Konferenca e tretë e Rrjetit të Kërkimeve për LSEE u mbajt në Shkup të enjten dhe të premten, 6-7 prill 2017, sesionet e para u mbajtën paralelisht me Konferencën e 6-të Kërkimore Vjetore të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë (NBRM). Ajo ishte organizuar në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Republikës së Maqedonisë (BPRM), Universiteti Amerikan i Shkupit (UACS), me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës (UET).
Universiteti Europian i Tiranës ishte prezent me dy pedagogë të Fakultetit Ekonomik, prof. asoc. Ermira Qosja dhe msc. Ertila Druga, doktorantja Dorina Ndoji dhe studentja e masterit shkencor Informatikë Ekonomike, Anxhela Ferhataj.
Prof. Qosja u paraqit me punimin “Impakti i aftësive menaxheriale në efektivitetin dhe eficencën e organizatave”, një rast studimi mbi organizatat shqiptare të biznesit; ndërsa pedagogia Ertila Druga fokusonte studimin e saj në një çështje shumë të mprehtë, emigrimin e mjekëve dhe infermierëve.
Konferenca ishte një event i rëndësishëm për studiuesit në rajon, ndërkohë që për pedagogët e UET-së ishte vijim i një bashkëpunimi që në ditët në vazhdim pritet të formëzohet më tej.
Qëllimi i konferencës ishte sigurimi i një forumi për prezantimin, shpërndarjen dhe diskutimin e gjetjeve më të fundit të hulumtimit mbi temat që lidhen me çështjet e kohezionit social dhe ekonomik dhe qeverisjen ekonomike në Evropën Juglindore dhe në vendet në rajonin më të gjerë të “tranzicionit”. Ishin ftuar të merrnin pjesë studiues nga të gjitha disiplinat e shkencave shoqërore, duke përfshirë politikën sociale, ekonominë politike, ekonominë, shkencën politike, administratën publike, sociologjinë dhe studimet socioligjore.
Më shumë se 45 paper-a u prezantuan në konferencë, me akademikë që vinin nga shtatë vende. Audienca përfshinte bashkëpunëtorët e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, si dhe komunitetin më të gjerë të politikave, duke rezultuar në një shkëmbim të gjallë të gjetjeve dhe ideve kërkimore nga i gjithë rajoni.