Është organizuar sot në UET, Dita e Sipërmarrjes, ku disa personalitete të njohur nga fusha e biznesit shqiptar kanë ndarë me studentët historitë e tyre të sipërmarrjes, sfidat dhe vështirësitë më të cilat janë përballur gjatë rrugës, idetë dhe përkushtimin ndaj këtyre ideve që kanë bërë të mundur suksesin e sipërmarrjeve të tyre. Prof. Asoc. Dr. Ermira Qosja, organizatorja e këtij eventi, u shpreh se Dita e Sipërmarrjes është “një festë” që mundëson sipërmarrësit të ndajnë eksperiencat e tyre dhe të frymëzojnë studentët të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e botës së biznesit.
“Dita e sipërmarrjes, kthehet në një festë ku sipërmarrësit ndajnë eksperiencat mes tyre, me njerëz të cilët dëshirojnë të hyjnë në sipërmarrje dhe e kthejnë këtë ditë në një moment optimizmi për inovacionin, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e zhvillimin ekonomik tëë vendit. Dita e Sipërmarrjes, vjen këtë vit për të katërtën herë në universitet dhe synimi është të ndahen eksperiencat më të mira të sipërmarrësve shqiptarë me studentët e Fakultetit Ekonomik, por dhe të motivohen studentët për sipërmajen”- tha ajo.
Qosja ftoi sipërmarrësit e pranishëm, të ndajnë eksperiencat e tyre, frymëzimin e tyre, idetë dhe sfidat që kanë qënë pjesë e rrugëtimit dhe i kanë shndërruar ata në sipërmarrësit që janë sot. Para studentëve folën për idetë në ndërtimin e sipërmarrjeve të tyre dhe sfidat e një menaxhimi të suksesshëm sipërmarrësit; Armand Peza nga “Geraldina sposa”; Mirjana Kuka dhe Fabian Kuka nga “Diplomat Fashion, Salt & Last Super”; Shkelzen Marku nga “Partnership for Development Foundation”; Altin Prenga nga Mrizi i Zanave; Alma Gerxhani nga Mandarina Promotion; Feridiola Berberi nga ArtSpace dhe Armand Shkëmbi i Real Deal.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, ka qenë gjithashtu i pranishëm dhe ka përshëndetur këtë aktivitet të zhvilluar. Ai tha për studentët e pranishëm se ajo ccfarë ka më tepër rëndësi në sipërmarrjen e biznesit është ideja.
“Ideja sot vlen më shumë se gjithçka. Më shumë se paraja, më shumë se pasuria.”
Duke theksuar më tej faktin se është ideja ajo që më pas ccon në lindjen e sipërmarrjes, dhe rëndësinë që ideja ka, ai është shprehur se jo vetëm individët janë në gjendje të pasurohen nga një ide e mirë, por edhe shtetet me rritjen më të shpejtë ekonomike sot, janë ato shtete të cilat kanë ide dhe shesin ide.
“Kur unë u shpjegoj teoritë ekonomike studentëve të mi, mënyrën se si funksionon ekonomia por mbi të gjitha si duhet t’i përgjigjemi pyetjes së famshme të Adam Smith-it “Si pasurohet një komb?”, shpesh e kam të vështirë t’u shpjegoj, të paktën në fillim, që pasuria më e madhe sot janë idetë dhe jo produktet materiale. Ato popuj që sot janë specializuar në prodhimin dhe shitjen e ideve, po pasurohen shumë më shpejt se popujt e tjerë që kanë ngelur me ekonominë klasike të prodhimit të gjërave materiale. Kështu që edhe për një vend si Shqipëria, duke iu referuar eksperiencave të mëparshme, ndoshta burimi më i madh që ne kemi për të krijuar, pasuruar dhe zhvilluar janë vërtetë idetë e mira të cilat pastaj shndërrohen në biznese po kaq të mira.”
Në këtë mënyrë ai ka inkurajuar studentët të gjejnë në vete frymëzimin dhe të kenë sa më shumë ide. Potenciali për të qenë i suksesshëm gjendet në ide, brenda vetës.
“Gjithsecili e ka tek vetja mundësinë, që po pati idenë dhe fantazinë që duhet mund të zhvillojë dhe të ketë një biznes. Shkollën duhet ta shfrytëzoni për të kuptuar më tepër veten, për tu frymëzuar dhe për të gjetur ide, të cilat më pas fare mirë mund t’i shndërroni në një biznes tuajin.”
Aktiviteti ishte një mundësi mjaft e mirë për të gjithë studentët të cilët duan të dijnë më tepër rreth botës së biznesit dhe sipërmarrjes, të njihen me histori të vërteta nga njerëz të cilët kanë luftuar kundër vështirësive dhe pengesave, me një qëllim të vetëm, të sjellin në jetë dhe të kultivojnë ëndrrat e tyre.
Ata kanë patur mundësinë të mësojnë me tepër dhe të shuajnë kureshtjen me anë të pyetjeve që u kanë drejtuar sipërmarrësve të ftuar, të cilët kanë qenë mjaft të hapur në përgjigjet e pyetjeve të drejtuara./Mapo.al/