“StartUp Europe Comes to Universities” është një iniciativë e rrjetit StartUp Europe dhe e Komisionit Europian, e cila erdhi këtë javë në Shqipëri, në edicionin e saj të dytë përmes Universitetit Europian të Tiranës . Duhet evidentuar që UET është ndër të parat universitete që përqafon këtë nismë jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë në rajon, duke dëshmuar sërish qasjen e tij inovative dhe proaktive.
Qëllimi i kësaj nisme është inspirimi i studentëve të universiteteve drejt startup-eve, afrimi i botës së biznesit më pranë akademisë dhe ndërveprimi mes tyre dhe aktorëve të tjerë lokalë për të kontribuar në këtë mënyrë në rritjen ekonomike, inovacionin dhe punësimin. Pjesë e konferencës së mbajtur ishin pedagogë të UET, përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të organizatave në mbështetje të sipërmarrjes, të rinj të cilët kanë zhvilluar startup-e të suksesshëm apo e kanë në proces atë.
“Prej disa vitesh UET po përpiqet që krahas disa drejtimeve të saj strategjike, të ketë prioritet të tij dhe edukimin sipërmarrës. Ne e dimë, që numri i studentëve sa vjen dhe rritet, nga ana tjetër tregu jo në të gjitha rastet t’i përthithë të gjithë studentët. Atëherë edukimi sipërmarrës, sipërmarrja, merr një rëndësi të veçantë. Në këto kushte, fokusimi i universitetit drejt sipërmarrjes është i rëndësishëm jo vetëm për t’ju dhënë ju njohuritë e duhura por gradualisht t’ju japë dhe aftësitë e duhura për të ngritur biznesin tuaj. Për këtë, shërbejnë jo vetëm aktivitetet brenda orës së mësimit por edhe një sërë projektësh, si ky i sotmi, ku ju përfshiheni” – është shprehur Prof.asoc.Dr.Ermira Qosja, pedagoge në Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut.
Përmes këtij bashkëpunimi realizuar nga Departamenti i Menaxhim Biznesit dhe Zyrës për Projekte dhe Partneritete në UET, një hap i ri drejt ndërkombëtarizimit është ndërmarrë nga ky universitet duke krijuar lidhjet me shumë universitete prestigjoze, të cilët janë pjesë e SEC2U si: Universiteti i Kembrixh, Universiteti Nova i Lisbonës, Universiteti Dublin City, Qëndra Universitare U-Tad, Universiteti Teknik i Kartagjenës, Ravensbourne dhe Universiteti i Kantabrias, ndër të tjerë .
Ndërkohë, sipërmarrës të rinj, ish-studentë të UET-it që kanë përfituar nga mbështetja e këtij projekti dhe drejtorjnë startup-et e tyre të suksesshme ndanë me auditorin historitë e tyre.
Albi Zhulali, Pezana Rexha, Alen Saqe, Isa Fida, ishin vetëm disa nga sipërmarrësit të cilët patën mundësinë të tregonin se si kanë lindur startup-et e tyre, se si janë zhvilluar më tej, sfidat me të cilat janë përballur dhe mesazhet e tyre frymëzuese për studentët e rinj të cilët aspirojnë një karrierë në sipërmarrje. Në konferëncë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të biznesit dhe të organizatave në ndihmë të sipërmarrjeve të reja, të cilët folën për klimën e sipërmarrjeve në Shqipëri dhe dhanë ekspozuan për të rinjtë mundësitë e shumta që kanë për të nisur edhe ata iniciativat e tyre.
Tridhjetë e gjashtë universitete i janë bashkuar iniciativës nga pesëmbëdhjetë vende të ndryshme si: Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Portugalia, Izraeli, Qipro, Hollanda, Greqia, Rumania, Shqipëria, Italia, Kroacia, Gjermania, Hungaria dhe Austria. Me rreth 2000 pjesëmarrës, kjo iniciativë nxit dukshëm bashkëpunimin dhe arrin një impakt të gjerë në Europë .
Është një iniciativë e Komisionit Europian që ka për synim të krijoj një komunitet të universitetve dhe bisneseve me prespektivën e sipërmarrjes duke ndërtuar një forum të gjallë dhe bashkëpunues, me qëllim të shpërndajë dijet dhe praktikat e mira duke mbështetur zhvillimin e sipërmarrjes.