Pas daljes së rezultateve të studimit të PISA-s, mediat ndërkombëtare ndezën një debat të madh. Në Shqipëri të dhënat u debatuan vetëm në rrafshin politik, me akuza dhe lëvdata. Por në Perëndim, një shqetësim i madh janë ata që njihen si prindërit-helikopterë. Revista Spiegel shkruan vazhdimisht për këta prindër, që kujdesen me tepri ndaj fëmijëve. Britanikët thonë se po rrisim një gjeneratë ‘lule mos më prek’. Sipas Spiegel, nëse pyet një mësues në Gjermani se cili është stresi i tij më i madh, nuk do thotë nxënësit, por prindërit. Më poshtë gjeni një koleksion me thënie të prindërve-helikopter:
-Mamaja i shkruan mësueses: “Të premten do të udhëtojmë për në det, prandaj ju informojmë se binjakët tanë nuk do vijnë në shkollë. Vajza jonë e vogël duhet të flejë në makinë dhe ne duam ta shijojmë ditën e parë të pushimeve. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse nisemi në kohë që fëmijët ta bëjnë gjumin e drekës në makinë”.
-Një mësuese tregon: “Prindërit më dërguan një letër ku shkruhej “në rast se temperatura është nën 18.5 gradë, duhet të veshë pulovrën, në rast se temperatura shkon mbi 22.5 gradë, duhet t’i vësh kapelen. Gjithmonë matjet e temperaturës duhet t’i bësh në hije”.”
-Mamaja i shkruan mësueses: “Vajza ime nuk mund të vijë në shkollë. Ajo nuk ka fjetur gjysmën e natës. Nuk e di përse, por ajo nuk mund të vijë në shkollë. Me shumë gjasë do flinte në klasë”.
-Një edukatore tregon: “Një mama më tha që sa herë vajza e saj të dalë për të lozur në oborr, duhet të mbajë biberonin në gojë, në mënyrë që të mos i futen bletët në gojë”.
-Një mësuese tregon: “Kishim një djalë, i cili ofendonte këdo, të rritur, fëmijë, madje edhe prindërit. Sipas prindërve, ai nuk duhet t’i bindet askujt, pasi do bëhet lider në të ardhmen”.
-Një pedagog rrëfen: “Në fillim të kursit tim, një student më kërkoi që t’ia dërgoja babait të tij të gjithë datat e provimeve, pasi i duheshin për të planifikuar pushimet për ski. Babai ishte në CC në email”.
-Një baba telefonon në universitet: “Djali im studion në universitetin tuaj. Nuk di më shumë se kaq. Ai më thotë gjithmonë se nuk duhet të vijë në leksion, pasi ka pushimet e semestrit. Por më thoni ju, a është në rregull kjo punë?”