UET Press botoi në anglisht dy revistat shkencore Economicus nr. 15 dhe 16 me titujt “Tregu ndërkombëtar dhe sistemi bankar në Shqipëri” dhe “Qeverisja e mirë dhe zhvillimi”, si dhe revistën e fundit në shqip të Fakultetit Juridik, Jus&Justicia, me titullin “Koha për reforma dhe përmbysje”, e cila do të inkorporohet në revistën Polis në anglisht në vazhdimësi.
Në dekadën e parë të tranzicionit shqiptar kishte vetëm një revistë që quhej shkencore, ku pedagogët mund të botonin punimet e tyre për efekt të kualifikimeve akademike dhe të gradave shkencore.
Profesor Selami Xhepa e kujton këtë fakt gjatë promovimit të tri revistave shkencore të Universitetit Europian të Tiranës, Economicus 15 dhe 16, botime tërësisht në anglisht, dhe revistën Jus&Justicia nr.13, me artikuj shkencorë të pedagogëve të Jurisprudencës fokusuar kryesisht te Reforma në Drejtësi.
20 vite më pas kjo revistë duket si një relike e vjetër e kohës para revistave shkencore që botohen sot dhe që çdo ditë e më shumë iu afrohen standardeve ndërkombëtare duke iu drejtuar një lexuesi akademik edhe jashtë kufijve të Shqipërisë me gjuhën angleze si “lingua ranca” e akademikëve, por edhe nga parametrat e tjerë prestigjiozë të botimeve.
“Botimi që bën Universiteti Europian i Tiranës, jo vetëm ruan kredibilitetin, por edhe nga pikëpamja e përmbajtjes akademike shënojmë hapa të rinj dhe cilësorë. Botimi që kemi filluar që me konferencën shkencore të vitit të kaluar dhe botimet në vazhdimësi në gjuhën angleze, mendoj që janë një mundësi për të imponuar standardet më të larta të kërkimit shkencor”, -tha Xhepa gjatë promovimit që u mbajt në UET të premten.
Me anë të revistave shkencore periodike, tashmë të sjella vetëm në anglisht UET po synon që të shndërrohet në një qendër të debatit shkencor. Revistat janë një arenë ku kërkimi shkencor që bëhet në vend dhe ai që bëhet në botë të pasqyrohet dhe të debatohet nga profesionistët e fushës.
Dy Economicus: Dy mesazhe për shoqërinë
Dy revistat shkencore Economicus me titujt “Tregu ndërkombëtar dhe sistemi bankar në Shqipëri” dhe “Qeverisja e mirë dhe zhvillimi” , për presidentin e UET-it, prof. dr. Adrian Civici, janë dhe dy mesazhe me rëndësi. Mesazhi i parë sipas tij ka të bëjë me ndërkombëtarizimin e shkencës shqiptare, pasi botimi në anglisht ka nisur të sjellë interesimet e para ndaj këtyre revistave nga studiues të huaj dhe mesazhi i dytë ka të bëjë me temat që trajtohen në këto revista, njëra me tregjet financiare dhe tjetra me problemet e zhvillimit dhe qeverisjes, duke sjellë fjalën e akademikëve në çështje me ndjeshmëri të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Më shumë se 80% e artikujve i dedikohen problematikës shqiptare. Finalizohen me një objektiv të përhershëm që kemi pasur, kërkimi shkencor për studime shqiptare. Pra nëse duam të jemi interesantë, natyrisht mund të bëjmë dhe kërkime në një spektër shumë më të gjerë, por nëse paraqesim një studim dhe kërkim për problematikat shqiptare besoj që kjo vlen edhe për të vendosur kontakte me universitete dhe me revista të tjera, por njëkohësisht edhe për të filluar një lloj bashkëpunimi edhe më lëmin akademik dhe shkencor për sa iu përket revistave”, theksoi Civici.
Jus&Justicia, Canaj: Do të inkorporohet te Polis në anglisht
Dekania e Juridikut në UET, profesore Erjona Canaj, prezantoi numrin e 13-të dhe të fundit të revistës shkencore Jus&Justicia, që përgatitet nga stafi i fakultetit Juridik në UET. Kjo revistë është numri i fundit në shqip, pasi më tej artikujt shkencorë që i përkasin fushës së jurisprudencës do të botohen në anglisht në revistën Polis, po në UET.
“Kjo revistë është një arenë virtuale e mendimeve dhe të gjithë atyre ekspertëve, pedagogëve, profesorëve, prakticienë të së drejtës të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dhe na kanë dërguar dhe kanë besuar punimet në këtë revistë. Kuptohet që jemi në një periudhë ku koha për reforma, koha për ndryshime ka vlerën e vetë. Transformimi është pjesë e sistemit tonë, pjesë e sistemit të drejtësisë, vëmendje e posaçme i drejtohet patjetër Reformës në Drejtësi, komponentët e së cilës janë trajtuar nga ekspertë të së drejtës nga profesionistë në këto shkrime që janë prezantuar në revistën Jus & Justicia. Liritë dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë jo vetëm nga pikëpamja juridike, por edhe ato të cilat vërtet kanë një impakt në jetën sociale dhe jetën ekonomike të vendit. Kështu që në këtë drejtim revista Jus&Justicia ka publikuar artikujt të mirëfilltë shkencorë të cilët kanë rëndësinë e veçantë sidomos në këtë periudhë, ku vërtet kemi nevojë për reforma dhe përmbysje dhe nevojë për ndryshim” u shpreh Canaj gjatë promovimit.
Historiku/ Si lindën revistat në funksion të formimit shkencor
Jus&Justicia, Economicus, Polis, Sociological Analysis dhe Educatio- hapësira shkencore ku studiuesit dhe akademikët kanë mundësi përdorimi të informacioneve të rëndësishme rreth zhvillimeve të fundit në fushat e tyre.
“The Journal des scavans” (revista e dijetarëve), e themeluar nga Denis de Sallo, ishte revista e parë akademike e botuar në Europë. Numri i parë doli si një pamflet me 12 faqe, më 5 janar të vitit 1665. Vetëm pak kohë më pas do të dilte “Philosophical Transactions of the Royal Society” –(Trajtesa filozofike e Shoqërisë mbretërore), më 6 mars të vitit 1665.
Sot në botën akademike nuk mund të ketë shkencë pa revistat shkencore. Në dekadën e parë të jetës së tij UET nxiti dhe mbështeti botimin e disa revistave të tilla, ndërsa me vendimin për t’i kthyer tërësisht në anglisht të gjitha këto botime do të përmblidhen vetëm në dy revista: Economicus dhe Polis, me borde ndërkombëtare akademikësh dhe të hapura për botime të akademikëve brenda dhe jashtë vendit, duke i dhënë një tjetër dimension komunikimi shkencës, pa kufij shtetërorë.
Revistat e botuara nga viti 2006 deri në 2017 nga Universiteti Europian i Tiranës janë Jus&Justicia, Economicus, Polis, Sociological Analysis dhe Educatio. Këto revista janë në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, të studentëve, si dhe të gjithë të interesuarve në fushat e drejtësisë, ekonomisë, shkencave sociale dhe të edukimit. Krahas përkthimeve dhe literaturës studimore, pjesë e tyre janë dhe punimet shkencore të studiuesve të ndryshëm, si dhe të pedagogëve të UET-it. Spektri i revistave është nga më të pasurit për sistemin universitar në Shqipëri dhe periodikët shkencorë janë shndërruar në pikëmbështetje për prodhimin dhe publikimin e veprimtarisë kërkimore shkencore në UET.
Janë botime prestigjioze, me objekt studimi në shkencat sociale, ekonomike dhe drejtësi, që botohen dy herë në vit, nga UET Press, si organe të fakulteteve dhe qendrave kërkimore shkencore në UET. Të gjitha këto revista janë akredituar me statusin “Revista Shkencore” nga organet përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Polis
Polis është e para revistë e UET, si botim i Fakultetit të Shkencave Sociale. Ajo u drejtua në themelim të saj prej Blendi Kajsiut, për të vijuar me një seri numrash të karakterizuar nga një qasje kritike dhe analitike e thelluar, derisa kjo detyrë do t’i kalohej Odeta Barbullushit, që kontribuoi për t’i dhënë revistës një trajtë sistematike dhe tanimë Belina Budinit, që e ka orientuar revistën drejt punëve kërkimore të mirëfillta dhe analizave me impakt brenda dhe jashtë radhëve universitare. Që në numrat e parë, “Polis” ka trajtuar tema njëherësh të rëndësishme dhe provokuese, si për shembull Provincializimi i Europës dhe debati publik mbi integrimin europian; Euroskepticizmi, Norma europiane dhe opinioni lokal; Hibridizimi i hapësirës politike në Shqipëri; BE dhe rivaliteti i brendshëm politik në Europën Lindore dhe Qendrore; Demokracia nga populli dhe zgjerimi i BE-së; Shoqëria informale; Ndërkombëtarët dhe demokratizimi; Kriza e përfaqësimit; Korrupsioni në Shqipëri; Politika e jashtme e rikonceptimet për shekullin XXI; Media dhe politika; Tranzicioni dhe Shkencat Sociale; Kulturë versus Politikë etj.
Jus & Justicia
Jus & Justicia nisi botimin në vitin 2008, nën drejtimin e juristit të mirënjohur, dekanit të Fakultetit Juridik prof. dr. Ksenofon Krisafi, për të trajtuar të tjera çështje e hapur të tjera debate, që këtë herë kishin të bënin me drejtësinë. Revista u konceptua për të shërbyer si periodik në funksion të formimit shkencor e profesional të stafit akademik, studentëve, por edhe të punonjësve të praktikës, në Fakultetin Juridik të Universitetit Evropian të Tiranës dhe do të shërbente vit pas viti si një arenë e shfaqjes së mendimeve për çështje të doktrinës dhe të praktikës juridike, të së drejtës, të drejtësisë etj. Dalja e këtij botimi, ashtu si në rastin e “Economicus” do të shoqërohej me një tjetër ngjarje zhurmëmadhe, me konferencën shkencore “Drejtësia ‘90 + 17”, që do të shënohej më pas në historinë e universitetit si një ndër aktivitetet e para shkencore të fakultetit Juridik e që sot mund të konsiderohet si një nga bërthamat e të ashtuquajturës “Reformë në Drejtësi”, sepse aty u bënë shumë propozime interesante për defektet e sistemit deri në vitin 2007. Pikërisht analiza dhe përfundimet që dolën prej kësaj konference, u botuan në numrin e parë të revistës “Jus & Justicia”, ku titulli kryesor ishte “Gjyqësore ‘90+ ’17 sfidat e reformimit”.
Educatio
Në dhjetor të 2012-ës, kolanës së revistave shkencore iu shtua dhe një tjetër titull, një tjetër botim, në format ndërkombëtar, në fillim vetëm në anglisht, ndërsa një vit më pas edhe në shqip. Edhe kjo revistë do të kishte si qëllim, ashtu si simotrat e saj, ngjalljen dhe zhvillimin e debatit akademik e publik, këtë herë prej një tjetër fokusi: shkencat e edukimit dhe psikologjisë. Revista do të fillonte të nxiste debate mbi çështje të rëndësishme të shkencave të edukimit në ditët e sotme, si: metodologjia, motivimi dhe arsimimi. Revista do të nxiste dhe forume, ku do të evidentoheshin punimet shkencore të stafit akademik, të studiuesve dhe akademikëve brenda e jashtë vendit, ku do të diskutoheshin shqetësimet e përbashkëta në rrafsh lokal, kombëtar, ndërkombëtar apo transnacional në shkencat e edukimit, çka do të mundësonin botim pas botimi një burim shumë të rëndësishëm për akademikët, këshilluesit, administratorët, hartuesit e kurrikulave dhe kërkuesit shkencorë.
Sociological Analysis
Në vitin 1998, një grup akademikësh shqiptarë botuan të parën revistë sociologjike në historinë shqiptare. E quajtën “Sociological Analysis” (Analiza sociologjike) dhe kryeredaktor i saj ishte dr. Fatos Tarifa. Ajo u shtyp në Chapel Hill, Karolinë e Veriut dhe botohet në gjuhën angleze. Në vitin 2008, redaksia e revistës Sociological Analysis u shpërngul në Shqipëri duke u asociuar me Universitetin Europian të Tiranës. Sa u themelua si përgjigje e zhvillimeve në Shqipëri, në Ballkan dhe pjesën tjetër të botës në shek. XXI. U organizua si institucion eksperimental social për të nxitur të menduarit e ri, promovimin e tolerancës e për të vepruar si forum serioz për shkencëtarët e shkencave sociale- në Shqipëri dhe vende të tjera- që sillnin bashkë njohuritë teorike dhe rekomandimet praktike dhe të bënin me zë opinionet e tyre në çështje të shumta me të cilat përballej shoqëria shqiptare sot, ashtu edhe për ato të shoqërive fqinje, si edhe një komunitet më të gjerë kombesh. Një nga mendimet e stafit redaksional të SA është se, ekziston një sasi domethënëse e kërkimit me vlerë sociologjike dhe dijes së prodhuar nga shkencëtarët shqiptarë, të cilët nuk mund të arrijnë me lehtësi në revista ndërkombëtare. Një qëllim ishte të sigurohej një kanal për punë cilësore akademike të shkruar nga sociologët shqiptarë. Duke botuar punën e tyre në gjuhën angleze në SA, akademikëve shqiptarë mund t’ju njihen përpjekjet dhe arritjet ndërkombëtarisht në një mënyrë vërtet profesionale.