Universiteti Europian i Tiranës prej këtij viti akademik është pjesë e nismës “Akademia Virtuale e NATO-s”, iniciuar nga dr. Kristina Soukupova e Universitetit anglo-amerikan të Pragës. Kjo nismë ka si synim ofrimin e leksioneve online mbi NATO-n, zhvillimet në terren të organizatës dhe ngjarjet aktualet globale që prekin aleancën drejtpërsëdrejti.
Leksionet ofrohen rregullisht çdo javë, ku për secilin sesion ka nga një të ftuar të NATO-s, ish-ushtarakë, ekspertë në terren apo edhe në Zyrat Qendrore, të cilët ndajnë me studentët eksperiencat e tyre konkrete duke sjellë në pah zhvillime dhe informacione që nuk ndeshen shpesh në literaturën klasike.
Leksionet dhe debatet ofrohen live dhe njëkohësisht për studentët e UET, si dhe në nivel europian studentët dhe folësit pjesëmarrës janë nga universitete, si: King’s College London, Virginia Wesleyan University, Universiteti i Lisbonës, Universiteti Rhine-Waal i Shkencave të Aplikuara, Universiteti i Letonisë, Universiteti i Talinit etj.
Kjo iniciativë në UET menaxhohet nga Departamenti i Shkencave Sociale të Aplikuara dhe nga Zyra për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneritetet UET dhe leksionet do të rifillojnë sërish nga Shkurti 2018.