Analiza: Tregu i punës kërkon profesionistë që të jenë “mjeshtër” në çdo profesion, duke nxitur kështu konkurrencën
Nga dr. Orkida Ilollari*
“E ardhmja e një kombi është arsimi, dhe arsimimi është çelësi i ekonomisë”. Adam Smith në shekullin XVIII dhe Alfred Marshall në shekullin XIX, dy figura të rëndësishme në fushën e ekonomisë kanë parashtruar pyetjen se si investimi individual në arsimim ndikon në pasurinë e kombeve. Që në kohën e revolucioneve industriale të shekujve XVIII-XIX u dëshmua se zhvillimi i çdo vendi është vepër e “njohurive shkencore” më shumë se sa thjesht “e bollëkut të burimeve natyrore”. Eksperienca ndërkombëtare dëshmon se jo çdo investim në sektorin e arsimit dhe edukimit përkthehet automatikisht zhvillim ekonomik. Sipas UNESCOS-s “plani i zhvillimit perspektiv të çdo sistemi arsimor është koordinimi dhe kombinimi i tij me planin e zhvillimit perspektiv ekonomik të çdo vendi…se vendimmarrja në fushën e arsimit nuk mund të jetë pronë vetëm e eksperteve të edukimit, por në mënyrë të veçantë edhe e ekspertëve të ekonomisë dhe zhvillimit”.
Tregu i punës kërkon profesionistë
Raporti mes rritjes ekonomike dhe edukimit ka qenë një ndër damarët kryesorë të analizave të mëhershme ekonomike. Arsimi dhe aftësimi profesional luan një rol qendror për një ekonomi të përgjegjshme ekonomike. Në një shoqëri kapitaliste ku peshën kryesore e ka tregu i lirë, edhe universitetet po tentojnë të operojnë sipas rregullave të tij, por natyrisht duke i rezistuar perceptimit se “universiteti nuk është ndërmarrje dhe dija nuk është mall”.
Cilësia e universiteteve dhe kërkimit shkencor në raport me zhvillimin ekonomik e social të një vendi konsiderohen të barabarta me efektet që japin teknologjitë moderne dhe format e avancuara të drejtimit e menaxhimit. Vendet e zhvilluara, por edhe ato në zhvillim, një nga indikatorët bazë të suksesit kanë performancën e sistemit të tyre universitar dhe kërkimit shkencor, rolin dhe cilësinë e kapitalit human që “prodhojnë”, udhëhiqen nga filozofia se “universitetet duhet të prodhojnë mendje cilësore dhe jo thjesht koka të mbushura me dije dhe njohuri, duke i dhënë përparësi kreativitetit individual e kolektiv në dobi të zhvillimit.
Në ditët e sotme kërkesat e tregut për ata që kërkojnë një vend pune në profesionin e tyre apo krijimin e mundësive për t’u vetëpunësuar sa vijnë dhe sofistikohen. Përfundimi i studimeve të larta nuk është më mbyllja e kapitullit drejt marrjes së një profesioni, e aq më tepër nisja e karrierës së dëshiruar. Tregu i punës kërkon profesionistë që të jenë “mjeshtër” në çdo profesion, duke nxitur kështu konkurrencën. Është kjo arsyeja që na bën që ne të thellohemi në njohuritë dhe të pajisemi me aftësi profesionale duke u orientuar kështu drejt diplomës Master sipas një programi që përputhet me kërkesat e profesionit dhe punës që kërkojmë të ushtrojmë.
Pse Master?
Shumë njerëz sot iu drejtohen programeve Master për të profilizuar nga njëra anë profesionin e tyre, por nga ana tjetër edhe duke u orientuar drejt një specializimi tjetër ose sipërmarrjeje të re që pak lidhet me arsimimin universitar të përfunduar, por e ndihmon individin të hapë një mundësi të re punësimi për veten. Prej vitesh universitetet më të shquara në botë janë orientuar drejt krijimit të programeve të veçanta Master, duke u bazuar në studime të veçanta dhe të thelluara të tregut të punës.
Në Shqipëri, pranë Universitetit Europian të Tiranës programet Master ofrohen sipas specifikave dhe kërkesave të tregut duke iu krijuar kështu studentëve mundësi reale punësimi apo edhe vetëpunësimi. Diploma Master është një tjetër hap nga diploma e Bachelor që, ndryshe nga doktoratura, është i përshtatur në mënyrë specifike me aktivitete të veçanta profesionale. Marrja e një titulli “mjeshtër” është një bagazh i njohjeve dhe kompetencave, që pasurojnë njohuritë, aftësitë rrisin dhe zgjerojnë idetë dhe energjitë ndërsa krijojnë një profil të besueshëm profesional. Një diplomë Master e integruar në tregun e punës është pikërisht evidentim i një universiteti cilësor. Një diplomë cilësore është pikërisht ajo çfarë edhe paraqesin të diplomuarit në tregun e punës, si dhe nga ecuria në karrierën e tyre. Studenti duhet të ketë hapësirën maksimale për t’u bërë “aktor i formimit të vet profesional” për t’u bërë “aktor i formimit të vet profesional”, duke i ofruar një mjedis pedagogjik e shkencor sa më fleksibël.
Për t’iu bërë ballë nevojave publike, universitetet duhet të ndryshojnë logjikën dhe filozofinë e funksionimit të tyre: ato duhet të kalojnë në një logjikë të re, e cila integron gjerësisht kërkesën e shoqërisë dhe biznesit për produktet universitare. Roli i ri i universiteteve sot është të përgatisë studentë në përputhje me kërkesat specifike të tregjeve të punës dhe profesioneve të kërkuara në mënyrë që të punësohen shpejt dhe ta “shesin” sa më shtrenjtë diplomën e tyre, duke u punësuar me rroga të larta dhe të sigurta.
Pra, roli sot i universiteteve si private ashtu edhe publike është prodhimi i “dijeve të tregtueshme, të shitshme në funksion të ekonomisë, financave e zhvillimit” dhe jo thjesht “dijeve akademike”, si dhe zotërimi i një diplome prestigjioze përbën ofrimin e një shërbimi cilësor afatgjatë e të qëndrueshëm për zotëruesin e saj.
Lidhja me biznesin
Universiteti Europian i Tiranës ofron rreth 24 programe Master Profesional dhe Master i Shkencave, pothuajse në të gjithat fushat e studimit që tregu mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar kërkon. Këto programe studimi përfshijnë njohuri teorike dhe praktike për të inkurajuar të menduarin kritik dhe kreativ të studentëve në fushat e interesit profesional e shkencor të tyre.
UET në vazhdën e projektit 250+ lançuar në tetor të vitit të kaluar është në kontakt të vazhdueshëm me biznesin, institucionet financiare, si dhe bën takime periodike për të kuptuar dhe marrë nga biznesi kërkesat e tyre rreth çfarë ata kërkojnë sot nga akademia. Takimet tona kanë vijuar me Birrën Stela, Bankën Raiffeisen, Shoqatën e Bankave, Dhomën e tregtisë dhe industrisë, Shoqatën e Eksportuesve Agroushqimore, Bankën Intesa Sanpaolo etj. Gjithashtu bordet e tregut të punës janë një tjetër ndihmë për trupën tonë akademike pasi takimet periodike me to janë tepër efektive për t’i shprehur dhe pasqyruar më pas në programet dhe syllabuset tona. Ndërsa me anë të shoqatës Alumni ne arrijmë të ndjekim punësimin, suksesin në karrierën e tyre për të kuptuar e analizuar dhe rëndësinë dhe cilësinë dhe ecurinë e diplomave tona.
*Drejtore e Programeve Master në Universitetin Europian të Tiranës