Disa këshilla dhe strategji të testuara për ta pasur CV-në në avantazhin tuaj gjatë prezantimit me punëmarrësit
Në momentin që jeni përpara intervistuesve, fokusojeni prezantimin tuaj në gjërat që keni të përbashkëta, me qëllim që biseda të marrë një trajtë miqësore. Duhet të jeni në gjendje të drejtoni rrjedhën e intervistës sipas dëshirës suaj. Kur i përgjigjeni pyetjeve, përdorni shembuj duke u bazuar në CV.
Një CV e ndërtuar mirë është pasaporta që ju lejon zhvillimin e intervistës së punës, por nëse keni impresionuar në letër, është koha që këtë gjë ta bëni edhe gjatë intervistës përballë punëdhënësve. Kjo është periudha ku shumë kompani ristrukturojnë stafet e tyre dhe kërkojnë CV-të për të bërë intervista pune. Më poshtë janë disa këshilla dhe strategji të testuara për ta pasur CV-në në avantazhin tuaj gjatë prezantimit me punëmarrësit.
Ndërto një marrëdhënie
Qëllimi kryesor është që biseda me intervistuesin të mos jetë e ngurtë dhe e sikletshme. Të ndërtoni një raport me të është një mundësi për të thyer barrierat. Mënyra më e mirë është që të mësoni emrat e personave që po ju intervistojnë dhe shkëmbeni informacione jo vetëm për fushën profesionale, por edhe për pasionet apo interesat në fusha të ndryshme. Përdorini informacionet e marra për t’u ndjerë i relaksuar dhe për të ndërtuar një raport miqësor.
Për shembull, nëse vendlindja juaj është e njëjtë me qytetin ku intervistuesi ka kryer studimet apo ka jetuar, vëreni në dukje këtë fakt. Në një intervistë për një vend pune me profil financiar, nëse intervistuesi ju kërkon të përshkruani një sektor të zhvillimit financiar, zgjidhni të flisni për qendrën tregtare që ndodhet në qytetin e tij. Referojuni vendeve ose kompanive për të cilat keni njohuri të përbashkëta.
Lea Carese, studente në vitin e katërt në Universitetin e Kembrixh për gjuhën ruse dhe atë gjermane, është asistente ligjore pranë Shearman&Sterling. Ajo synon një karrierë ndërkombëtare dhe përdor gjithë njohuritë e saj mbi intervistuesit për të ndërtuar një marrëdhënie miqësore me ta. Carese thotë: “U informova se intervistuesja ime ishte një avokate ruse, ndaj gjatë intervistës fola vetëm rusisht dhe në CV-në time e theksova që kisha studiuar gjuhën ruse në Rusi. Kjo gjë pati një impakt shumë pozitiv dhe intervista shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Bëni lidhjen me eksperienca të tjera
Nëse sapo keni dhënë përgjigjen për një pyetje, mos bini në qetësi. Lidheni atë përgjigje me pjesë të tjera të CV-së. Duhet të jeni në gjendje të drejtoni rrjedhën e intervistës sipas dëshirës suaj. Kur i përgjigjeni pyetjeve, përdorni shembujt nga CV-ja juaj, sepse fundja për këtë punë po zhvillohet intervista. Për shembull, nëse personi që keni përballë ju pyet për aftësitë tuaja në lidhje me punën në grup, përgjigja juaj mund të fillojë duke thënë: “Ashtu si mund ta shihni edhe në CV-në time, unë kam qenë pjesë e ekipit të futbollit në universitet…”.
Në rast se ju kërkohet të përmendni pikat tuaja më të forta, përpara se ta drejtoni intervistuesin drejt seksionit ekstrakurrikular në CV-në tuaj, mos harroni të përmendni punët e mëparshme. James Mitchell, student në Universitetin Juridik, tregon se gjatë intervistës së tij e drejtoi bisedën në punët e tij part-time, përpara se të tregonte aktivitetet e tjera që kishte zhvilluar në universitet.
Mitchell shprehet se “unë isha i aftë të ilustroja përgjigjet e mia në lidhje me aftësitë që një jurist duhet të ketë. Tregova potencialin tim duke përmendur punën time si kamerier gjatë verës dhe garat sportive në të cilat kam marrë pjesë. Të dyja pozicionet ilustruan aftësitë e mia komunikuese dhe të punës në grup”.
Pranoni dobësitë tuaja
Sigurohuni që të jeni ju vetë dhe jo intervistuesi që vë në dukje ndonjë pjesë të dobët në CV-në tuaj. Nëse i paraprini punës dhe tregoni vetë pikat e dobëta, do ta orientoni bisedën drejt një sensi pozitiv. Gjithashtu, duke treguar anët negative në fillim dhe më pas ato pozitive, do të mundësoni që më shumë pyetje të bëhen në lidhje me pjesën e dytë sesa me të parën.
Kat Gibson, bashkëpunëtor në DLA Piper, këshillon që duhet vlerësuar me seriozitet mënyra se si do të paraqiten pikat e dobëta. Por ju nuk duhet t’i përmendi ato pa treguar edhe mënyrën se si jeni përpjekur që t’i mposhtni vështirësitë. “Për shembull, nëse jeni një person që e keni zakon të punoni në grup dhe nuk e bëni dot punën vetëm, mund të diskutoni mbi ndonjë rast kur ju është dashur të çoni punën përpara i vetëm dhe se si ia keni dalë të mposhtni ndjesinë e punës së izoluar”, – shprehet Gibson. Nuk ka kuptim që të përpiqeni të fshihni anët tuaja të dobëta. Duke i përfshirë ato në CV në mënyrë konstruktive, i paraprini punës dhe shmangni çdo mundësi për t’u kapur në befasi.
Kështu që, nëse jeni duke u përgatitur për të bërë një intervistë pune, mos harroni të përdorni këto teknika të testuara për të qenë i suksesshëm.
Përktheu: Erjon Uka