Klubi i filozofisë Betrand Russell u mblodh në Llogara për dy ditë gjatë fundjavës që shkoi. Në të u diskutua nga pedagogë të njohur dhe studiues të filozofisë mbi përpjekjet e filozofisë dhe të teologjisë për të kuptuar dhe shpjeguar ekzistencën, krijimin, Zotin, njeriun etj. Ky ishte takimi i tretë që nga viti 2015, i cili është një përpjekje e Universitetit Europian të Tiranës për të mbajtur gjallë diskutimet mbi filozofinë dhe për të rritur ndjeshmërinë e studiuesve apo studentëve për këtë lami kaq të nevojshme të dijes.
Turravrapi i të përditshmes apo harresa e madhe në të bën që filozofia të duket se ajo është një gjë e ndërlikuar dhe që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet njeriu apo shoqëria. Në të vërtetë filozofia është prej më të rëndësishmeve gjëra, pasi ajo përpiqet apo synon të shpjegojë misterin e ekzistencës dhe të realitetit.
Në qendër të saj gjendet përpjekja për të zbuluar natyrën e të vërtetës dhe të njohjes, cilat janë vlerat bazike të jetës, çfarë qëllimi ka vetë jeta etj.
Në Shqipëri bota universitare ka detyrën ta kultivojë këtë përpjekje që ka në zemër të saj filozofia, ka detyrën të ndërtojë debat, të inkurajojë diskutime dhe grupojë njerëz të cilët përmes këtyre diskutimeve ndihmojnë veten dhe të tjerët të përmirësojnë mendimin kritik, zgjerojnë pikëshikimet mbi botën dhe iu ofrojnë të tjerëve një model por edhe një mundësi.
Universiteti Europian i Tiranës për të tretin vit radhazi, me grupin e të tij të filozofisë apo me klubin Bertrad Russell siç quhet, zhvilloi në Llogora fundjavën që shkoi takimin e madh për të diskutuar për filozofinë.
Përveç pedagogëve dhe studentëve të UET-së që janë pjesë e klubit Russell, në Llogora ishin të ftuar pedagogë të njohur edhe nga universiteti shtetëror apo universitete të tjera, ishin të ftuar disa mësues të filozofisë nga katër gjimnaze të Tiranës, ishin të ftuar njerëz të njohur të botës intelektuale të vendit, si edhe disa studentë dhe gjimnazistë.
Tema e këtij viti ishte nga më tërheqëset: Mitologjia, filozofia dhe feja. Mendimi njerëzor që në krye është përpjekur të shpjegojë pse është njeriu, nga erdhi, çfarë qëllimi ka jeta, cili është morali që duhet ndjekur, çfarë vjen nga transcendenca, çfarë i takon imanencës dhe vetëm asaj etj. etj.
Në të vërtetë në Llogora e kupton se tema është ide e Henri Çilit, duke qenë se ajo përmbledh shumëçka nga diskutimet e gjata që klubi Russell ka bërë gjatë vitit çdo të mërkurë në UET dhe duke ditur interesin e madh të kësaj teme.
Dy vite më parë tema ishte e lirë, e përgjithshme, ndërsa vjet ajo kishte të bënte me dallimin mes filozofisë analitike dhe asaj kontinentale.
Profesor Gjergj Sinani mban diskutimin i pari. Ai depërton me diskutimin e tij nëpër përpjekjet e njeriut për të njohur Zotin, hyn në mijëra faqe libri të shkruar nga filozofët, shkon në sociologji, sjell aty edhe vështrimin e antropologjisë, duke dashur të japë një ide të plotë se çfarë është filozofia e fesë, si ka ecur, ç’ka sjellë.
Profesor Sinani e vlerëson aktivitetin si një përpjekje par excellence filozofike. Ai thotë se që në Greqinë e vjetër thuhej se kur qyteti apo polisi ishte i korruptuar vetëm largimi nga ai mund të bënte të mundur mendimin e kulluar.
Pedagogu Arjan Çuri solli në diskutimin e tij një vështrim mbi filozofinë e Henry Bergson-it. Çuri rravgoi përmes koncepteve që solli Bergson, leximit që i bëri Kantit, idesë së re mbi moralin që solli ai. Një vëmendje të veçantë iu kushtua duratës, intuitës, emocionit krijues, ngritjes që pëson qenia njerëzore përmes këtij emocioni. Filozofi Bergson u soll aty ngaqë tërë filozofia e tij synon të sjellë një mënyrë të të parit të gjërave që e nënkuptojnë fenë, që e kanë Zotin brenda vetes, që e kanë përmasën transcendentale shumë të rëndësishme.
Hysamedin Ferraj, gjatë ndërhyrjes së tij u përpoq të bëjë të prekshme idenë e filozofisë si përpjekje e vazhdueshme e njerëzve të cilët në një farë mënyre kërkojnë përgjigje për ekzistencën, natyrën e qenies, të Zotit etj.
Ferraj tha se njeriu është i dënuar të filozofojë, përndryshe ai është reduktuar në shumë më pak nga çfarë ai është si qenie.
Miku i klubit Russell, ish-pedagogu i filozofisë, sot diplomati Ilir Shqina në diskutimin e tij solli një këndvështrim të filozofisë paleokristiane, të mendimit të etërve të kishës në shekullin e parë, të dytë dhe të tretë në shpjegimin filozofik të teologjisë së krishterë.
Ai foli për rrënjët e këtij mendimi dhe të kësaj ngjizjeje të madhe që vazhdoi dhe vazhdon edhe sot të jetë e pranishme në teologji.
Përdorimi i filozofisë greke, i mendimit të Platonit dhe Aristotelit nga teologjia për të kuptuar Zotin ishte në qendër të diskutimit të Fitim Zekthit.
Ai tha se ekziston një disiplinë apo një degë e teologjisë, filozofia teologjike, e cila përpiqet të shpjegojë, kuptojë Zotin, qenien dhe realitetin me mjete të filozofisë, duke u mbështetur te Platoni dhe Aristoteli sidomos.
Zekthi foli për shkatërrimin e metafizikës që ndodhi në Europë pas rilindjes dhe me lindjen e iluminizmit, shkatërrim që dëmtoi rëndë edhe demonstrimin tradicional të ekzistencës së Zotit sipas arsyes platoniane apo aristoteliane. U desh ndërhyrja e Hegelit që e zhvendosi diskutimin nga terma të qenies dhe të qenies më të lartë në terma të realitetit të fundmë dhe të pafundmes që arriti të mbajë gjallë teologjinë filozofike, tha Zekthi.
Klementin Mile foli për dyshimin dhe besimin. Ai tha se besimi nuk ka kuptim pa dyshimin, madje ai që mendohet të jetë besimtari më i madh, papa, myftiu, kryerabini duhet të jenë edhe dyshuesit më të mëdhenj. Mile mori në analizë hollësisht këtë lidhje të besimit me dyshimin, duke sjellë shembuj nga tekste dhe autorë të ndryshëm.
Pedagogu Lulzim Hoxha diversifikoi diskutimet duke folur për shkrimin e vetes. Nëpërmjet një diskutimi të mprehtë ai solli terma të filozofisë së Foucault dhe të filozofëve të tjerë. Në Llogora pati edhe debate të ethshme pas diskutimeve, duke qenë se vetë tema ishte tërheqëse për debate të tilla.
Pedagogu Ferraj foli për interpretimin e teksteve fetare, të teksteve të shenjta, të cilat sjellin probleme, iu lejojnë njerëzve të kenë leximin e tyre, që po ashtu është problematik.
Ergys Mërtiri foli për kritikën racionale që iu bëhet feve duke mos zbatuar të njëjtin standard kritik për vetë pozicionin nga bëhet kjo kritikë.
Duke qenë se filozofia vitin që vjen do të futet në shkollat e mesme në Llogora kishte edhe nxënës të gjimnazeve por edhe mësues të tyre. Mësuesit u shprehën të entuziazmuar nga ideja e futjes së filozofisë në shkollë.
Për ta filozofia është e nevojshme, lënda e qytetarisë që bëhet aktualisht është shumë pak dhe nuk ndihmon në krijimin e një mënyre kritike të të menduarit te nxënësit sipas tyre.
Ajo që u tha në Llogora nuk mund të ndryshojë gjithçka, por ajo ndihmon të mbahet gjallë një diskurs, një përpjekje dhe një mundësi.