Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

10 vjet UET/100 foto: Momentet nga viti akademik 2007-2008

$
0
0

Universiteti Europian i Tiranës feston 10-vjetorin të hënën që vjen, duke shënuar 7 breza të diplomuarish, përfshi edhe një brez me 136 doktorantë. I themeluar si një sfidë, UET ia ka dalë të jetë një “derë e hapur” që i ka dhënë mundësi formimi mijëra të rinjve. Në këtë jubile, UET ka bërë edhe një album me 100 momente në 10 vite. Këto janë momentet nga viti i parë akademik 2007-2008.

Selia e re e UET: Histori tjetër për fabrikën e vjetër

Në të gjithë lindjen ish komuniste, shumica e fabrikave dhe uzina u transformuan në institucione. Shndërrimi i ish-Ndërmarrjes së Prodhimit të Veshjeve (Nr. 1), në Tiranë në Universitetin Europian të Tiranës u bë një nga shembujt e tillë. Në fund të semestrit të parë, të vitit të parë, UET mendoi për zhvillimet strategjike të tij, duke kontraktuar godinën e re, por historike, për nga pikëpamja e origjinës dhe transformimit të saj. Sipas projektit të arkitektit Duraj, godina u transformua brenda pak muajsh në një universitet (me mjedise të bollshme, kreative, me zyra e bibliotekë) duke vitalizuar kështu gjithë zonën përballë shkollës “Vasil Shanto”. Më vonë, kësaj zone iu bashkua edhe Universiteti Mesdhetar dhe fakulteti i Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Dy vite më vonë kësaj godine iu shtua dhe godina B, e cila ishte, gjithashtu, pjesë e kompleksit të Ndërmarrjes së Prodhimit të Veshjeve (Nr. 2). Në të dyja godinat u strehuan rreth 6.000 studentë (kaq ka qenë kapaciteti maksimal i UET me rreth 15.000 m2 mjedise dhe shërbime, me një kampus me truall 12.000 m2).

Consorciumi universitar shqiptar, fuqia e katedrave të pavarura

Në vitin 2007, kur kishin kaluar 5 vjet nga krijimi i universitetit të parë jo-shtetëror, hapësira universitare ishte ende e parregulluar. Por bashkë me rritjen e numrit të universiteteve jo-shtetërore, po rritej ndjeshëm dhe skepticizmi i shoqërisë për to, si dhe dyshimi për cilësinë e tyre. Ndaj ato katër universitete private që ishin hapur (përfaqësuar nga personalitete të padiskutueshme të jetës publike, si profesor Luarasi, regjisori Çashku dhe urbanisti e arkitekti Besnik Aliaj), ndjenë nevojën e bashkimit në një consorcium, për të krijuar, në kushtet e atij mosbesimi, një stampë ose një garanci shtesë për publikun. Consorciumi u krijua po në këtë vit, më 2007, dhe themeloi, nëpërmjet kartës së 10 parimeve, një kod etik të sjelljes së këtij sektori ndaj shoqërisë. Institucioni i ri i krijuar ngjizi një grup interesi për shoqërinë shqiptare, i cili do të bëhej shumë i fuqishëm, – ndonëse shpesh herë i akuzuar, me apo pa të drejtë, – dhe në gjendje të kërkonte nga politika, nga aktorët shoqërorë institucionalë e kombëtarë, një rol dhe një vend për universitetet private në Shqipëri. Sot shumë prej diskursit dhe pikave të asaj deklarate janë bërë pjesë e legjislacionit, janë bërë norma etike ose ligjore.

Senior researcher, nisin projektet kërkimore të profesorëve të njohur

Profesor Romeo Gurakuqi, historian i njohur shqiptar, i cili ka sjellë risi në kërkimet e tij historike në kuadrin e debatit aq kontrovers për historinë e Shqipërisë, bën pjesë në grupin e parë të pedagogëve senior të UET që nga dita e parë e themelimit. Po ashtu, cikli i tij me historinë kronologjike të Shqipërisë i cili deri tani shënon katër periudha është një projekt pioner në kuadrin e një nisme të Universitetit Europian të Tiranës: Profesorët senior udhëheqin projekte kërkimore afatgjata 5-vjeçare. Projekti për periodizimin e historisë së Shqipërisë, i cili planifikon botimin e 10 librave në më shumë se 10 vjet, me kërkime nga Prof. Dr. Romeo Gurakuqi i ka hapur rrugën fazës së dytë të universitetit mbi projektet kërkimore të profesorëve senior. Në ekipin e UET ndër vite kanë qenë të grumbulluar shumë prej emrave të njohur të shkencës shqiptare.

UET-it i shtohet Fakulteti Ekonomik, shtylla e tij

Në vitin e dytë akademik, universitetit iu shtua një fakultet i dytë, ai ekonomik, i cili u bë pjesa më e rëndësishme e universitetit, ku ndjekin studimet, gjithmonë, rreth gjysma e studentëve të regjistruar. Fakulteti Ekonomik, në pikëpamje të programeve, është fryt i punës së Prof. Dr. Adrian Civici, në bashkëpunim me dekanen e parë të këtij fakulteti, Prof. Dr. Luljeta Minxhozi. Fakulteti Ekonomik është një kontribut esencial në strukturimin përfundimtar të UET. Duke filluar nga viti i tretë, falë këtij fakulteti, UET kishte mbi 1000 studentë. Nga pikëpamja e numrave, Fakulteti Ekonomik ndihmoi në plotësimin e një prej kritereve bazë të standardeve ndërkombëtare në shndërrimin nga “Institucion i Arsimit të Lartë” në “Universitet”. Nga auditorët e këtij fakulteti kanë dalë shumë vendimmarrës publikë të rëndësishëm. Pjesë e Fakultetit Ekonomik ka qenë Ministrja e sotme e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zv.ministri i ekonomisë Ervin Mete, zv.ministrja e financave Irena Beqiraj, si dhe drejtorë të rëndësishëm të agjencive shtetërore si Genti Beqiri etj. Po ashtu, shumë prej drejtuesve të institucioneve me rëndësi ekonomike, si Elvin Meka drejtor i bursës, ose aktorë të tjerë janë zhvendosur nga bota profesionale praktike në auditorët e universitetit, duke ndërtuar një lidhje të jashtëzakonshme dhe të pëlqyeshme, të qëndrueshme dhe të pranueshme. 

Rektori Gjuraj dhe sfida e menaxhimit të universiteteve të pavarura

Lindja e shumë institucioneve të Arsimit të Lartë, të pavarur nga shteti, u shoqërua me lindjen e sfidës së menaxhimit të tyre, veçanërisht në kushtet kur mungonte një përvojë, ose një traditë në këtë drejtim. Deri në mesin e viteve 2000, në Shqipëri ekzistonte vetëm një traditë, e çimentuar nga operimi i vetëm një universiteti, Universitetit Shtetëror. Duke filluar nga ekipi i parë i UET, me përshtatjet e nevojshme, Universiteti Europian i Tiranës është përpjekur të krijojë një mini-shkollë, ose një mini-certifikatë në menaxhimin e universiteteve jo shtetërore, – universiteteve të pavarura. Profesor Tonin Gjuraj, pjesë e ekipit themelues dhe rektor i UET nga viti 2012 është simbol i formimit të një grupi profesionistësh të rinj në mjedisin akademik shqiptar, grupi i rektorëve. Grupi i rektorëve ndërmori iniciativën për krijimin e forumit të pavarur të rektorëve, si dhe artikuluan një zë të fuqishëm në jetën publike, në gjendje të përfaqësojë një korporatë të re, akademikët e sektorit privat.

Kolana filozofike e Arben Imamit, refleksioni e ka vendin në UET

Arben Imami nisi një projekt të jashtëzakonshëm: përkthimin dhe botimin e mbi 100 librave filozofikë, si dhe promovimin e këtyre botimeve në UET. Debati rreth natyrës filozofike të shumë çështjeve është një nga momentet kur universiteti afrohet e bëhet një antenë e këtyre lloj botimeve, ndonëse shpesh etiketohet si fitimprurës dhe jo efecient. Pikë-takimi i UET me filozofinë vazhdon më tej dhe, jo vetëm me debatet nëpër aula, jo vetëm me futjen e shumë lëndëve të ndryshme në programet e UET, por edhe me takimet periodike të klubit të filozofisë “Rusell”, me anuarët e filozofisë “Rusell” në Llogara, – çdo fillim viti, dhe, ajo që është po aq e rëndësishme, edhe me licencimin, së shpejti, të programit të filozofisë. Dija sokratike është e domosdoshme për të gjitha degët, pavarësisht nga karakteri praktik ose teorik i studimeve universitare, ose cikli i studimeve që kryen. Ky projekt, duke nisur nga promovimi i kolanës filozofike, përgatitur nga Arben Imami dhe botuar nga “Dita 2000” & “Instituti i Studimeve Politike”, krijuan premisën që ky kontakt me filozofinë të përbëjë një nga dimensionet kryesore të Universitetit Europian të Tiranës.

Grande Loge D’Orient: Debat i hapur mbi enigmën masonike

Universiteti është një mjedis ku dialogohet rreth të vërtetave, ose ku ngrihen pikëpyetje të mëdha, ku flitet për enigmat më të mistershme, siç janë masonët. Ka shumë thashetheme, sikundër ka shumë konspiracion rreth masonëve. Gjërat ose nuk janë ashtu siç duket, ose janë shumë më ndryshe nga ç’janë e ç’duken. Për të qartësuar dhe dialoguar rreth këtyre enigmave është ftuar, për një bisedë me studentë dhe pedagogë të UET, Grand Loge D’orient. I pranishëm në Shqipëri, Grand Loge D’orient, në ndalesën e tij në UET, u dha mundësi studentëve ta pyesin drejtpërdrejt, duke përmbushur një kuriozitet njerëzor dhe studentor njëkohësisht: Çfarë janë në të vërtetë masonët? Cila është fuqia e tyre? Pse, 200 vite më vonë, nga koha kur mendojmë se shfaqen për herë të parë, luajnë një rol të dorës së parë në hapësirën publike europiane, në shoqëritë perëndimore dhe më gjerë?

UET, stacion për figurat ndërkombëtare

Reputacioni i universitetit u rrit aq shpejt, sa shumë prej personaliteteve ndërkombëtare që vizitonin Shqipërinë e bënë stacion të domosdoshëm një ndalesë në mjediset e UET. Njëri prej tyre ishte ish-kryeministri francez Michel Rocard, i cilësuar si “Fëmija i tmerrshëm i jetës politike franceze” që, edhe pse në moshë të shtyrë, vazhdon të jetë një nga proeuropianistët më të mëdhenj dhe një nga aktorët që me diskursin e tij ndikon në zhvillimin e Europës së Bashkuar. Rocard erdhi në Shqipëri më vitin 2008, i ftuar nga aktorët politikë. Në vizitën e tij në UET, Rocard mbajti një fjalim për universitarët frankofonë dhe mjedisin frankofon në Tiranë, si dhe parashtroi disa ide të guximshme e teza interesante për zhvillimin e Shqipërisë, aktuale dhe sot. Leksioni i tij, – rreth 1:30 minuta, – pa letër, mbahet si rekord, ndërkohë që ngjalli interes të jashtëzakonshëm dhe u cilësua si një nga bisedat më mbresëlënëse për jetën intelektuale shqiptare. Leksioni i Rocard shënoi një gur në kontaktet ndërkombëtare të UET-it dhe shndërrimin e UET në një referencë ndërkombëtare, ku do të adresoheshin e do të vinin nobelistë europianë, profesorë të huaj etj.

Universiteti i angazhuar, nisma për mbrojtjen e Kushtetutës

UET ka shërbyer gjithmonë si streha e të gjithë “heretikëve” që dëshirojnë të ndërmarrin një kauzë publike, sado të vogël, të pambështetur ose kundër rrymës të jetë ajo. Këtu është rasti të sjellim në vëmendje “Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës”, ku u angazhuan shumë personalitete publike – ish-Presidenti Moisiu, gazetarë, analistë të njohur, intelektualë, të cilët kundërshtuan fuqimisht ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, me pasoja në jetën publike, duke ndryshuar sistemin elektoral, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës etj. Ky debat publik gjeti menjëherë mbështetje në infrastrukturën e UET, si dhe shumë e shumë nisma të tjera publike, të të gjitha llojeve, ngjyrave dhe ideologjive, duke i dhënë rolit publik të universitetit një dimension të rëndësishëm.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180