Studim mbi mënyrën e organizimit të mësuesve në shkollat publike të sistemit arsimor parauniversitar
Nga Valbona Nathanaili
Studimet në fushën e marrëdhënieve formale dhe informale që krijohen në një organizatë në përgjithësi dhe, në një shkollë në veçanti, si dhe në vlerësimin e rëndësisë që kanë ato në rritjen a reduktimin e performancës kanë marrë rëndësi relativisht të ndjeshme në fundin e viteve 2000. Por ndërsa organizatat, kryesisht ato të lidhura me biznesin, kanë investuar në njohjen dhe studimin e këtyre marrëdhënieve, në fushën e edukimit ka ende shumë për të bërë.
Një nga mënyrat për të vlerësuar marrëdhëniet që krijohen në shkolla është studimi i rrjeteve sociale që krijohen në to. Fillimisht duhet të qartësojmë se me rrjet social do të kuptojmë bashkësinë e nyjeve dhe të lidhjeve që krijohen brenda shkollës, ku nyjet janë mësuesit, drejtuesit, prindërit, nxënësit, pushteti vendor a qendror etj., pra çdo aktor, në gjendje të vendosë një marrëdhënie të veçantë me një aktor tjetër, ndërsa lidhjet janë llojet e marrëdhënieve të veçanta që formohen ndërmjet nyjeve të mësipërme, si për shembull, marrëdhënie miqësore a armiqësore, emocionale a profesionale, shkëmbime a konflikte, komunikime a aleanca etj. Secila nga këto lloj lidhjeje ose marrëdhënieje mund të emërtohet si një rrjet i caktuar social.
Individët bëhen pjesë e një rrjeti social për arsye nga më të ndryshmet, por më e rëndësishmja mund të jetë synimi për të vendosur “balancë” ndërmjet vetes dhe të tjerëve me përpjekjet më të vogla të mundshme. Por historia nuk mbaron këtu. Sado e thjeshtë apo e vështirë mund të jetë për një individ zgjedhja e rrjetit social në të cilën, qëndrimi i mëtejshëm në të kërkon “investim”, mendor e fizik. Në rastin e shkollave, përfshirja e një mësuesi në një rrjet social të caktuar shoqërohet me tendencën për formatimin e sjelljes me atë kolegëve të të njëjtit rrjet, ose të ushtrimit të trysnisë mbi ta, për shembull në lidhje me politikat e shkollës, qëndrimin që duhet mbajtur ndaj drejtuesit, kalimit ose jo të një nxënësi, pranimit ose jo të një metode të re mësimdhënieje etj. Akoma, qenia në një rrjet social shpesh e shndërron individin në zëdhënës të interesave dhe perspektivave të tij. Lidhjet horizontale që krijohen në rrjetet sociale, plotësojnë dhe, ndonjëherë, edhe zëvendësojnë, koordinimin vertikal.
Shoqatat e mësuesve
Një nga format më të përhapura të një rrjeti social profesional mësuesish janë shoqatat e mësuesve. Historia e arsimit në vendin tonë përmban shumë nisma për krijimin e tyre. Sipas AQSH (viti 1919, Fondi: Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit), më 26 gusht 1919, pranë Ministrisë së Arsimit të kohës, raportohet formimi i ‘Lidhnijës së Mësuesve’ të Qarkut Tiranë: “Gjithë mësuesit e qendrës e të qarkut Tiranë, u mblodhën në shkollën e Pazarit dhe, në marrëveshje ndërmjet shoqishoqit, formuen nji shoqni nën titullin ‘Lidhnija e Mësuesve’. Qëllimi āsht me veprue në të drejtat e interesat e përbashkëta, materiale dhe morale, të mësuesve dhe të Arësimit”. Në fund të viteve ‘40 kemi shoqata mësuesish pothuaj në çdo qytet të vendit. Gjatë kësaj periudhe, këto nisma ndonëse nuk janë në kompetencë të organit qendror, – konkretisht Ministrisë së Arsimit, – aprovimi i statutit dhe i programit të tyre po. Pra, Ministria e Arsimit ishte nxitëse dhe përkrahëse e formimit dhe e funksionimit të tyre.
Duke e kapërcyer periudhën 1945-1990, ku gjithçka ishte e centralizuar dhe etaloni i krahasimit nuk është i duhuri, vijmë në ditët tona. Sa të përfshirë janë mësuesit në rrjete sociale profesionale, në shkollat publike të sistemit arsimor parauniversitar?
Fillimisht, duhet të theksojmë se në shkollat publike të sistemit tonë parauniversitar nuk vlerësohet rëndësia e formimit dhe e ushqimit të këtyre rrjeteve sociale që formojnë mësuesit me njëri-tjetrin, sikundër nuk ka asnjë përpjekjeje për të “shfrytëzuar” në mënyrë institucionale rolin e tyre në përmirësimin e punës së shkollës. Situata është pothuaj e njëjtë si në shkollat me performancë më të mirë, ashtu edhe në ato me performancë më të dobët.
Të dhënat
Gjatë periudhës janar-qershor 2015, në një pyetësor të zhvilluar me mësuesit e 20 shkollave të arsimit parauniversitar në Tiranë, Kamëz, Elbasan dhe Shkodër, mësuesve iu kërkua të raportojnë se “Në çfarë rrjeti mësuesish bëjnë pjesë”, ku alternativat e ofruara ishin: këshill pedagogjik (brenda shkollës), sindikatë mësuesish, shoqatë mësuesish, tjetër (specifiko). Shkollat u zgjodhën sipas nivelit të arritjeve, konkretisht 10 shkolla me performancën më të mirë dhe 10 shkolla me performancën më të dobët, sipas vlerësimit të vetë Drejtorive/Zyrave Arsimore përkatëse. Në pyetësor morën pjesë 521 mësues. Ju përgjigjën pyetjes 498. Pyetësori merr përsipër të tregojë vetëm situatën në të cilën është përfshirja e mësuesve në një rrjet social profesional.
Nga të dhënat e pyetësorit, 58% e të gjithë mësuesve që ju përgjigjën kësaj pyetjeje, përqindje e cila përbën edhe vlerën më të madhe të pjesëmarrjes në një rrjet social, raportojnë se janë të përfshirë vetëm në këshillin pedagogjik brenda shkollave, një përfshirje, në fakt, që është rrjedhojë e një detyrimi ligjor. Nëse kërkojmë përgjigjet e mësuesve sipas performancës së shkollës ku japin mësim, situata ndryshon pozitivisht, – ndonëse me vlera të papërfillshme, – në përputhje me performancën e shkollës. Pra, sa më e mirë performanca e shkollës, aq më e madhe është përfshirja e mësuesve edhe në rrjete që shkojnë përtej këshillit pedagogjik. Kështu, në shkollat me performancë të mirë 12.2% deklarojnë se janë pjesë, përveç këshillit pedagogjik, edhe në një shoqatë mësuesish, përkundrejt 6.9% që deklarohet në rastin e shkollave me performancë më të dobët. Edhe alternativat e tjera të përgjigjeve të kësaj pyetjeje, shkojnë gjithmonë në favor të shkollave me performancë të mirë.
Mungesa e rrjeteve sociale në shkolla është tregues i shkallës së ulët të bashkëpunimit të mësuesve me njëri-tjetrin, i mungesës së dëshirës për të marrë e dhënë mendime për punën e kryer, i indiferencës për gjenerimin e kapitalit të lartë njerëzor aty ku është i pranishëm, është një handikap që duhet t’i kushtohet rëndësia e duhur në të ardhmen.