Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Erasmus+: 36 studentë të UET nisin rrugëtimin europian në 2018

$
0
0

Në UET sapo është mbyllur procesi i aplikimeve dhe intervistave për studentët që do të kryejnë shkëmbimin e tyre nisur nga Shkurti 2018. Numri i përfituesve të bursave Erasmus+ është në rritje dhe përfshin të gjitha fushat e studimit në Universitetin Europian të Tiranës. Viti 2017 shënoi dhe 30-vjetorin e skemës Erasmus, si një nga programet më të suksesshme të BE-së në fushën e edukimit dhe të rinjve. 

Erasmus+ është një nga programet më të njohura të shkëmbimit studentor, me një kontribut të madh në formimin dhe pasurimin e karakterit, si dhe në njohjen dhe përqafimin e kulturave të reja. Një program i cili të ofron mundësi të pafundme, me eksperienca të paharrueshme, me miq dhe kujtime që zgjasin një jetë.

Universiteti Europian i Tiranës është pjesë e këtij programi shkëmbimi prej disa vitesh tashmë, duke dërguar çdo vit studentë të tij, në universitetet më me zë të Europës dhe duke pritur njëkohësisht studentë europianë në auditorët e tij.
Në UET sapo është mbyllur procesi i aplikimeve dhe intervistave për studentët që do të kryejnë shkëmbimin e tyre nisur nga Shkurti 2018. Numri i përfituesve të bursave Erasmus+ është në rritje dhe përfshin të gjitha fushat e studimit në Universitetin Europian të Tiranës. Viti 2017 shënoi dhe 30-vjetorin e skemës Erasmus, si një nga programet më të suksesshme të BE-së në fushën e edukimit dhe të rinjve.

Për më tepër për funksionimin e programit të Erasmus+, në një intervistë për gazetën MAPO, flet Lutjona Lula, Koordinatore e Erasmus+ në Universitetin Europian të Tiranës.

Prej sa vitesh UET është pjesë e programit Erasmus+ dhe sa ka qenë interesi i studentëve për të?

UET është pjesë e skemës Erasmus+ që prej lançimit të kësaj skeme nga Komisioni Europian në 2014. Që prej atëherë UET ka përfituar një sërë projektesh për shkëmbimin e stafit dhe studentëve, si edhe për ngritjen e kapaciteteve në universitete. Sa iu takon projekteve të mobilitetit, interesi i studentëve është gjithnjë e në rritje dhe treguesi më i mirë është numri i lartë i aplikimeve në raport me numrin e kuotave të ofruara për UET.

Sa studentë të UET kanë fituar këtë vit Erasmus? Çfarë do të thotë kjo shifër krahasuar me vitet e mëparshme?

Bazuar në rezultatet e deritanishme, 36 studentë të UET do të zhvillojnë semestrin e dytë të këtij viti akademik. Në nivel semestri, për UET ky është numri më i lartë i studentëve që janë larguar në një nga universitetet partnere të Bashkimit Europian. Mund të përmend këtu që për këto 36 vende, numri i aplikantëve ka arritur 91 studentë. Ndërkohë sapo është hapur dhe thirrja e fundit për në Universitetin Valladolid të Spanjës. Gjithashtu, me kënaqësi vihet re edhe një dëshirë e studentëve të vitit të parë Bachelor për të aplikuar për Erasmus dhe ky indikator është shumë i rëndësishëm për popullaritetin që po merr programi.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme t’i mëshohet rëndësia e duhur dhe parimit të shkëmbimit të programit. Pra, universitetet shqiptare duhet në parim të ofrojnë dhe kushtet e nevojshme për të pritur studentë të huaj. Vetëm për semestrin e dytë ne do të kemi kënaqësinë të presim gjashtë studentë të huaj nga Spanja, Finlanda, Italia, Tajlanda dhe Polonia duke arritur numrin e 20 studentëve të ardhur në UET që prej 2015. Studentëve i ofrohet çdo material studimi në gjuhën angleze si edhe mbështetje e plotë për procedurat e qëndrimit dhe integrimit social dhe akademik në Tiranë. UET tashmë operon me sistemin Erasmus Buddy dhe studentët vendës ndihmojnë studentët e huaj për çdo nevojë të tyren.

Cilët janë hapat që duhet të ndjekë një student për të fituar një bursë Erasmus?

Praktika e programit Erasmus+ Credit Mobility në universitetet shqiptare është relativisht e re, por UET mundëson asistencë profesionale ndaj studentëve të tij përgjatë gjithë procesit dhe vështirësive që mund të hasen. UET ka ngritur tashmë traditën transparente të procesit të përzgjedhjes, përmes dy fazave. Faza e parë lidhet me dorëzimit të paketës së aplikimit. Pas verifikimit të dokumenteve, studentët e suksesshëm ftohen në një intervistë në gjuhën angleze para një komisioni me përbërje, si nga stafi akademik edhe nga zyrat mbështetëse. Ne kemi arritur në marrëveshje me partnerët, për t’i lehtësuar studentët duke mos u kërkuar certifikatë TOEFL apo IELTS për sa kohë aplikantët performojnë suksesshëm gjatë intervistës gjysmëformale në gjuhën angleze. Megjithatë, validimi final i kandidaturave kryhet gjithnjë nga universiteti pritës. Me këtë rast, më duhet të ritheksoj se aplikantët e suksesshëm kanë qenë studentët me një paketë të kompletuar, çka nënkupton jo vetëm një mesatare e lartë, por edhe një CV e pasur dhe motivim me objektiva të qartë për t’u arritur gjatë semestrit të mobilitetit.

Cilat janë universitetet dhe shtetet që preferohen më shumë nga studentët shqiptarë për këtë eksperiencë?

Sigurisht universitetet e mirënjohura dhe të rankuara janë ata më atraktivët sikurse është Universiteti i Stokholmit-Shkolla e Biznesit, Universiteti i Bolonjës, Varshavës, NOVA i Lisbonës etj. Megjithatë, studentët janë të orientuar dhe drejt vendeve ku dëshirojnë të përmirësojnë aftësitë linguistike të gjuhës vendëse, si: Gjermania dhe Italia, ose në universitete që ofrojnë lëndët më bashkëkohore të degës përkatëse, si rasti i Tallin University of Technology dhe Riga Technical University. Përkatësisht Letonia dhe Estonia janë vendet europiane më të zhvilluara nga ana teknologjike për momentin dhe studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe IT ishin mjaft të interesuar për këto thirrje.

Ndërkohë që Koordinatorja e Erasmus+, në Universitetin Europian të Tiranës shpjegoi më tepër në lidhje me funksionim e këtij programi në UET, arsyet përse një student duhet të bëhet pjesë e Erasmus+, janë të shumta.
Fillimisht është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë studentët, të kuptojnë se çfarë do të thotë të studiosh jashtë vendit. Veçanërisht për ata të cilët nuk qenë ndonjëherë me studime jashtë, kjo eksperiencë premton të jetë e mrekullueshme, për më tepër që shpenzimet monetare janë të mbuluara nga programi. Nga ana tjetër, studimi me anë të këtij programi shkëmbimi mund të përmirësojnë aftësitë e tyre në një gjuhë të huaj të caktuar apo edhe të mësojnë një të re. Krahas jetesës në një kulturë të ndryshme, këta studentë kanë mundësinë të krijojnë miqësi të reja, të udhëtojnë, të krijojnë kontakte dhe mundësi për të ardhmen e tyre profesionale, duke mësuar njëkohësisht të jenë të përgjegjshëm dhe më të aftë për veten e tyre.

Por si po e përjetojnë studentët e UET të cilët po zhvillojnë tashmë mësimin në një universitet jashtë vendit falë programit Erasmus+ dhe cilat janë pritshmëritë e atyre që sapo kanë mësuar lajmin e bukur se semestrin e ardhshëm do të bëhen pjesë e një eksperience të tillë?  


Lekjana Ndoj: Erasmus, një mundësi për njohjen e kulturave të ndryshme

Lekjana Ndoj është studente e universitetit Europian të Tiranës, në degën Financë-Bankë dhe aktualisht po ndjek studimet në “Università di Foggia” në Itali, si pjesë e programit të shkëmbimit studentor Erasmus+.
“Aktualisht po ndjek vitin e 3-të ciklit Bachelor në Universitetin e Foggias, Itali, në degën Financë-Bankë. Ashtu si çdo program Erasmus ndihmon në krijimin e një eksperience të vlerësuar, e tillë është dhe kjo që unë po përjetoj tani. Për mua është hera e parë që po studioj jashtë vendit dhe është programi i parë Erasmus që ndjek, dhe dua ta vlerësoj si një shans drejt formimit tim akademik, kulturor, social dhe pse jo të përvetësoj akoma dhe më shumë gjuhet e huaja, konkretisht italisht dhe anglisht”, tregon Lekjana.
Eksperienca që Lekjana po përjeton tashmë është një eksperiencë e veçantë, në një universitet dhe vend të ri. Por si e gjen veten Lekjana në këtë rrugëtim?
“Në aspektin akademik ajo çfarë gjej këtu është e njëjtë me atë që UET ofron. Ashtu si në Universitetin Europian të Tiranës, edhe këtu studenteve u ofrohet një jetë akademike mjaft aktive, duke u përfshirë në debate dhe leksione të hapura rreth tematikave të ndryshme, të cilat e bëjnë më tërheqëse degën në të cilën ne studiojmë. Edhe organizimi i studentëve është pothuajse i njëjtë, ku mund të anëtarësohesh në klube studentore me orientime të ndryshme. Ndërkohë, në degën që studioj, tematikat e trajtuara nga një vend europian siç është Italia, më ndihmojnë të zgjeroj njohuritë e mia ekonomike duke i drejtuar në kah europian dhe më mundësojnë të shoh nga afër se si funksionojnë dhe janë të vendosura, duke e vlerësuar këhtu diçka që në të ardhmen do të më ndihmojë në karrierën time”.
Ajo çfarë e bën këtë eksperiencë të jetë e vyer është jo vetëm përfitimi në aspektin akademik, por edhe socializimi dhe të kuptuarit e një kulture të re.
“Larmishmëria e këtyre muajve që jam pjesë e programit Erasmus nuk ndalet vetëm në atë akademike, por shoqërohet dhe kompletohet më tepër me udhëtimet, aktivitete kulturore, sociale dhe sportive të cilat kanë qenë të pranishme çdo fundjavë, të organizuara nga rrjeti i studenteve Erasmus (ESN). Një eksperiencë e tillë të jep mundësinë të jetosh një kulturë të re dhe padyshim është frytdhënëse për një karrierë të mirë në të ardhmen.

Pak muaj janë larg nga përmbushja e kësaj sfide, dhe për t’u rikthyer e diplomuar në Universitetin Europian, të cilit i jam falënderuese për fitimin e kësaj eksperience kaq të vyer për mua”, thotë ajo.

Për Lekjanën gjithçka duket se po shkon siç duhet ndaj edhe nuk ngurron të ftojë të gjithë studentët të aplikojnë për të qenë pjesë e këtij programi shkëmbimi.
“Te studiosh në një vend të huaj nuk është e lehtë, por padyshim do t’ia sugjeroja çdo studenti të aplikojë për t’u bërë pjesë e këtij programi shkëmbimi studentor. Erasmus nuk është thjesht një ndihmë në formimin akademik në universitete të ndryshme, por gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për t’u socializuar dhe për të mësuar më shumë rreth kulturave të vendeve të huaja”.

Arbiola Karalli: Kjo eksperiencë të formon si individ në të gjitha drejtimet

Arbiola Karalli është studente në Universitetin Europian të Tiranës, në degën Informatikë Ekonomike. Aktualisht studente në vit të tretë, Arbiola ka marrë së fundmi lajmin se semestrin e ardhshëm do të jetë pjesë e programit Erasmus+, duke studiuar në Ludwigshafen Gjermani.
“Si çdo semestër në Universitetin Europian të Tiranës hapen thirrjet për shkëmbimet studentore në universitetet më me emër në Europë. Thirrjet ishin të hapura në disa shtete dhe Gjermania ishte shteti i dytë në të cilin konkurrova dhe ku më pas u shpalla fituese. Ngacmimi i parë që më shtyu drejt këtij konkurrimi ishte mundësia e fitimit të një eksperience të re larg Shqipërisë dhe njohja me arsimin universitar në Gjermani. Shembuj të studentëve që kanë qenë fitues dhe më parë, kanë treguar se sa shumë vlen studimi jashtë dhe sa i kërkuar është ai për tregun e punës në ditët e sotme. Duhet të theksoj se eksperiencat ndërkombëtare kanë një rëndësi themelore në lidhje me punësimin, qasjet ndërkulturore dhe aftësisë gjuhësore. Elemente të cilat do të më shërbejnë në karrierën time akademike në të ardhmen”, tregon Arbiola në lidhje me arsyet që shtynë të aplikojë për të qenë pjesë e programit Erasmus.
Ajo na tregon më tepër në lidhje me mënyrën se si ka funksionuar ky aplikim dhe si e ka pritur lajmin e bukur se do të studiojë semestrin e ardhshëm në Gjermani.
“Faza e parë ishte ajo e përgatitjes së shkresave nga ana jonë, si: letra rekomandimi nga pedagogët, letra e motivimit, një CV e pasur me aktivitetet që kam zhvilluar si dhe Learning Agreement. Ndërkohë që hapi i dytë ishte ai i intervistës përballë komisionit ku do të ishin këta të fundit të cilët do të zgjidhnin fituesin me kriteret më mirë të përmbushura. Sigurisht ishte shumë e vështirë sepse konkurrenca ishte shumë e lartë. Kishte shumë studentë ekselentë, të cilët kishin jo vetëm një mesatare shumë të lartë por edhe gjuhën angleze ishte në nivele për t’u vlerësuar. Momenti më i bukur për mua ishte njoftimi se u shpalla një ndër fitueset e Erasmus në Gjermani. U gëzova pamasë dhe çdo sakrificë e bërë deri më tani u kurorëzua me këtë fitore”.
Ndërkohë që e vlerëson këtë mundësi dhe UET si urën lidhëse, pritshmëritë e Arbiolës ndaj eksperiencës që po afron janë të larta.
“Nga kjo eksperiencë pres të marr më të mirën e mundshme por dhe të jap më të mirët time dhe të prezantoj Universitetin Europian të Tiranës ashtu siç është në të vërtetë. Pra, si ndihma kryesore për zhvillimin e karrierës së një studenti, burimi kryesor i marrjes së dijeve me gjithë resurset që na ofron, si dhe pika më e fortë e mbështetjes së studentëve ekselentë. Ofrimi i një burse jashtë që ndër të tjera nuk vë në qendër gjendjen financiare të një studenti por potencialin e tij lidhur me dijet që zotëron. E ndihmon atë të hedhë baza të forta drejt të ardhmes dhe e formon si individ në të gjitha drejtimet. Do jetë një eksperiencë e vlefshme për çdo hap që do hedh dhe do jap maksimumin tim siç kam vepruar deri më tani”, shprehet Arbiola, optimiste për eksperiencën që e pret së shpejti.

Jara Hasaj: Një mundësi që nuk duhet humbur

Jara Hasaj është studente në degën Psikologji në Universitetin Europian të Tiranës dhe aktualisht po zhvillon mësimin në Fakultetin e Psikologjisë dhe Edukimit, Eötvös Loránd University (ELTE), Budapest, si pjesë e programit Erasmus+.

“Eksperienca ime në Erasmus, bindshëm mund të them se është një nga eksperiencat më të vlefshme si nga ana akademike, ashtu edhe nga ajo kulturore. Një eksperiencë e tillë të jep mundësinë e shkëmbimit të kulturave dhe ideve internacionale. Miq të rinj, tradita të ndryshme, kultura të reja dhe aventura të pakrahasueshme. Jeta studentore është ajo e cila e bën këtë qytet akoma edhe më të bukur. Budapesti është një vend i cili nuk duhet humbur”, tregon Jara në lidhje me eksperiencën që po përjeton tani si studente Erasmus.

Thuajse në përfundim të studimeve që programi Erasmus+ i ofron në Budapest, ajo tregon më tepër në lidhje me eksperiencën e saj akademike atje.

“Mënyra e strukturimit të silabuseve mund të them se është e përafërt me universitetin tonë, pasi siç dhe dihet Universiteti Europian i Tiranës është në standarde europiane gjithashtu. Ajo çfarë më ka pëlqyer më së tepërmi dhe që realisht e mendoj si një nga asetet më të forta të ELTE, është pikërisht vendosja në praktikë e informacionit të marrë nga leksionet online. Puna në grup me studentët internacionalë po ashtu është një eksperiencë e cila vetëm nga një program i tillë Erasmus mund të përfitohet. Një nga shërbimet unike që ELTE ofron, është “Qendra Klinike e Këshillimit dhe Terapive”, si për studentët edhe pedagogët (qoftë për të marrë shërbim, ose për të kryer praktikat studentore). Nuk do doja të lija pa përmendur dhe faktin që në ELTE vetë studenti ka mjaftueshëm alternativa për zgjedhjen e programit që vetë ai do të studiojë gjatë semestrit”, tregon ajo.

Pritshmëritë që Jara ka patur në fillim të kësaj eksperience janë plotësuar më së miri dhe përfitimet nga prej saj do të jenë gjithnjë të vlefshme.

“Një nga arsyet e mia kryesore në fillim të aplikimit për Erasmus ishte dhe fakti se një eksperiencë e tillë do të më shërbente përpos faktit akademik dhe në atë profesional. Të marrësh njohuri rreth qasjeve të ndryshme që ka profili yt nga një këndvështrim europian, të bën më kreativ dhe të plotëson një pjesë të rëndësishme ‘pazëlli’ në background-in tënd. Erasmus është një eksperiencë e paharrueshme”.

Irisa Veizaj: Do të duhet të japësh më të mirën nga vetja sepse konkurrenca është e madhe

Irisa Veizaj është studente në degën Financë-Bankë, në vitin e dytë, dhe është një ndër studentët fitues të UET, të cilët do të ndjekin studimet e tyre, semestrin e dytë në një nga universitetet e vendeve europiane. Irisa do të ndjekë studimet e saj në “University of Almeria” në Spanjë.
“Gjatë vitit tim të parë në Universitetin Europian të Tiranës u njoha me programin Erasmus dhe mundësitë që ofronte shkolla për të kryer një semestër akademik në një nga vendet e Bashkimit Europian. Njohja me këtë program më bëri që të mendoja se sa fitimprurëse do të ishte një eksperiencë e tillë. Sapo mësova për mundësinë që më jepej për të kryer një semestër akademik në Spanjë nisa aplikimin tim”, tregon Irisa në lidhje me arsyet të cilat e kanë shtyrë të aplikojë për të qenë pjesë e këtij programi.
Ndërkohë që ajo tregon më tepër në lidhje me hapat që ka ndjekur gjatë aplikimit.
“Hapat e aplikimit nisnin me plotësimin e dokumenteve, si listë notash, letra e motivimit, përzgjedhja e lëndëve që do të ndiqja në universitetin ku më ofrohej bursa. Pjesa më e rëndësishme e aplikimit ka qenë intervista në gjuhën angleze, e cila do të vendoste rreth përzgjedhjes. Të tregohem e sinqertë kam patur shumë emocione ditën e intervistës dhe mendoja se nuk do të performoja në maksimumin tim, për t’u përzgjedhur. Paneli intervistues ishin mikpritës dhe më ndihmuan të kaloj emocionet fillestare, kështu arrita t’u përgjigjem pyetjeve me lehtësi. Do të duhet të japësh më të mirën nga vetja sepse konkurrenca është e madhe”.
Ndërkohë që eksperienca e re dhe emocionuese është afër edhe pritshmëritë e Irisës janë mjaft pozitive.
“Edhe pse nisem në muajin shkurt, që tani kam emocione rreth eksperiencës që do të përjetoj. Pres që të kaloj në ‘shok kulturor’. Dua të njoh një kulturë të re, njerëz me background të ndryshëm nga unë. Jam shumë emotive si person dhe besoj që kjo eksperiencë do të më bëjë të analizoj gjërat dhe më shumë, dhe të jem më e hapur ndaj ndryshimeve. Gjithashtu, jetesa vetëm në një vend të huaj besoj se do arrijë të më mësojë cilat janë pikat e mia të dobëta dhe të forta. Eksperienca të tilla të ndihmojnë gjithmonë të mësosh më shumë rreth vetes”, shprehet entuziaste ajo.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180