Romario Brari, Agustin Luli, Endri Muaj, Berlin Jusufi studiojnë në Komunikim-Design në UET ose janë diplomuar në këtë degë. Të katërt djemtë i lidh profesori i tyre, Shpend Bengu, i cili ka zbuluar tek ta talente të fshehura për fotografinë, regjinë apo grafikën. Klasa e tyre është studioja e tyre, ndërsa lëndët janë projektet e reja që krijojnë çdo ditë nga grafika te regjia.
Salla Aula Magna 2 në godinën e Universitetit Europian të Tiranës ishte gati një magazinë në pritje për t’u rikonstruktuar si sallë leksionesh. Por, fati duket se kishte përgatitur diçka më të mirë për të; shndërrimin në një studio të vërtetë arti. Një pjesë e saj është kthyer në një studio virtuale me metodën shumë të famshme sot në botë chroma key, pjesa tjetër është një hapësirë ku studentët ushtrojnë talentet e tyre në punime grafike, regjie, fotografike, punime me dru etj.
Ndryshimi erdhi pas mbërritjes së profesorit Shpend Bengu si pedagog i Grafikës Artistike dhe Multimedias. Një artist i njohur dhe pas një përvoje të gjatë dhe në Akademinë e Arteve dr. Bengu nisi të zbulonte talentet brenda grupit të studentëve të kësaj dege, që vetëm vitet e fundit ka nisur të preferohet shumë ndër të rinjtë. Disa prej studentëve tashmë ai i konsideron si bashkëpunëtorë të tij. Ata janë Romario Brari, Agustin Luli dhe Endri Muaj, të cilët vazhdojnë studimet në UET dhe i sapodiplomuari Berlin Jusufi, i cili dhe pse ka hapur tashmë studion e tij, rikthehet në universitetin ku ka studiuar për t’iu bashkangjitur ekipit kur kanë projekte të rëndësishme. Të katërt ishin pjesë e ekspozitës së grafistëve shqiptarë dhe kanë në duar ide e projekte të reja impenjative.
Në një intervistë për gazetën MAPO, djemtë rrëfejnë një ditë normale të tyren me profesorin si dhe ato çfarë kanë mësuar deri më tani nga punët e shumta që kanë bërë. Një rrëfim ky i pazakontë, por vihet re se vlerësimi i tyre për profesorin është mjaft i lartë. Shprehja “Çdo ditë me profesorin mësojmë diçka të re”, është një lloj frymëzimi për djemtë që gjenden pranë profesorit.
Agustin Luli, arti në gjurmët e të parëve
Djaloshi fjalëpak nga Mirdita, Agustin Luli, si shumë të rinj të sotëm nuk e kishte të qartë se për çfarë donte të studionte dhe çfarë profesioni do të zgjidhte për jetën e tij. Por njohja me Shpend Bengun do t’i ndryshonte jetën. Me një pyetje të thjeshtë; çfarë kanë bërë babai e gjyshi yt të bërë nga Bengu, Agustini kuptoi se s’kishte pse të kërkonte diku tjetër, por mjafton të zbulonte talentin e trashëguar nga gjyshi e babai për punimet me dru. Pas realizimit të një projekti që u vlerësua shumë duke ndjekur grafikën e punimeve me dru të zonës së tij të lindjes, ai ka vendosur të vazhdojë studimet e specializuara për Design edhe pse sapo është diplomuar në degën Marrëdhënie Publike-Komunikim.
Për të dita me profesorin është e mbushur me biseda pafund për problemet që kanë të bëjnë me teknikat e gdhendjes së grafikës artistike, si dhe çështjet e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Kjo vjen edhe për shkak se Agustini, prej gati një viti bën pjesë në projektin “Muzeu Virtual i Memories dhe Trashëgimisë JoMateriale UET”. Ai duhet të jetë vazhdimisht i informuar mbi këtë temë. “Në këtë projekt unë luaj rolin e STAKEHOLDERS, në zonën ku banoj. Këtu përfshihet: Laçi, Mamurrasi dhe vendi im i origjinës Mirdita”, shprehet Agustini. Detyra e tij më e madhe është të mbledhë sa më shumë elemente të memories kolektive dhe elemente të trashëgimisë jomateriale, nëpërmjet teknologjisë digjitale që ai disponon. Puna për të ka filluar, pasi ai e ka bërë tashmë regjistrimin dhe memorizimin e trashëgimisë jomateriale dhe kulturore të familjes së tij, nga e cila ka trashëguar dhe teknikën e veçantë të gdhendjes së drurit të Mirditës. “E gjithë veprimtaria e familjes time është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, rrëfen ai.
“MIRDITA – UET” është projekti për ruajtjen dhe zhvillimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Mirditës, projekt të cilin Agustini e ka punuar me shumë dashuri. Sigurisht që ndihma e profesor Bengut për këtë realizim ishte e pakufizuar. “Profesori më këshillon për çdo detaj të rëndësishëm në lidhje me projektet dhe punët që ne realizojmë. Ai është frymëzimi që na shtyn të ecim çdo ditë përpara”, tregon Agustini. Për të vlen shprehja “Çdo ditë me profesorin mësojmë diçka të re.”
Duke qenë i parezervuar në këtë rrëfim, Agustini nuk harron të tregojë se cila ishte pikënisja e ëndrrave të tij. “Ëndrrat filluan në panairin Klik Expo Group, ku bashkë me kolegët e mi, sigurisht nën drejtimin e profesor Bengut realizuam fazën e parë të një projekti. Projekti kishte të bënte me rivitalizimin e teknikës së gdhendjes së drurit tipik Mirditor në këndvështrimin e dizajnit modern, punë e cila tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve. Qëllimi im është të njoh sa më shumë teknika të gdhendjes, në grafikën artistike si dhe elementet e pafundme të dizajnit. Ëndrra ime është që këto teknika si dhe elementet e trashëgimisë kulturore shqiptare, të njihen dhe të zhvillohen sa më shumë nga studentë të tjerë në UET dhe më gjerë”, shprehet Agustini, duke mbyllur kështu rrëfimin e tij për MAPO-n.
Romario Brari, studioja grafike si magnet
Romarjo Brari është diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës në degën Komunikim Dizajn. Aktualisht punon me kompani të ndryshme në fushën e dizajnit dhe spoteve publicitare, kështu që koha e tij është paksa e kufizuar dhe e privon që të ndjekë studimet Master. Megjithatë Romarjo rrëfen se është në planet e tij vazhdimi i studimeve master në fushën e multimedias dhe dizajnit.
Mëngjesi e gjen gjithmonë në UET bashkë me kolegët e tij. “Profesorin e gjejmë gjithmonë aty duke na pritur. Ditën e nisim me diskutimin e projekteve që kemi në zhvillim e sipër, shohim se ku kemi arritur dhe më pas merremi me projektet deri në orët e vona”, shprehet Romarjo.
Projektet që zhvillojnë djemtë me profesorin janë të shumta. Mund të përmendim këtu projektin ACP (Albanian Cinema Project), i cili u zhvillua në arkivin e filmit. Në këtë projekt u ndoq një kurs intensiv rreth digjitalizimit dhe ruajtjes së filmit, në të cilën dhanë leksione ekspertë nga e gjithë bota. Profesor Shpend Bengu ishte i vetmi ekspert nga trojet shqipfolëse. Në këtë projekt Romarjo dhe kolegu i tij Endri morën certifikatë për ndjekjen e kursit, por gjithashtu realizuan një dokumentar me ekspertët që merrnin pjesë në projekt. “Ky ishte një nga projektet më të mëdha të studios multimedia UET deri më tani”, tregon Romarjo.
Ai na flet më shumë rreth projekteve aktuale, të cilat po i zhvillon me profesorin dhe kolegët e tij. Në morinë e projekteve të cilat do të realizohen, përmendim këtu “Projektin e Muzeut të Memories dhe trashëgimisë jomateriale shqiptare UET”. Detyra e djemve është përgatitja e materialeve audiovizive.
Nuk mund të mungonte një projekt me “Chroma key”, pasi studio vizuale e UET-it është më se e përshtatshme për realizimin e projekteve të standardeve më të larta, ashtu siç janë të denja për djemtë e UET-it. Dokumentari që do të realizohet me “Chroma key” flet për historinë e krijuesit të xhandarmërisë shqiptare Jocelyn Percy. Në këtë dokumentar flet nipi i tij, i cili ishte së fundmi në Shqipëri ku ndoqi të gjithë hapat e gjyshit të tij. Ai flet për historikun dhe aventurat e tij gjatë këtij rrugëtimi. Dokumentari është zhvilluar në bashkëpunim me gazetarin dhe studiuesin anglez Neil Rees. Është e pamundur ta shohim dokumentarin duke qenë se është akoma në punim e sipër dhe sapo të përfundojë do të lançohet në Facebook te faqja e Studios Multimedia UET.
Profesor Bengu iu është gjendur pranë djemve nga fillimi dhe po i ndihmon çdo ditë e më shumë, me këshilla dhe çdo gjë rreth punës që ata duhet të bëjnë. “Profesori na ka mësuar gjithçka që ka të bëjë me rregullat e punës nga A-ZH. Ai na ka mësuar çdo gjë rreth multimedias, pavarësisht se me të çdo ditë është një mësim i ri. Ai është regjisori ynë dhe pa të asgjë nuk do të ishte e mundur”, vazhdon më tej Romarjo.
Por profesori- thotë ai – beson në aftësitë tona. “Të jemi të qartë, profesori nuk na kufizuar në atë çka mund të mësojmë, ai na tregon gjithçka që di, pastaj është në dorën tonë se sa mund të marrim nga ato që thotë ai”. “Frymëzimi është ai që na shtyn përpara, dhe na mban çdo ditë pa orar. E gjithë puna jonë vjen si shkak i pasionit për atë që bëjmë. Për këtë duhet të falënderoj profesor Shpendin sepse ai ma ushqeu këtë pasion dhe më shtyn të eci përpara”, kështu e mbyll rrëfimin e tij Romarjo.
Endri Muaj: Arti grafik, çdo ditë nga një gjë e re
Endri Muaj është diplomuar në UET, në degën Komunikim Dizajn. Duke qenë në pritje të vazhdimit të Masterit, ai nuk humbet kohën por është i zënë me projektet e shumta që bën bashkë me kolegët e tij dhe profesor Bengun.
Endri ka realizuar një mori projektesh me profesorin dhe është në realizim e sipër të akoma dhe më shumë projekteve. Endri dhe Romarjo janë si “binjakët e pandarë”, të cilët punojnë së bashku në çdo projekt. Në çdo aktivitet, si tek ACP, Projekti i Muzeut të Memories dhe trashëgimisë jomateriale shqiptare UET, po ashtu dhe te projekti i ardhshëm me “Chroma Key”, ata kanë punuar së bashku si një skuadër e fortë me në krye sigurisht udhëheqësin e tyre, profesorin Shpend Bengu.
Për të dita me profesorin nis me analizën e ditës paraardhëse dhe me plane për ditën aktuale. “Pas një ‘Mirëmëngjesi’, të shkëmbyer mes nesh, ai na frymëzon me ide të reja për ditën që vjen”, rrëfen Endri.
Njësoj si kolegët e tij nuk harron të përmendë faktin se është profesor Bengu ai që e ka shtyrë në drejtimin që ka marrë duke u përmirësuar çdo ditë e më shumë.
“Unë kam një shprehjen time ‘Çdo ditë nga një gjë të re’, pasi çdo ditë ne mësojmë diçka të re nga profesori”, thotë Endri.
Si një djalë i rezervuar që është, Endri nuk dëshiron të flasë për ëndrrat e tij. Gjithsesi, ai nuk nguron të thotë se qëndrimi me profesorin e inspiron dhe i jep kurajën që i nevojitet për të bërë të mundur realizimin e ëndrrave të tij.
“Profesor Shpendi na frymëzon për të ecur përpara, pasi ai është i pakufizuar në atë çfarë na jep neve”, shprehet Endri.