Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Renato Begaj, juristi i suksesshëm në biznes

$
0
0

renatoStudenti i UET-it, menaxher i “Erzeni”-t: Si e ngrita kompaninë me 100 punëtorë gjatë kohës që studioja  

Ishte viti 2006 kur Renato Begaj, vetëm 23 vjeç, vendosi të largohej nga vendlindja e tij, Berati, drejt Tiranës me dy synime të qarta në kokë; të hapte filialin e kompanisë së familjes “Erzeni” në Tiranë dhe të studionte në universitet. Pas 10 vitesh këtu ai ka aktualisht diplomë në Juridik dhe po diplomohet në Master “E drejtë Penale”, ndërsa kompania nga 5 punëtorë që kishte në fillim aktualisht ka 100 punëtorë dhe filiali i Tiranës është shtrirë në disa rrethe të tjera në Shqipërinë e Mesme dhe Veri, të cilat i menaxhon vetë Renato.

Në një bisedë me gazetën Mapo, ai tregon se si ka arritur të menaxhojë kohën mes punës dhe studimeve. Në Universitetin Europian të Tiranës, ku ka kryer dy ciklet e studimeve, e njohin të gjithë si pronari i “Erzenit”. Ai nuk është studenti tipik që jemi mësuar të shohim, i cili merr ditën me qetësi, kafen e mëngjesit te shkolla, pastaj leksionet, seminaret dhe përsëri kohën e lirë me shoqërinë në darkë.

Renato tregon se niste ditën që orën 5 të mëngjesit, shpërndante  mallin e kompanisë vetë me fugon në rrjetet e supermarketeve në Tiranë, pastaj kthehej në UET për të ndjekur leksionet e seminaret. Ai tregon se ndodhte që profesorët nuk e pranonin në leksion nëse vinte 5 minuta me vonesë dhe herën tjetër do të ishte korrekt që të mos krijonte probleme me oraret.

“Vitet e para kanë qenë shumë të vështira. Doja të ngrija këtu një degë të kompanisë që ne kemi në Berat, e hapur nga im atë. Por kisha dhe një synim tjetër, të bëja shkollën sepse sado të kesh para, të kesh biznes, shkolla ka vendin e saj, shkolla duhet sepse është kulturë, është njohje me nivel tjetër njerëzish, është një plus i madh për njeriun”, thotë ai.

Po pse një menaxher i lindur për biznes vendosi të studionte juridik?

Renato e ka përgjigjen gati. “Juridikun e kisha pasion, edhe pse ndoshta nuk do ta vë kurrë në funksion në kuptim klasik këtë diplomë. Por kjo s’do të thotë se nuk më ka hyrë në punë. Me njohjen e ligjeve unë jam shumë i përgatitur t’i zgjidh më lehtë të gjitha marrëdhëniet që kam me shtetin, me bashkëpunëtorët apo klientët e mi në biznes. Me shumë institucione që unë si biznesmen kam punë me njohuritë e mia si jurist di si të komunikoj, si të zgjidh të gjitha çështjet juridike”.

Nuk e fsheh që koha e studimeve ka qenë për të një jetë e dytë, një jetë ku ai ndihej mirë, sidomos për shkak të shoqërisë që ka krijuar. Për ta konkretizuar këtë ai tregon se sa e rëndësishme ka qenë për të momenti kur bëri inaugurimin e investimit të madh që bëri për kompaninë, ku në ceremoninë që organizoi me këtë rast i erdhën profesorët e tij, Romeo Gurakuqi, Ksenofon Krisafi. “Ky ishte një nder për mua. Është standardi i UET-it, formimi që kam marrë këtu që më ka ndihmuar të eci përpara dhe në punën time. Pas 5 viteve studime unë e them me plot gojën se nuk mjafton vetëm të punosh fort për të bërë biznes, duhen dhe idetë dhe formimi profesional, kjo më bën që të punoj për të pasur një biznes elitar, jo provincial, të jem në treg si më i miri”.

Renato është nga ata biznesmenë të rinj që e sheh kompaninë e tij si familjen e tij, ndoshta dhe për faktin që akoma nuk ka krijuar familjen e tij, por dhe se kërkon të bëjë një gjë të bukur dhe të madhe në vendin e tij. “Ndonjëherë mendoj se ne shqiptarët kemi një problem me veten tonë, kjo dëshira për të ikur jashtë. Shiko, në Gjermani, apo në çdo vend tjetër njerëzit punojnë dhe po e bëre punën me përkushtim e pasion rezultatet vijnë”, thotë më tej ai duke shpresuar që me punën e tij u ka dhënë një motiv për të punuar dhe për të qëndruar në Shqipëri dhe 100 punonjësve të tij dhe me dëshirën që në të ardhmen ta shtojë këtë numër.

Në fund ai tregon për fushatat e bamirësisë që ka kryer në emër të “Erzeni”-t duke dërguar ushqime te familjet e varfra, te familjet e prekura nga përmbytja, shtëpitë e jetimëve dhe projekte të tjera për të ardhmen.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles