Bursa studimi për 100 nga 1000 më të mirët e Maturës Shtetërore. Njihuni me studentët me mesatare mbi 10; pse zgjodhën UET-in
Andorela, Pamela, Eda, Andoreli, Arbiola, Geraldina janë të rinj 18-vjeçarë. Ata janë në një moment deciziv të jetës së tyre; duhet të vendosin për të ardhmen, për profesionin që do të zgjedhin dhe universitetin ku do të mbështeten për ngritjen e karrierës akademike. Ata e kanë më të lehtë dhe më të vështirë këtë vendim, ndryshe nga miqtë e tyre; ata janë nxënës ekselentë, që do të thotë se kanë një mesatare mbi 10 sipas koeficientëve të Maturës Shtetërore, kësisoj është më e lehtë për të zgjedhur degën që duan dhe në cilin universitet e duan…po në një mori degësh dhe universitetesh zgjedhja duket se vështirësohet. Por vendimi i tyre ka qenë i projektuar që në muajt e verës, zgjedhja e tyre ishte Universiteti Europian i Tiranës, ku u mbështetën me bursa të plota studimi dhe ku gjejnë një rrjet të zgjedhur të ekselencës të ndërtuar ndër vite. Andorela, Pamela, Eda, Andoreli, Arbiola, Geraldina janë vetëm 6 prej 15 nxënësve të parë që kanë përfituar Bursën e Ekselencës nga UET, ndërkohë që projekti ambicioz i këtij universiteti kërkon ta zgjerojë me 100 studentë që vijnë nga lista e 1000 më të mirëve të Maturës Shtetërore. Projekti u lançua të enjten e javës së shkuar dhe sipas presidentit të UET, Prof. Dr. Adrian Civici, vetëm studentët ekselentë do të jenë shtysa dhe arsyeja që një universitet të bëhet më i miri, të bëhet ekselent. Ndërsa për administratorin dhe një prej themeluesve të UET, Henri Çili, ky është një projekt që shkon për shtat me politikat e këtij universiteti në kërkim të standardeve, në kërkim të më së mirës.
Politika e re e UET për bursat
Në vitin e 10 të tij, Universiteti Europian i Tiranës ka lançuar politikën e re për bursat duke u fokusuar tek ekselenca. Rreth 75 për qind e bursave që jep çdo vit UET do të jenë për studentët me mesatare mbi 10, ndërkohë që do të ruhet tradita për bursat e Lidershipit, Sociale dhe Talentit.
Në këtë kuadër, të enjten e kësaj jave universiteti lançoi projektin “100 nga 1000 më të mirët e Maturës Shtetërore” duke mbështetur me bursa të plota studimi nxënësit më të mirë të Maturës 2015. Në këtë aktivitet u prezantuan dhe 15 bursat e para, dhënë në kuadër të këtij projekti me studentë që ishin në top-listën e Maturës Shtetërore nga rrethe të ndryshme, si Fieri, Shkodra, Elbasani, Durrësi, Rrësheni, Tirana, Berati etj.
Në 10-vjetorin e tij, UET mund të krenohet me përqindjet e studentëve ekselentë ndër vite. Të dhënat e harkut kohor 2009-2014 tregojnë se 41 për qind e studentëve që kanë nisur studimet kanë qenë me mesatare mbi 8, pra nga 8-10 dhe kjo shifër rritet në përqindjen e diplomuarve me 48 për qind të studentëve që përfundojnë studimet me mesatare nga 8-10. Në këtë përqindje ata më të mirët, pra mesatare 10 dhe mbi 10 janë 18 për qind. Të dhënat e mësipërme i referohen ciklit Bachelor, ndërsa studimet Master sjellin një përqindje më të lartë të studentëve që diplomohen me mesatare të lartë, 52 për qind e tyre kanë mesatare mbi 8, ndërsa me 10 janë 21 për qind e totalit.
Në 10 vitet e funksionimit të tij, UET ka mbështetur me bursa studimi 4 kategori të ndryshme të shoqërisë, duke u dhënë mundësi më shumë studentëve që kanë prirje për lidership, talenteve, ekselencës dhe bursat për motive sociale. Duke mos hequr dorë nga kjo traditë, tashmë projekti i ri i UET do të synojë së shpejti dhe lançimin e një burse të re, që është për studentët e varfër, por ekselentë.
Flasin studentët që përfitojnë bursa studimi nga UET: Ç’do të thotë të jesh ‘ekselent’
Arbiola Karalli: Bursa, pjesë e synimit që të bëhem pedagoge në UET
Arbiola Karalli vjen nga gjimnazi “Asim Zeneli”, Gjirokastër. Ka përfituar bursë ekselence të plotë studimi në Universitetin Europian të Tiranës, në degën Informatikë Ekonomike.
Si u njohe me UET ?
“Ishte një vendim i çastit. Universiteti Europian i Tiranës ka qenë plotësisht zgjedhja ime dhe e pandikuar nga faktorë subjektivë të jashtëm. Sigurisht që ashtu si shumë maturantë të tjerë, jetoja me dilemën e zgjedhjes së shkollës, dhe alternativë e parë e menduar natyrshëm që vjen në kushtet e mungesës së informacionit është universiteti shtetëror. Unë nuk ngela me aq. Kërkova. Kërkova në google, kërkova në facebook. UET- i ka një website të kompletuar dhe të përditësuar, gjë që më lejoi të kuptoja se ky universitet do të ishte padyshim rruga dhe mjedisi im i ardhshëm akademik. Kjo është një punë paraprake që unë bëra, sepse në fakt, në gjimnaz, na erdhën disa përfaqësues të universitetit, të cilët na shpjeguan programet e studimit dhe mundësitë e ndryshme. Diçka që më pëlqeu gjatë prezantimit dhe shfletimit të revistës së UET-it ishte predispozita e madhe e këtij universiteti për t’i bërë studentët të ndihen pjesë e tij.
Pse zgjodhe UET për studimet e tua?
Me mesataren 10.18 dhe me rezultatet e shkëlqyera të provimeve të Maturës, unë e kisha të mundur të kapja çdo degë studimi të mundshme në universitetet shtetërore, por ka edhe një arsye tjetër më specifike pse zgjodha UET. Kam dëgjuar që këtu në UET, nëse një pedagog mungon pa arsye, bëhet nami (qesh). Gjë që në universitetin shtetëror ndodh shpesh, aq sa i kushtëzojnë studentët të vijnë si ajo shprehja popullore “vara-vingo” lart e poshtë, në kërkim të pedagogëve. Kjo dhe arsyet e mësipërme kanë ndikuar që Universiteti Europian i Tiranës të jetë zgjedhja ime tërësisht e objektive, e pa ndikuar nga shokë e miq që mund të studiojnë këtu dhe e pa ndikuar nga opinion i familjes.
Cilat janë synimet për karrierën e ardhshme?
Synimet e mia janë të vazhdoj të mbaj rezultatet e larta të studimeve duke mbajtur edhe bursën gjithashtu. Në vazhdim të ëndrrave të mia në raport me UET- in , dëshiroj që pse jo, në të ardhmen të jem pedagoge e këtij universiteti. E thënë më shkurt, kam një ëndërr që të realizoj të gjitha ëndrrat e mia në këtë universitet. Së fundmi, mezi pres që sfida të fillojë. Ah edhe diçka: lëndët e Matematikës dhe Informatikës i kam veçanërisht përzemër!
Pamela Kofsha: UET ishte zgjedhja ime e parë
Pamela Kofsha vjen nga gjimnazi “Nikola Koperniku“, Elbasan. Ka përfituar bursë ekselence të plotë studimi, në degën Psikologji në UET.
Si u njohe me UET ?
Që në hapat e parë të shkollimit tim jam brumosur me idenë që çelësi i suksesit është të përgatitesh me njerëz të suksesshëm. Askund tjetër nuk mund ta gjeja një staf kaq të përgatitur në mënyrë komplekse sa në UET.
Përfaqësuesit e universitetit erdhën te gjimnazi ynë. Atje u prezantova me degët e studimit, me pedagogët e ndryshëm që përbëjnë jetën akademike të universitetit dhe hapësirat e mëdha të zhvillimit personal shkencor që UET-i u ofron studentëve. Gjithashtu edhe media ka luajtur një rol pozitiv në njohjen time të vazhdueshme me alternativën UET si një e tillë cilësore. Pas një reflektimi të shkurtër me veten, erdha u interesova në mjediset e UET dhe e ndava mendjen. Pa pritur të dilnin rezultatet e Ministrisë së Arsimit për Maturën Shtetërore, u regjistrova në Universitetin Europian të Tiranës.
Pse zgjodhe UET për studimet e tua?
Duke qenë se më karakterizon një natyrë e qetë e bashkëpunuese me njerëzit, vendosa që ëndrrën time, psikologjinë, ta bëj realitet në UET. Nuk dëshiroj që thjesht të studioj psikologji, meqë këtu zgjodha e m’u dha mundësia. Jo. Dëshiroj të studioj psikologji sepse dua të jap kontributin tim si profesioniste e mirëfilltë në zhvillimin e shkencës së psikologjisë edhe duke qenë se kjo disiplinë nuk është shumë e vlerësuar në vendin tonë. Dëshiroj që nesër, veç të tjerash, të kem vullnetin e dëshirën që të përgatis me durim brezat e ardhshëm, ashtu si pedagogët e UET, do të më përgatisin sot mua. Leximi i librave është pasioni im, kështu që do shoqëroj universitetin në promovimin e çdo botimi studimesh, monografie apo libri artistik.
Cili është synimi për të ardhmen?
Premtimi që unë i bëj UET- it, e që në të njëjtën kohë ia bëj edhe vetes, është që ata pedagogë të cilët do më përgatisin mua për të ardhmen profesionale-akademike, do të ndihen krenarë!
Andorel Ndoj: Shkolla Verore, lidhja ime me UET-in
Maturant i shkëlqyer dhe aktiv i gjimnazit Rrëshen, Andorel Ndoj ka përfituar bursë të plotë ekselence nga Universiteti Europian i Tiranës në degën Informatikë Ekonomike.
Si u njohe me UET ?
Është tepër e vështirë për një përdorues të rrjeteve sociale që të mos bjerë në kontakt apo të mos mësojë diçka për Universitetin Europian të Tiranës. Gjendet kudo në internet, gjendet kudo në televizion. Ky ka qenë kontakti i parë sipërfaqësor. Të shumtë janë pastaj edhe miqtë e mi studentë të UET-it. Opinionet e tyre kanë qenë tepër të vlefshme për mua. Por gjithçka nisi me “Gjimnaz Tour-in” e famshëm.
Pse zgjodhe UET-in?
Prej tij, pata mundësinë e artë bëhesha pjesë e UET Summer School. Atje, vendosa që e ardhmja ime studentore i përkiste Universitetit Europian Të Tiranës. Këtë e vendosa si pasojë e kuptimit të dy arsyeve themelore: E para, përveç përgatitjes akademike, UET të jep mundësinë të pregatitesh në shumë fusha të tjera të jetës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për mua që kam 11 vite aktivist në bashkëpunime me organizata të ndryshme të shoqërisë civile, e që e kryeson Peace Corps. E dyta, të gjitha universitetet bëjnë publicitet, por ajo që UET-in e dallon, është se publiciteti i UET-it merr formën e veprave.
Synimi yt për të ardhmen?
Informatika është një nga dëshirat e mia qysh i vogël. Me mjetet e teknologjisë së informacionit jam marrë qysh i vogël dhe pavarësisht kushteve të shtëpisë, riparimi apo programimi janë ushqyer në vetvete një pasion të jashtëzakonshëm. Për sa i përket ekonomisë, e kam të trashëguar nga prindërit, pasi të dy ata janë me profesion ekonomistë.
Por e rëndësishme është të them që të gjitha këto ëndrra: aktivizmi, shoqëria civile, të folurit në publik (një tjetër pasion i imi që e zhvilloj në trajnime të ndryshme), informatika dhe ekonomia, e gjetën emëruesin e përbashkët: mjedisi i Universitetit Europian të Tiranës!Sepse UET e bën ekselencën me krahë!
Geraldina Fejzaj: Zgjodha alternativën më të mirë
Geraldina Fejzaj, maturante e gjimnazit “Flatrat e Dijes”, Fier. Fituese e bursës së plotë të ekselencës nga Universiteti Europian i Tiranës në degën Financë Bankë. Duhet ta theksojmë që Geraldina, është maturantja me mesataren më të lartë (10.26) që është regjistruar deri në këto momente në UET për vitin e ri akademik.
Si u njohe me UET?
Universiteti Europian i Tiranës di të krijojë profilin akademik dhe shoqëror të studentit në Shqipëri. Këtë e kam thënë sa e sa herë dhe vazhdoj ta them. Nga miqtë e të njohurit që kam te UET- i, por jo vetëm, arrij të kuptoj e të ndiej atmosferën e veçantë që ky universitet krijon tek ata që janë në të.
„Gjimnaz Tour“ ka qenë prezantimi i parë, le të themi zyrtar me UET- in. Ky kontakt më ka treguar edhe më, për mënyrën si Universiteti Europian të përgatit për tregun e punës. Aktivitetet, që nuk do ta ekzagjeroja fare po të thosha pa fund gjatë një viti, klubet studentore me një impakt të jashtëzakonshëm në jetën akademike, përkushtimi i pedagogëve në ecurinë e studentëve të kategorive të ndryshme cilësore, kushtet moderne të zhvillimit të mësimit dhe studimit, baza materiale e kompletuar për nivelin studentor, mundësitë e paepura që zyra e karrierës u jep studentëve të angazhohen në trajnime dhe internshipe, leksionet e hapura që zhvillohen shpesh me personalitete akademike dhe publike. Çfarë mund të kërkojë një student më tepër se kaq?
Pse zgjodhe UET-in?
Në Shqipëri ekziston ende mendësia e mbrapshtë e demonizimit të alternativës private, por UET nuk ka asnjë arsye pse të preket nga ky lloj pseudo-morali. UET e ka treguar me vepra se çfarë është i aftë të nxjerrë nga auditorët e veta.
Synimi për të ardhmen?
Matematika është lënda ime e preferuar- kam qenë pjesëmarrëse olimpiadash deri në nivele kombëtare. Duke qenë nxënëse shkëlqyer, përjetova presione shoqërore e familjare për të ndjekur studimet në mjekësi. Megjithatë, matematika dhe UET- i ma mbushën mendjen se Financa është profili i Geraldinës së ardhshme. Dëshiroj që rezultatin maksimal të studimeve ta mbaj në të gjitha vitet që do studio në UET. Kam një dëshirë të fshehtë që nesër të thonë për mua “Geraldina e UET-it”.
Dea Llagani: UET ka gjithçka kërkon një student
Dea Llagani vjen nga Gjimnazi “Faik Konica” në Tiranë. Ajo thotë se e ka njohur Universitetin Europian të Tiranës nga Shkolla Verore 2015 ku ajo ishte pjesë dhe vendimi ishte i paravendosur që në atë moment. Dea thotë se beson se UET ka gjithçka që dëshiron një student për studimet e tij; pedagogët më të mirë, jetën studentore më aktive se çdo universitet tjetër, lidhjen direkte me tregun e punës, si dhe konkurrencën e rrjetit të ekselencës që është krijuar tashmë me studentët më të mirë që vijnë në këtë universitet.
Intervistat u përgatitën nga Egon Loli