palestina, Gjeorgjia, Spanja, Gjermania, dhe Italia, ishte një eksperiencë e papërsëritshme. Ajo thotë se momenti, të cilin nuk mund ta harrojë asnjëherë, ishte mbrëmja kulturore, ku tri vajzat prezantuan Shqipërinë me gjithçka tërheqëse që do t’i bënte të tjerët ta vlerësonin e madje sipas Marinelës, të admironin vendin tonë.

Shoqata “Youth for Social Changes” i përzgjodhi tri pjesëmarrëset shqiptare në trajnim jo vetëm mbi meritën e të qenit ekselente në UET, por edhe mbi aktivizimin e tyre me projektet e ndryshme të saj. Zyra e Karrierës dhe Kujdesit ndaj studentit në UET është gjithnjë vigjilente ndaj mundësive më të mira të trajnimeve, internshipeve dhe punës për studentët e universitetit.

Amantia, studente e shkëlqyer në degën financë-bankë, Xheni, gjithashtu ekselente në Drejtësi dhe Marinela, ish-studente ekselente në Financë-bankë (pjesë e UET Alumni) dhe tashmë koordinatore e gjuhës angleze në Qendrën e Gjuhëve të huaja UET, ishin njëkohësisht përfaqësueset e Shqipërisë dhe Universitetit Europian të Tiranës në Gjeorgji.  “Gjatë trajnimit, – thonë Amantia dhe Marinela, – njohuritë tona në fushën e financës dhe administrimit i kemi vënë në funksion të krijimit të një plani konkret biznesi”.

Të tria vajzat shqiptare të UET-it, në përfundim shprehen se gjithnjë e më e përbotshme po bëhet thënia e njohur e ekonomistit dhe nobelistit bengalez, Muhamed Junus, krijuesit të biznesit social: “Atje ku unë evidentoj një plagë sociale me shkak varfërinë apo pamundësitë e ndryshme, ngre një biznes që ta shëroj atë”.

Egon Loli 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180