Klubi Filozofik “Bertrand Russell”, në bashkëpunim me UET do të zhvillojnë për të tretin vit radhazi “Anuaret e Filozofisë” Llogara 2017, me temë “Mitologji, teologji, filozofi”. Takimi mbahet këtë fundjavë në datat 10-12 shkurt 2017.
Feja dhe Filozofia apo feja si filozofi do të mbledhë në një diskutim në Llogara pedagogë të filozofisë, studentë dhe të apasionuar pas filozofisë. Klubi i Filozofisë “Berndard Russell” organizon për të tretin vit radhazi “Anuaret e Filozofisë” dhe këtë vit tema është sfiduese për të pranishmit. Duke vendosur temën “Teologji, mitologji, filozofi”, klubi tenton që të hedhë një vështrim mbi të gjithë historinë e mendimit njerëzor që përmblidhet në këta tre hapa. Fillimin me mitologjinë, kalimi në teologji dhe përmbushjen në racionalitetin e filozofisë, thotë dr. Arjan Çuri, pedagog i Sociologjisë së Religjionit në UET. “Kjo temë lidhet me faktin e të gjithë linjës historike të mendimit njerëzor, që nis nga mitologjia me Platonin, kalon në teologji me filozofë të mëdhenj të mesjetës si Tomas Akuini ose Shën Agustini dhe pastaj mbaron me percepsionet filozofike të asaj kontinentale dhe analitike me kulm sipas meje Kantin” – shprehet ai.
Sipas Çurit, filozofia me fenë lidhet pazgjidhshmërisht sepse filozofia është një lloj shkence e cila merr në studim çdo gjë dhe në fokusin e saj universal feja nuk mund të bënte përjashtim. “Ajo disiplinë e filozofisë që quhet filozofia e fesë nuk është asgjë tjetër veçse studimi filozofik i kuptimit dhe natyrës së fesë. Kjo përfshin analizën e koncepteve religjioze të besimeve të ndryshme, të termave, të argumenteve, madje edhe të praktikave fetare. Qëllimi i filozofisë së fesë është që të studiojë nëse religjioni, është limituar thjesht në disiplinat e tij teistike apo ka kapërcyer vetveten duke i dhënë kontribut edhe filozofisë së traditës së mendimit njerëzor” – thekson ai.
Lidhja e filozofisë me mitin dhe fenë
Për organizatorin e këtij klubi, pedagogun e Sociologjisë, Klementin Mile, takimi i këtij viti vjen me një risi për temën që diskuton. “Është një temë e cila që në pamje të parë duket e gjerë, pasi përfshin jo vetëm filozofinë por edhe dy fusha të tjera që janë mitologjia dhe teologjia. Do shihet se si ndërlidhen këto fusha me njëra-tjetrën. Një lloj shpjegimi për këtë temë është se si mund të bëhet një interpretim filozofik i miteve ose se si këto mite i kanë trajtuar çështjet teologjike, të zotit, të jetës pas vdekjes ose të pavdekësisë së shpirtit. Ose një tjetër prerje e kësaj tematike të gjerë është se si lidhen bashkë teologjia me filozofinë” – thotë ai. Sipas Miles gjatë diskutimit dyditor pritet që të ketë dhe nga referuesit kontribute me natyrë historike si për shembull datimi i momenteve të rëndësishme të kontaktit ndërmjet këtyre tre fushave etj.
Arsyeja pse kemi zgjedhur këtë temë është se klasikja mbetet e rëndësishme – shton Mile. Sipas tij Filozofia klasike filloi me mite, si filozofia e lashtë greke. “Mitet ishin një nga ato burimet e rëndësishme për të furnizuar mendimet filozofike. Të kthehesh te mitet do të thotë të kthehesh te filozofia e lashtë greke. Duke u kthyer aty ne gjejmë zanafillën e mendimit filozofik dhe përveç kësaj përfshijmë dhe periudhën e kristianizmit. Pasi flitet për teologjinë në këtë sens shohim se si njihet, furnizojmë dhe mendimin teologjik, mendimin për zotin dhe shpirtin”.
Nga ana tjetër pedagogu Çuri jep një përkufizim të filozofisë së fesë dhe ndarjes së saj. “Filozofia e fesë ndahet në dy degë kryesore. Në atë të filozofisë së fesë perëndimore ose e quajtur ndryshe dhe si filozofia mesjetare ose filozofia kristiane, që studion mendimin e etërve të kishës perëndimore. Dhe të filozofisë lindore ose e quajtur ndryshe filozofia bizantine që studion gjithë etërit, mendimtarët dhe filozofët e perandorisë bizantine”.
Universiteti Europian i Tiranës ka synim të hapë degën e studimeve filozofike dhe lënda Filozofia e fesë do të jetë një nga lëndët kryesore të kurrikulave të kësaj dege, bën të ditur Çuri.
Anuaret e Filozofisë, një traditë e Klubit të Filozofisë “Bernard Russell”
Klubi i Filozofisë Russel mblidhet çdo të mërkurë në UET me diskutime të veprave apo tezave të filozofëve që kanë pasur ndikim në të gjitha kohërat. Këtij klubi i janë bashkangjitur miq të filozofisë nga jashtë UET, si profesorët Ilir Shqina dhe Hysamedin Ferraj etj. Një herë në vit Klubi organizon “Anuaret e Filozofisë” në Llogara, Vlorë, ku marrin pjesë personazhe të jetës publike, dashamirës dhe studiues të Filozofisë.
Të apasionuarit pas filozofisë kanë një mundësi për të debatuar dhe për të ndarë idetë e tyre mbi filozofinë, rëndësinë dhe rolin e saj në qytet, gjatë aktivitetit “Anuarët e Filozofisë”, i cili është kthyer tashmë në një traditë. Vitin e parë të këtij forumi, në fund të takimit 3-ditor, u hartua një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera publike, ku kërkohej rikthimi i Filozofisë në shkollat e mesme, si dhe nxitja e mbështetja e degës së Filozofisë nëpër universitete. Ndërsa vitin e dytë tema ishte “Filozofia analitike dhe filozofia kontinentale”, ku morën pjesë studiues, praktikues të filozofisë, pedagogë dhe studentë. Ky klub ka marrë emrin e Bertrand Russell-it, i cili është simboli i Filozofisë Analitike. Ideja ka qenë prej disa vitesh mes kolegëve pedagogë në UET dhe më vonë është shtrirë jashtë mureve të këtij universiteti, duke ftuar studiues dhe praktikues të filozofisë që kanë gjetur një vend për të diskutuar e debatuar mbi idetë filozofike në këtë klub.
Me iniciativë të këtij Klubi, në 2015-n u soll në shqip libri i Bertrand Russell, “Një përvijim i filozofisë”, me përkthim të Daut Gumenit dhe parathënie të Spartak Ngjelës.