Raporti vlerësues i Agjensisë Britanike të akreditimit QAA jep vlerësimin maksimal në të 5 fushat e vlerësimit për Universitetin Europian të Tiranës
“Ekipi vlerësues i rekomandon Këshillit të Akreditimit se Universiteti Europian i Tiranës i përmbush plotësisht standardet shtetërore të cilësisë”.
Ky është vlerësimi i bërë në raportin e agjencisë britanike “Quality Assurance Agency”, anëtare e ENQAS, Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
QAA ka nisur punën në vlerësimin e cilësisë së universiteteve shqiptare duke përfunduar grupin e parë të universiteteve të marra në shqyrtim.
Universiteti i parë që merr vlerësimin britanik bëhet Universiteti Europian i Tiranës, i cili ka marrë vlerësim maksimal për cilësinë në të 5 fushat e vlerësuara nga kompania britanike.
Sipas raportit përfundimtar, që i është paraqitur Këshillit të Akreditimit, ekipi vlerësues i kompanisë QAA rekomandon që Universiteti Europian i Tiranës i përmbush plotësisht të gjitha standardet shtetërore të cilësisë
UET u ofrua vullnetarisht që të ishte ndër të parët universitete që do t’i nënshtroheshin vlerësimit britanik.
Në muajin shtator, përfaqësues të kompanisë britanike ishin në UET për disa ditë rrjesht duke marrë në vlerësim 5 fushat kryesore: Organizimi dhe menaxhimi; burimet njerëzore; mësimdhënia; kurrikulat dhe mbështetja e studentëve.
Pasi bënë një vlerësim të detajuar për secilën nga fushat, ekipi britanik vlerëson se standardet janë përmbushur plotësisht në të 5 fushat e mësipërme.
Akreditimi i cilësisë vjen pas reformës së ligjshmërisë që kreu Ministria e Arsimit, reformë që solli mbylljen e një numri të konsiderueshëm universitetesh private dhe shtetërore.
Ministria e Arsimit dhe Sporteve para dy vitesh lidhi marrëveshje me agjencinë britanike “Quality Assurance Agency”, anëtare e ENQAS, Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për të mundësuar një vështrim më të specializuar dhe të paanshëm në institucionet e Arsimit të Lartë në vend.
Kjo kompani do të bëjë akreditimin dhe rankimin cilësor të të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë, publike e private.
QAA është themeluar në vitin 1997 si një shërbim për sigurimin e cilësisë dhe për ofruesit e arsimit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar me misionin e mbrojtjes së standardeve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar./Mapo.al/