Tradita e rrjetit të ekselencës në Universitetin Europian të Tiranës vijon me 100 studentët më të mirë që studiojnë aktualisht në UET në Bachelor dhe Master
Një universitet nuk është i mirë se ka shumë para apo se ka pedagogët më të mirë, por se ka studentët më të mirë. Kjo moto e cila ka qenë baza e universiteteve më të mira në botë është në themel dhe të Universitetit Europian të Tiranës, i cili i ka vendosur studentët ekselentë në qendër të universitetit.
100 më të mirët e vitit akademik që sapo u përmbyll u mblodhën sot bashkë për të krijuar atë që quhet Rrjeti i Ekselencës në UET dhe që synon vendosjen e këtyre studentëve në tribunën e qeverisë studentore, klubeve studentore dhe të jetës aktive universitare.
Ata studiojnë në degë të ndryshme të UET-it në Bachelor dhe Master, por i bashkon 10-ta e mesatares së tyre akademike.
“UET synon që me ju studentët më të mirë të ngrejë dhe fokus-grupe permanente ku të diskutohen problematikat që kemi dhe perspektivat e zhvillimit të universitetit. Detyrimi ynë ndaj jush është mbështetja me anë të bursave të pjesshme dhe të plota, pasi ju jeni pasaporta e cilësisë së universitetit”- tha Henri Çili, administrator i UET-it.
Rektori Prof.dr.Tonin Gjuraj e nisi fjalën e tij duke kujtuar rastin e një prindi që e qante nga gëzimi pasi fëmija e tij ishte një student ekselent.
“Nëse ju jeni ekselentë edhe UET është ekselent. Ekselencën e këtij institucioni e vendosni ju me rezultatet tuaja”- u tha Gjuraj studentëve të pranishëm.
Kryetarja e qeveris studentore në UET, Vilma Beqaj, e cila është pjesë e këtij rrjeti e përkufizoi të qënit ekselent si një sfidë të vazhdueshme me veten.
“Të qënit ekselent nuk do të thotë të jesh më i mirë se klasa, por më i mirë se vetja. Ekselenca nuk mund të jetë vetëm për veten, por dhe për komunitetin”- tha ajo.
100 studentëve ekselentë iu shpërndanë certifikata mirënjohje nga UET për rezultatet e larta dhe për aktivizimin në jetën studentore.