Ada Xama dhe Ferdesa Kupa, dy studente të UET që kanë përfituar bursa shkollimi në Europë, rrëfejnë rëndësinë e gjuhës angleze në rrugëtimin e tyre akademik
Studentët e sotëm e dinë sa e rëndësishme është anglishtja për të ardhmen e tyre, për shkollimin dhe karrierën. Në një botë ku studenti ka mundësi të lëvizë e studiojë në vende të ndryshme, në bazë të bursave të ndryshme, por kryesisht programit Erasmus+, të rinjtë e kanë kthyer anglishten si gjuhën e tyre parësore të komunikimit. Më poshtë sjellim rrëfimet e dy studenteve të Universitetit Europian të Tiranës, të cilat po studiojnë aktualisht në dy universitete prestigjioze në Europë. Sa ndikoi njohja e mirë e anglishtes prej tyre për të mundësuar këto shkolla dhe si i ka ndihmuar për të komunikuar jashtë, flasin Ada Xama dhe Ferdesa Kupa.
Ada Xama është studente në vitin e tretë bachelor. Ajo studion në Universitetin Europian të Tiranës për degën Informatikë ekonomike. Aktualisht Ada ndodhet në Suedi, ku po studion për një semestër në Universitetin e Stokholmit. Pasi fitoi një program shkëmbimi ajo nuk hezitoi për asnjë minutë ta shfrytëzonte këtë mundësi. Duke qenë se Ada ndodhet jashtë Shqipërisë, asaj do t’i duhet të komunikojë në anglisht. Gjuha e huaj tregon Ada përveç se të jep njohuri dhe kulturë, është e domosdoshme dhe për komunikimin në shtete të ndryshme. Aplikimi në universitetin suedez kishte si kriter njohuritë në gjuhën angleze, të shoqëruar bashkë me një vërtetim të këtyre njohurive. “Për shkollimin aktual dhe të mëtejshëm personalisht kam dhënë provimin e IELTS, në përputhje me ato që unë kërkoj”. Kontaktin e parë me gjuhën angleze Ada e ka patur që në shkollën fillore, ku pothuajse të gjitha lëndët i zhvillonte në këtë gjuhë. Për Adën, gjuha angleze në ditët e sotme ka një rëndësi të madhe, prandaj dhe aplikimet për shkollë apo punë kërkojnë patjetër nivele të caktuara njohurish të kësaj gjuhe. “Me kalimin e kohës, në çdo aplikim për shkollë apo për trajnime të ndryshme jashtë shtetit, kam kuptuar se gjuha ndërkombëtare është pasuri për t’u zhvilluar individualisht dhe profesionalisht. Kërkesat tona shtohen dita-ditës dhe është e dukshme që ndërkombëtarizimi është fenomen i rëndësishëm për të gjitha shtetet”. Rëndësinë më të madhe të kësaj gjuhe Ada e kuptoi në momentin kur shkoi në Suedi dhe duhet të komunikonte me njerëzit atje. “Që ditën e parë që nuk isha në vendin tim, kam kuptuar se edhe në gjërat më minimale nuk mund t’ia kisha dalë pa njohuritë në anglisht. Mund të shkoja kudo, të përballesha me njerëz nga çdo shtet dhe anglishtja më ndihmonte të komunikoja me ta. Gjuha e huaj është dritë për mendjen dhe jetën tonë”.
Ferdesa Kupa është studente në vitin e tretë, në degën Financë Bankë. Në kuadër të programit Erasmus+ ajo është transferuar në Universitetin Nova de Lisboa, për të kryer një semestër studimi. Për shkak të studimeve të saj, Ferdesa duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me studentët e tjerë në Lisbonë. “E vetmja zgjidhje është njohja e një gjuhe të përbashkët, njohja e gjuhës angleze, si e vetmja me anë të së cilës, njerëz me kultura plotësisht të ndryshme gjejnë rrugën e një komunikimi të përbashkët”. Në pikëpamjen e saj gjuha angleze ka një rëndësi tepër të madhe, sidomos në fazat e ndërtimit të karrierës. “Deri në këtë pikë, anglishtja më ka ndihmuar për të qenë pjesë dhe për të përfunduar me sukses dy eksperienca shumë të rëndësishme për fazën në të cilën ndodhem. Mendoj se në mungesë të njohurive të kësaj gjuhe, nuk do të kisha asnjërën nga këto dy mundësi dhe shumë të tjera në vazhdim. Me një siguri të plotë, e shoh gjuhën angleze si një aftësi e cila do të më ndihmojë në të ardhmen për të fituar mundësi shumë pozitive në karrierën që aspiroj”. Ferdesa tregon se puna të krijon mundësinë për të komunikuar me njerëz të prejardhjeve të ndryshme, duke e bërë kështu anglishten fondamentale në të ardhmen. Për sa i përket eksperiencës së saj në Lisbonë ajo e përshkruan kështu: “U qasa drejt kësaj eksperience me këtë qëndrim dhe tashmë gati në përfundim të saj, mendoj se gjuha angleze ka qenë një nga elementet më esenciale në mbarëvajtjen e studimeve dhe të çdo aspekti tjetër jetësor në këtë qytet”.
Përgatiti: Eva Drita