Qeveria Studentore është një strukturë mjaft e rëndësishme për një universitet i cili synon që të ofrojë më të mirën për studentët e tij. Si një strukturë e pavarur dhe e drejtuar nga vetë studentët, rëndësia e saj qëndron në faktin se zëri i studentëve ka mundësinë të dëgjohet më fuqishëm, interesat e tyre të merren më tepër parasysh dhe problemet që mund të ekzistojnë të gjejnë zgjidhje.
Nga Elda Dedja
Edhe këtë vit, në Universitetin Europian të Tiranës, zhvillohen zgjedhjet për Qeverinë Studentore, ku nga kandidaturat e hedhura, pritet të përzgjidhen përfaqësuesit e rinj.
Ky proces shtrihet në harkun kohor prej afërsisht një muaj dhe përfshin një sërë etapash, thelbësore për një rinovim demokratik të kësaj strukture.
Vilma Beqa, Presidentja e Qeverisë Studentore tregon më tepër në lidhje me zgjedhjet që po mbahen sivjet në UET.
“Si çdo vit, edhe këtë herë në UET zgjedhjet studentore marrin një vëmendje të veçantë dhe mobilizojnë zyrën e Dekanes së Studentit. Fushata është konceptuar e shtrirë në kohën fizike afërsisht një muaj, ku procesi kalon të gjitha fazat normale të një procesi zgjedhor, që nga shprehja e interesit nga studentët aspirantë deri te votimi, ku studentet zgjedhin përfaqësuesin e tyre.
Pas diskutimesh me Dekanen e Studentëve, dr. Anisa Subashin, mbi mbarëvajtjen e këtij procesi, gjykuam se fundi i nëntorit ishte i përshtatshëm për të hapur thirrjet për kandidatët potencialë. Rreth një muaj e gjysmë pas fillimit të shkollës, studentët kanë mundur të njohin njëri-tjetrin, si dhe ku priten apo takohen bashkësitë e tyre të interesave, sigurisht, kanë njohur dhe “fushën e betejës”, pikat e forta dhe të dobëta të konkurrentëve”, u shpreh Vilma Beqa në cilësinë e Presidentes së Qeverisë Studentore.
Ndërkohë për sa iu përket hallkave të këtij procesi, kjo javë përbën javën e fushatës, ku të gjithë studentët kandidatë, kanë mundësinë të shpalosin platformat dhe të bindin kolegët e tyre se janë liderët e duhur për ta.
“Nga data 20-25 nëntor, në një javë kohë, zyra e kujdesit ndaj studentit ka qenë e hapur për të pritur të gjithë ata që dëshironin të aplikonin. Procedura ka konsistuar thjesht në plotësimin e një formulari prezantues për veten dhe synimet e tyre në lidhje me këtë thirrje. Çdo student ka qenë i lirë për të aplikuar, qasja mbi profilin e kandidatit ka qenë liberale, pa paragjykime mbi mesataren apo kritere të tjera. Dëshira dhe vullneti kanë qenë vetëmjaftues në këtë stad.
Datat 11-16 dhjetor do t’i gjejnë kandidatët në fushatë, për të shpalosur veten e tyre dhe gara pritet të jetë e fortë. Studentët do të shkojnë në kutitë e votimit një javë më pas, nga datat 18-22 dhjetor, për të dhënë verdiktin mbi përfaqësuesin e tyre”.
Presidentja e Qeverisë Studentore tregon për gazetën MAPO se interesimi i studentëve dhe pjesëmarrja e tyre në këtë proces ka qenë mjaft pozitiv.
“Sa i përket pjesëmarrjes, ajo ka qenë pozitive. Sigurisht që ka patur edhe studentë skeptikë apo ngurues për të aplikuar, pasi vetë posti karakterizohet më shumë nga përgjegjësia sesa privilegji, por diçka mund të thuhet me bindje, që përfaqësimi studentor në UET funksionon në mënyrë rigoroze dhe ka një disiplinë për të cilën unë si Presidente e Qeverisë Studentore ndihem krenare”, tregon ajo.
Tanimë, thuajse në përfundim të vitit të dytë në postin e saj si Presidente e Qeverisë studentore, post të cilin e ka mbajtur me një përgjegjësi maksimale dhe njëkohësisht me një vizion inovator dhe vendosmëri impresionuese, Vilma tregon për gazetën MAPO eksperiencën e saj si lider i studentëve të UET.
“Të jesh President i Qeverisë Studentore, do të thotë të jesh një person i balancuar në emocione, i drejtë në vendime dhe frymëzues në ide. Shkurt, një sfidë për veten dhe padyshim një sfidë që ia vlen.
Objektivi më i madh në fakt nuk ka patur si rezultat arritje materiale, por morale. Ajo që kam dashur dhe ende synoj të bëj, është të siguroj besimin dhe të vlerësohem si veshi i duhur i studentëve. UET është komod sa i përket infrastrukturës dhe më shumë jemi të përqendruar dhe kemi synim diskutimin e ideve se sa diskutimin për kushte materiale”.
Me një eksperiencë të tillë në Qeverinë Studentore, e cila i ka mundësuar të jetë në “vijën e parë” të veprimit, të shohë ndikimet dhe ndryshimet që kjo strukturë sjell në jetën e universitetit, Vilma me të drejtë vë theksin në rëndësinë që Qeveria Studentore ka.
“Para së gjithash, Qeveria Studentore është e rëndësishme sepse është e nevojshme. Nevoja lind natyrshëm, si kërkesë e komunitetit studentor për përfaqësues, në mënyrë që të realizohet përcjellja e kërkesave të larmishme që studentët kanë. Gjithashtu, senati është një ‘barometër jetik’ për të kuptuar shqetësimet e studentëve. Fakt është që në 1 nga 2 takime të Qeverisë Studentore, është i pranishëm për të dëgjuar dhe diskutuar me senatorët edhe Rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj, në lidhje me çështjet që ata ngrenë. Pjesëmarrja në senat është e dobishme edhe në aspekt personal. Çdo senator konfirmon apo përmirëson tiparet e liderit, aq të rëndësishme në ditët e sotme, si dhe çdo senator është një hap më pranë strukturave të universitetit duke zgjeruar kështu network-un e tij”, shprehet ajo.
Por cilët janë disa nga kandidatët për të qenë senator këtë vit? Aspirantët për të qenë lideri i ardhshëm i grupit flasin për gazetën MAPO në lidhje me objektivat e tyre dhe eksperiencën që dëshirojnë të fitojnë.
Fjona Çela: Komunikimi dhe përgjegjshmëria, pikat e mia të forta
Fjona Çela është studente në vitin e dytë, në degën Komunikim-Marrëdhënie Publike.
Fjona kandidon për herë të dytë për postin e senatores, pas eksperiencës që pati vitin e parë në përfaqësimin e studentëve të degës së saj në Qeverinë Studentore.
“Arsyeja përse zgjodha të kandidoj sërish për senatore, është se kam besim në vete dhe mbi të gjitha aftësi për të përballuar përgjegjësitë që duhet të mbajë një senator i denjë për pozicionin që i është caktuar. Ndër të tjera jam e gatshme të ruaj marrëdhënie komunikuese shumë të mira me individët që më rrethojnë”, shprehet ajo.
Fjona është mjaft e qartë në synimet e saj, kjo edhe falë eksperiencës së kaluar vjet si senatore. Nëse rizgjidhet senatore ajo është e bindur se do të punojë me të njëjtën vendosmëri dhe përgjegjshmëri si më parë.
“Qëllimi im është të transmetoj me përpikëri çdo shqetësim apo kërkesë që studentët mund të kenë në lidhje me institucionin arsimor ku ne studiojmë, duke u përpjekur maksimalisht që në bashkëpunim të gjejmë zgjidhjet më të mira”.
Anxhela Zeqo: Të qenit senator, një mundësi shumë e mirë për të zhvilluar aftësitë në lidership
Anxhela Zeqo është studente e vitit të dytë në degën Financë-Bankë dhe kandidon për të qenë pjesë e senatit si përfaqësuese e kësaj dege për vitin në të cilin studion. Konkurrenca është e fortë, por Anxhela është e fokusuar në qëllimet e saj.
“Kam zgjedhur të kandidoj për senatore sepse e shikoj si një mundësi shumë të mirë të zhvilloj aftësitë e mia në lidership dhe komunikim dhe si një eksperiencë që të njeh me shumë njerëz të rinj dhe të mëson përgjegjësi të cilat do të na shërbejnë gjatë gjithë karrierës sonë profesionale dhe përtej saj”, tregon Anxhela në lidhje me arsyet se përse kandidon për senatore.
Energjike dhe e vendosur, ajo e kupton rëndësinë e këtij posti dhe është e përgatitur për të punuar fort në rast se fiton përfaqësimin.
“Nga këndvështrimi im, statusi i senatorit është një hallkë e rëndësishme lidhëse midis studentit dhe strukturave të universitetit, ndaj dhe objektivat dhe pritshmëritë që kam nga ky post nëse zgjidhem është të përfaqësoj në mënyre sa më dinjitoze të gjitha shqetësimet apo idetë e studentëve duke gjetur një zgjidhje diplomatike në favor të të gjithëve”.
Pamela Kofsha: Posti i senatorit, një eksperiencë unike
Pamela Kofsha është studente në degën Psikologji, në vitin e tretë, dhe kjo është kandidatura e dytë për të, pas përzgjedhjes së saj si senatore vitin e kaluar.
“Kandidatura ime e parë për postin e senatores ka qenë vitin e shkuar. Tashmë prej një viti në këtë post di ta vlerësoj këtë si një eksperiencë unike, e cila përpos përgjegjësisë që ka mbart shumë kënaqësi dhe privilegj”, tregon Pamela në lidhje me eksperiencën e saj.
Jo vetëm eksperienca e kaluar e shtyjnë të rikandidojë, por edhe qëllimet të cilat i ka mjaft të qarta për veten dhe të ardhmen e saj.
“Vendosa të rikandidoj pasi dua të përfaqësoj denjësisht problemet ose shqetësimet e kolegëve të mi të ardhshëm. Objektivat e mi janë të qartë. Duke qenë gjatë gjithë kohës një person që kërkoj përsosmëri dhe përmirësim, këtë gjë dua të bëj dhe në këtë pozicion. Besoj se me bashkëpunimin e Qeverisë Studentore dhe strukturave përkatëse të universitetit do të arrijmë të minimizojmë problematikat apo pakënaqësitë që ne si studentë mund të kemi. Kjo, me qëllim arritjen e një standardi akoma më të mirë. Unë mendoj, se edhe më i miri tenton të bëhet akoma më i mirë, dhe si studente, dëshiroj që ta shoh universitetin nga i cili po përgatitem për të ardhmen në nivelet më të mira të mundshme”.
Anisa Golemi: Synoj të përfaqësoj denjësisht interesat e çdo studenti
Pjesë e Qeverisë Studentore janë edhe përfaqësuesit e ciklit të studimeve Master dhe një ndër kandidaturat për të qenë pjesë e kësaj strukture, është studentja e vitit të parë, Anisa Golemi, e cila studion për Financë-Bankë në profilin Bankë dhe Tregje Financiare, Master Shkencor.
Karakteri i saj prej lideri i shfaqur edhe përtej jetës studentore, e ka shtyrë të bëhet pjesë e këtij procesi.
“Për mua ky është viti im i parë në UET dhe që në ditët e para të fillimit të vitit shkollor, pra këta 2 muaj, jam gjendur shumë mirë dhe e mirëpritur nga institucioni i shkollës, nga studentët dhe stafi akademik. Kjo më motivoi dhe më nxiti dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e projekteve tona të përbashkëta këtu në UET. Gjithashtu, duke konsideruar eksperiencën time në projektet të shumta me organizata të ndryshme, mendoj se kam fituar aftësi shumë të mira menaxhuese dhe të punuari në grup, duke dhënë zgjidhje kreative dhe efektive problemeve të ndryshme të hasura. Nëse do më jepet mundësia të përfaqësoj studentët e degës, synoj që të përfaqësoj denjësisht interesat e çdo studenti, të kuptoj sa më mirë problemet dhe kërkesat e tyre, në mënyrë që t’i ngre sa më qartë në mbledhjet e senatit, të këmbëngul për të arritur në zgjidhje, në shërbim te tyre”, shprehet Anisa.
Liri Shkëmbi: Një senator i mirë shndërrohet në zërin e studentëve që përfaqëson
Liri Shkëmbi është studente e vitit të dytë në degën Financë-Bankë dhe kandidon për të qenë përfaqësuese e kësaj dege ne senatin e Qeverisë Studentore të UET.
Ajo është optimiste për të ardhmen dhe me vizion të qartë për të qenë zëri i studentëve të degës së saj në rast se zgjidhet të jetë përfaqësuesja e tyre.
“Vitin që kaloi kam qenë pjesë në dy fokus-grupet e realizuara në UET, ku diskutohet në lidhje me eksperiencën në UET. Duke marrë shkas nga kjo dhe duke parë bashkëpunimin studentë-pedagogë në fokus-grup, më lindi dëshira të përfshihesha edhe më shumë në jetën studentore të UET. Është kjo dëshirë dhe aspiratë e cila më shtyu të kandidoja për senatore”, tregon ajo.
Liria tregon se në rast se përzgjidhet senatore në degën e saj, do të punojë fort për të arritur objektivat që i ka vënë vetes.
“Sigurisht që qëllimi im kryesor do të jetë të përfaqësoj mendimet dhe problematikat e studenteve të degës Financë-Bankë. Për mendimin tim, një senator i mirë është ai që e bën më të thjeshtë shprehjen e mendimit dhe ideve të studentëve në shkollë. Përveç kësaj, gjithashtu të ndihmoj (në rastet e nevojshme) marrëdhënien e studentëve me pedagogët”.
Klea Shabanaj: Kandidoj për senatore sepse e ndiej detyrim moral përfaqësimin e shoqërisë denjësisht
Klea është studente në degën Informatikë Ekonomike, në vitin e parë. Ndonëse në fillim të eksperiencës së saj në universitet, Klea është mjaft e motivuar të japë më të mirën e saj, jo vetëm në mësime.
“ Zgjodha për të kandiduar për postin e senatorit sepse e ndiej si detyrim moral ndaj vetes dhe shoqërisë, përfaqësimin e kësaj të fundit denjësisht”, shprehet ajo.
E motivuar për të fituar dhe për të përfaqësuar degën ku studion ajo shpjegon objektivat që i ka vënë vetes në rast se do të zgjidhet senatore.
“Objektivat e mi për këtë pozicion janë sheshimi i çfarëdolloj problemi apo shqetësimi nga ana e studentëve, si dhe marrja parasysh e mendimeve dhe kërkesave të tyre dhe më pas transmetimi i këtyre mendimeve apo kërkesave në strukturat përkatëse. Pritshmëritë e mia për të ardhmen janë bashkëpunim sa më i arrirë ndërmjet studentëve, si dhe realizimi i planeve të ndryshme që tashmë kemi hartuar me një pjesë të tyre”.
Mirgen Çela: Dëshira për të drejtuar dhe për të sjellë ndryshimin më shtyjnë të kandidoj
Mirgeni është student i vitit të parë, në degën Shkenca Politike dhe si një lider i ardhshëm, ka vendosur të kandidojë për të qenë përfaqësues i degës në të cilën studion.
I motivuar dhe me vizion të qartë për të ardhmen ai shprehet se ajo çfarë e shtyn më tepër të kandidojë është dëshira e tij për të qenë një lider dhe një person i cili mund të sjellë ndryshim në komunitetin ku bën pjesë.
“Arsyeja që më shtyu të kandidoja për të qenë senator është dëshira për të drejtuar dhe për të ndryshuar diçka në bazë të nevojave dhe kërkesave që studentët paraqesin”.
I vendosur në qëllimet e tij, Mirgeni tregon se në rast se zgjidhet përfaqësues, do të punojë fort për të qenë një senator i denjë që përmbush pritshmëritë e atyre të cilët e kanë zgjedhur.
“Pritshmëritë e mia për të ardhmen nëse zgjidhem senator janë të jem sa më korrekt në kërkesat që do të më paraqiten, në detyrat që do të kem dhe të përfaqësoj denjësisht dhe me përgjegjshmëri studentët e degës sime”, thotë Mirgeni.