Këshilli Shtetëror për Njohje në Kosovë ka njohur zyrtarisht titullin shkencor “Doktor Shkencash” të marrë pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Kështu është zgjidhur më në fund një ngërç që ekzistonte mes sistemit arsimor shqiptar dhe atij të Kosovës për çështjen e njohjes së diplomave të ndërsjellta.
Ky ngërç kishte penalizuar kryesisht studentët nga Kosova që kishin kryer studimet në Tiranë dhe në veçanti studentët që kishin përfunduar studimet e Doktoraturës pranë Universitetit Europian të Tiranës.
Me një vendim së fundi të marrë nga agjensia e posaçme për këtë çështje pranë Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Kosovës, është njohur diploma e marrë nga një student nga Kosova pranë Universitetit Europian të Tiranës.
“Pas shqyrtimit shqyrtimit të dokumentaconit të ofruar, Këshilli Shtetëror për Njohje vendosi që të njihet grada e fituar në Universitetin Europian të Tiranës në Shqipëri, ashtu siç precizohet në dokumentin e lëshuar nga ky universitet; “Doktor” në “Shkenca Sociale me profil Psikologji-Pedagogji”, thuhet në vendimin e marrë për një rast konkret.
Vendimi është firmosur nga kryetarja e këtij këshilli, Drita Kadriu.
Kësisoj me këtë njohje zgjidhet ky ngërç dhe hapet një dritë e re bashkëpunimi mes institucioneve arsimore mes dy vendeve shqifolëse.