Studentët e Universitetit Europian të Tiranës, që kanë përfituar bursat sociale, u mblodhën dje për të krijuar rrjetin e bursistëve socialë, një rrjet komunikimi mes njëri-tjetrit dhe studentëve me universitetin.
Janë rreth 140 studentë aktualë që studiojnë me mbështetjen e këtyre bursave të studimit, të plota ose të pjesshme, ndërsa ndër vite janë rreth 10 përqind e numrit total të studentëve që përfitojnë bursa të kësaj kategorie.
Kjo bursë vjen si përgjegjësi sociale e universitetit për t’u dhënë të drejtë studimi atyre të rinjve që kanë rezultate të mira në mësime, por kanë pamundësi ekonomike për të paguar studimet.
“Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që grupe të caktuara hasin në realizimin e studimeve universitare. Kontributin tonë karshi shoqërisë mundohemi ta japim duke akorduar Bursa Sociale për shtresat në nevojë, ndonjëherë edhe në bashkëpunim me aktorë të tjerë shoqërorë dhe institucionalë”– tha rektori i universitetit Prof.Dr Tonin Gjuraj.
Gjuraj i këshilloi studentët që të përfshihen më shumë në jetën e institucionit, që të jenë sa më aktiv në jetën sociale të universitetit.
Administratori i UET-it, Henri Çili, tha se në vite universiteti ka pasur një traditë shumë të përhapur të bursave, në 10 vjet gati 2500 studentë janë mbështetur me bursë të plotë ose të pjesshme.
“Gjatë rrugës ne kemi nxjerrë disa mësime. Mësimi i parë është fakti që ndjemë kënaqësi, që aty-këtu, në mënyra të ndryshme, kontaktojmë ose përballemi me pasojat pozitive të kësaj mbështetje që kemi dhënë, ku njerëz të ndryshëm, nga shtresa të ndryshme sociale, kanë një ndryshim rrënjësor të jetës së tyre për shkak të shkollimit në UET, ose për shkak të formimit të lartë posaçërisht në UET, i cili ka qënë mundësuar nga bursat sociale. Dhe kjo është një kënaqësi shumë e madhe, të cilën ne duam ta marrim gjithnjë e më shumë, por ama duam të ndërtojmë një mekanizëm që ky sistem të jetë sa më i vlefshëm për ju, për familjet tuaja, për shoqërinë dhe sa më i vlefshëm për institucionin tonë. Mbaj mend vjet tek bursat sociale, fjalia që nisi apo përfundoi, ishte që ne jemi të gjithë të varfër, kemi qenë ose do të bëhemi një ditë. Pra, në fund të fundit, një mbështetje, në një moment të caktuar që kemi marrë diku, duhet ta kthejmë diku dhe kjo vazhdon për brezat”, u shpreh Çili.
Pedagogia e Psikologjisë, Fleura Shkëmbi në një mesazh inkurajimi për studentët tha se “ju jeni në qendër të universitetit”.
“Ju që jeni këtu, jeni këtu për një arsye, që do të thotë, do ndryshoni nga një nivel në një tjetër. Në botë nuk kanë qenë më të suksesshëm njerëzit që i kanë patur të gjitha gati. Njerëzit më të suksesshëm dhe më të motivuar në këtë botë kanë qënë njerëzit që në një moment ose në një tjetër nuk kanë pasur pjesën ekonomike, ka qënë ajo pjesa e tyre e brendshme. Ajo që dua nga ju, është që atë pjesën e diamantit që e kemi të gjithë këtu brenda, ta pastrojmë dhe ta bëjmë që të shndrijë dhe përveçse ju, askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë gjë. Ju ftoj të gjithëve që të jemi të gjithë së bashku në një rrugëtim shumë të bukur, si ajo e jetës studentore”, u shpreh Shkëmbi.
Studentët e mbështetur me bursa janë ndër studentët më aktivë në klubet studentore të ngritura në universitet dhe të pranishëm në aktivitete të ndryshme që zhvillohen brenda dhe jashtë dyerve të universitetit.
Disa studentë sollën eksperiencën e tyre personale duke theksuar se si u ka ndryshuar jeta nga kjo bursë.
Bursa sociale është një nga llojet e bursave që ofron UET, i cili mbështet dhe studentët e talentuar në fusha të ndryshme me bursën e Talentit, ata që kanë aftësi lidershipi në shoqëri me bursën e Lidershipit, studentët ekselentë me bursa ekselence dhe bursa “Pashko”, e aplikuar për herë të parë vitin që shkoi me mbështetjen jo vetëm me të drejtë studimi, por dhe me një pagesë mujore prej 25 mijë lekësh të reja në muaj për 36 muaj, për 10 studentë ekselentë në mësime, por pa mundësi ekonomike ose me një histori të dhimbshme familjare që i bën ata të pamundur të vijojnë studimet.