Problemi i maturantëve është çështja e ditës. Por a po spekulohet me të, kur dihet se kuotat e bllokuara nga më të mirët do të zhbllokohen dhe vendet bosh do të mbushen? Civici i UET shpjegon se universitetet private nuk po favorizohen, pasi janë vendosur 25 mijë kuota në universitetet shtetërore, nga 19 mijë që ishin një vit më parë. Pra, aq kuota sa maturantët që konkurrojnë. Megjithatë ka një problem sivjet. Ndiqni shpjegimet e Civicit
Kjo është ajo e periudhë e vitit kur disa maturantë përfundojnë të gëzuar, të tjerë me lotë në sy.
Ndodh gjithmonë që dikush të mos e fitojë degën që ka preferuar në universitet, por sivjet duket se zhurma është më e madhe.
Dhe kur kaq shumë zhurmë, nuk kuptohet e vërteta.
Disa maturantë me mesatare të lartë thonë se nuk kanë fituar në universitet dhe kanë dalë në protestë.
Sidomos një foto e një maturanteje, realizuar nga BIRN, ka bërë xhiron e rrjetit.
Ajo duket e dëshpëruar, teksa është ulur në gjunjë përpara policëve.
Çfarë ka ndodhur?
Për shkak të sistemit të ri, maturantët më të mirë kanë bllokuar vendet e para derisa të zgjedhin degën e tyre të preferuar.
Më pas degët do lirohen dhe të tjerët do mbushin vendet e zhbllokuara.
Deri këtu situata duket e qartë.
Megjithatë ka një problem.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Ardian Civici në një intervistë për Panoramën thotë se situata problematike ka ardhur për dy arsye.
“Së pari, dua të sqaroj se në kuadrin e asaj që parashikon ligji i ri i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, procesi i shpalljes së preferencave, i shpalljes së kritereve specifike pranimit nga universitetet dhe i gjithë kohës për aplikimin apo raundeve përzgjedhëse duhet të fillojë 6 muaj përpara dhe të përfundojë në muajin qershor të çdo viti akademik, duke mos pasur afate të ngushta kohore 1 apo disaditore, siç ndodhi këtë radhë. Pra, këtë vit kemi të bëjmë me një situatë jo të zakonshme në zbatimin e ligjit, situatë që erdhi si pasojë e herës së parë që zbatohet kjo praktikë e re e regjistrimeve në kuadrin e parimit ‘meritë-preferencë’”.
“Së dyti, ekzistenca e një serie paqartësish, mungesë informacioni dhe ndryshim rregullash në mes apo në fund të procesit. Duhet bërë shumë më gjerësisht dhe më mirë se këtë radhë procesi i informimit të maturantëve me këtë sistem të ri të regjistrimeve në kuadrin e harmonizimit të meritave me preferencat”.
Civici thotë se ky sistem është shumë i mirë për t’i dhënë secilit hakun, por bëhet problematik kur nuk zbatohet në kohë.
Ai shton se këtë vit do bëhen përpjekje maksimale për të qartuar dhe korrigjuar çdo defekt.
Por kjo situatë ka bërë që disa të spekulojnë se qëllimi është që të mbushen universitetet private me studentë.
Civici thotë se kjo është e pasaktë, për shkak se universitetet shtetërore ofrojnë 25 mijë kuota, nga 19 mijë që ishin vitin e shkuar, praktikisht po aq sa maturantë kanë konkurruar për të vazhduar në universitet.
E dyta, sipas tij edhe universitetet private kanë ofruar kuotat e tyre, njësoj si universitetet shtetërore.
“Ne kemi kuotat dhe kriteret tona, dhe në UET do të vijnë maturantët që kanë zgjedhur apo që do të zgjedhin UET në preferencat e tyre. Kuotat tona të pranimit janë të limituara brenda kërkesave të standardeve cilësore universitare”.