Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Rënia e Akademisë së Shkencave: Edi Rama, njeriu që po i jep fund modelit sovjetik

$
0
0

Nga viti 1972 kur u krijua Akademia e Shkencave, momentet më goditëse të selisë së lartë të kërkimit shkencor mbajnë kulmin me goditjen e parë të dhënë nga Berisha me reduktimin e Instituteve të kërkimit shkencor, tani me heqjen e buxhetit në vitin 2017 nga kryeministri Edi Rama, njeriu që do të mbahet mend se i dha fund modelit monist, sovjetik të ASHSH-së

Zgjedhjet e sivjetme për kreun e Akademisë së Shkencave u shoqëruan me debate të forta mes vetë akademikëve, duke zbuluar edhe gjendjen në të cilën është katandisur selia më e lartë e kërkimit shkencor, shpesh e akuzuar për rënie në apati totale.

Për këtë shkak, shtyrja dhe zvarritja e procesit të reformës në këtë institucion duket se ka nxitur edhe kryeministrin Edi Rama të reagojë duke mbajtur një qëndrim radikal me to, duke sinjalizuar qysh në shtator të këtij vitit për heqjen e buxhetit.

“Nëse nuk reformohet Akademia e Shkencave nuk do marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të duhet të dorëzojë godinën! Prandaj Stop Farsës”, ka qenë mesazhi i parë i Ramës. Por si duket, akademikët nuk e morën aq seriozisht këtë deklaratë të kryeministrit, deri sa erdhi e u bë vendim, duke hapur debatin e madh se si do të funksionojë Akademia e Shkencave të Shqipërisë, dhe rolin e saj përballë strategjisë e politikave të kërkimit shkencor.

Që prej themelimit më 1972, Akademia e Shkencave të Shqipërisë bashkoi shkencëtarët më të njohur të vendit, si dhe institutet e sektorëve shkencorë që bënin pjesë në USHT. Më pas u zgjerua me institute në fushat e shkencave albanologjike, shoqërore, natyrore dhe teknike. ASHSH u krijua si një institucion i financuar me emërtim të veçantë nga buxheti i shtetit, në bazë të programeve për studimin e problemeve kryesore shkencore të paraqitura prej saj. Referuar historiku të saj deri në janar të vitit 2007, ASHSH i mbante nën këmbët e saj të gjitha institutet, por me ardhjen e qeverisë Berisha sistemi i selisë së lartë të kërkimit shkencor u reduktua duke krijuar edhe Qendrën e Studimeve Albanologjike. Ishte ky moment që tronditi akademikët, duke krijuar një debat të madh për ekzistencën e instituteve. Por, me ardhjen në pushtet të Edi Ramës duket se Akademia e Shkencave merr goditjen e fundit duke u larguar totalisht nga modeli sovjetik i udhëhequr deri tani.

Së fundi, vendimi mbi parashikimin në projektbuxhetin e vitit 2018 për heqjen e fondeve Akademisë së Shkencave ka shqetësuar akademikët duke thirrur, dje, në mënyrë urgjente asamblenë. Ky moment është konsideruar prej tyre, në unanimitet, si ditët më të errëta për institucionin që nuk ka njohur “goditje” as në komunizëm. Por nga ana tjetër, mbledhja edhe pse nuk ka degjeneruar ka pasur sërish përplasje mes akademikëve për mënyrën se si duhet të funksionojë selia më e lartë e kërkimit shkencor.

Pra, reforma që do ta nxirrte institucionin e kërkimit shkencor nga ajo që është konsideruar “mollë e kalbur” prej atyre vetë, dhe e parë nga jashtë si e atrofizuar.

Dy skemat që janë propozuar lidhen me përfshirjen e Instituteve me Akademinë: disa kërkojnë shkëputjen totale të Akademisë nga institutet e kërkimit shkencor, dhe të tjerë duan të rikthejnë në të ardhmen skemën e vjetër, atë të modelit sovjetik të funksionimit me të gjitha institutet.

Çfarë propozohet është kthimi i Akademisë së shkencave në një institucion honorifik.

Por si duket, ata që shtrëngojnë karriget e Akademisë e kanë të vështirë të shkëputen prej mentalitetit të saj. Kreu i sapozgjedhur, Gudar Beqiraj, ende pa u dekretuar nga parlamenti, u shpreh dje, pas dyerve të mbledhjes së asamblesë se “të gjithë anëtarët e Akademisë janë në një mendim të unifikuar, se nuk do të pranojnë mbylljen e Akademisë. Besoj se kjo nuk do të ndodhë. Për çështjen e reformimit jemi unison, por me këndvështrime të ndryshme. Dikush thotë se Akademia të jetë ajo që ka qenë përpara, me Institute”. Vetë Beqiraj mban anën e modelit sovjetik, të importuar nga lindja në kohën e themelimit të saj, pra të qëndrojnë institutet.

Ndërsa akademiku Apollon Baçe mban anën e “modelit sovjetik”, duke u shprehur se goditjen e parë Akademia e mori nga qeveria Berisha, duke hequr institutet, duke e konsideruar një skemë që nuk qëndron, dhe vendimin e Ramës e sheh si goditje finale. “Në rast se thuhet se do hiqen fondet është më mirë të thuhet të mbyllet Akademia. A e bën apo jo këtë gjë, nuk e kam të qartë. Kjo gjë nuk bëhet me vendim të këshillit të ministrave, kërkohet parlamenti, i cili ka fuqinë e kartonave që mund të thotë nëse lopa cicëron dhe harabeli pëllet…Do të ishte një dëm tepër i madh të mbyllej. Merkeli ka thënë 1 në 5 prioritetet që të hyjë Shqipëria në BE, kërkohet 3.5% të jetë buxheti shkencor edhe kërkohet një mbështetje e kësaj pune”. Kundër skemës me institute është shprehur akademiku Artan Fuga. Ndryshe nga mungesa e prezencës në mbledhjen e asamblesë për zgjedhjet e reja, Fuga ka qenë prezent dje duke u shprehur se Akademia ndodhet në ditët e saj më të errëta, kur ekzistenca e saj vihet në diskutim. Fuga është zëri kundër për skemën e sotme të Akademisë, duke sjellë propozimin për një institucion të pavarur për kërkimin shkencor.

Propozimi i Fugës vjen në përplasje me propozimet e mësipërme, por dhe vetë konceptin mbi të cilën do mund të bëhet transformimi i Akademisë: “Gjithmonë kam qenë kundër që Akademia t’i rikthehet modelit monist, ku asambleja drejton institucionet. Institutet e kërkimit shkencor janë sipas ligjit të pavarura, grupet e kërkimit janë të pavarura. Institutet kanë senatet e tyre, nuk ka mundësi që një grup shkencor të ketë drejtorinë, mbi drejtorinë të ketë senatin e Institutit, mbi senatin e Institutit të ketë Asamblenë e Akademisë, dhe mbi asamblenë e Akademisë të ketë kryesinë e Akademisë…kjo nuk bëhet më. Nuk ka sens. Akademia e Shkencave nuk mund të ketë një asamble që të gjithë anëtarët e asamblesë të dinë edhe se ç’bëhet me albanologjinë, kiminë, fizikën etj. Ka një mënyrë tjetër që Akademia të ekzistojë si një forum i pavarur i zgjedhur nga shkencëtarët e Shqipërisë, që të jetë partnere e qeverisë për një kërkim, strategjinë shkencore të vendit, monitorimin e arritjeve shkencore dhe të ketë vlerësimin për punën shkencore që bëhet në Shqipëri, jo vetëm në institucione por edhe në universitete, apo që bëhet në botën private etj. Akademia nuk duhet të drejtohet më në mënyrë sovjetike…Në qoftë se hyn në rrugën e dominimit të instituteve, unë po ju them publikisht që unë që në atë çast do jap dorëheqjen si anëtar i Akademisë së Shkencave”. Në të gjithë këtë përplasje, Rama mbyll gjithë debatin: me heqjen e buxhetit për Akademinë e Shkencave, mbyllet edhe historia e modelit sovjetik të selisë së lartë që ka drejtuar kërkimin shkencor në Shqipëri.

Violeta Murati


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180