Pedagogu Arjan Curri referon në takimin e klubit të Filozofisë “Russell”; Kush ishte Aristoteli dhe cilat ishte tezat e tij më të famshme
Termi “njeriu është një kafshë politike” që aq shumë përdorim sot është artikuluar për herë të parë 2 mijë vjet më parë nga filozofi grek Aristoteli. Nxënës i Platonit, por jo ndjekës i filozofisë së tij, Aristoteli do të shënonte me tezat e tij shumë nga konceptet dhe termat politikë, socialë apo filozofikë që ne përdorim sot.
Klubi i Filozofisë “Russell” i ngritur në Universitetin Europian të Tiranës me pedagogë dhe studentë të shkencave sociale, filozofi, sociologji, komunikimi, shkencat politike, kishte në qendër të diskutimit pikërisht veprën e Aristotelit dhe konceptin e tij për Polisin –qytetin dhe organizimin politik të tij.
Dr. Arjan Curri, pedagog i Sociologjisë së Religjionit në UET, ishte referuar për Aristotelin duke sjellë për klubin pikat kryesore që e përfaqësonin mendimin e tij mbi Polisin dhe organizimin politik. Curri u fokusua tek vepra e tij më e njohur “Politika”
“Aristoteli ishte një filozof i etikës, ai ka si referencë të mirën, mbi të mirën kur bëhet vetë dhe mbi të mirën kur ti merr qëndrim mbi të. Vetë Aristoteli thotë në veprën e tij se ‘qëllimi i çdo shkence dhe arti është e mira dhe në shkallën më të lartë e mira më autoritare dhe kjo është shkenca politike, e mira e së cilës është drejtësia’”,- tha Curri gjatë prezantimit të tij.
Më tej diskutimi u shtrua mbi mënyrën se si e konceptonte filozofi grek demokracinë si formë qeverisje dhe kritikat që ai shtronte ndaj këtij sistemi, si dhe për divergjencat mes tij dhe mendimit platonian.
Klubi i Filozofisë Russel mblidhet çdo të mërkurë në UET me diskutime të veprave apo tezave të filozofëve që kanë pasur ndikim në të gjitha kohërat. Këtij klubi i janë bashkangjitur miq të filozofisë nga jashtë UET, si profesorët Ilir Shqina dhe Hysamedin Ferraj, etj. Një herë në vit Klubi organizon “Anuaret e Filozofisë” në Llogara, Vlorë, ku marrin pjesë personazhe të jetës publike, dashamirës dhe studiues të Filozofisë.