I sapo diplomuar në grafikë-dizajn, Luli për gati nëntë muaj ka punuar në gdhendjen me dru, sipas traditave të zonës së Mirditës
Nga Erjon Uka
Në kohën e dixhitalizimit, të trendeve të reja teknologjike dhe prirjes për t’u larguar nga tradicionalia, ka ende të rinj që përpiqen për të ruajtur vlerat e trashëgimisë jo kulturore. Në Universitetin Europian të Tiranës, profesor Shpend Bengu prej kohësh po punon me të rinjtë për t’i nxitur shpirtin artistik duke ruajtur vlerat e tradicionale vendase. Por, një “xhevahir” të quajtur Agustin Luli as ai vetë nuk priste që ta zbulonte.
I sapo diplomuar në profilin komunikim-dizajn, Agustini para pak ditësh ka përfunduar projektin e tij të nisur që në nëntor të vitit 2015. Projekti i tij konsiston në ringjalljen e teknikës së gdhendjes karakteristike të drurit bazuar në traditën grafike të zonës së Mirditës në gdhendjen e orendive shtëpiake. Përveç traditës, në këtë projekt Agustini ka ndërthurur edhe teknika moderne të dizajnit bazuar në njohuritë e marra gjatë universitetit. “Projekti që realizova ishte një ndër ëndrrat e mia për të cilin jam munduar shumë dhe më në fund falë UET dhe profesor Shpend Bengut e bëra realitet. Koha që kam filluar bashkë me krijimin e idesë të cilën e kishte profesori ishte që kur morëm pjesë në panairin “Klik Expo Group” që zhvillohej në Pallatin e Kongreseve në nëntor të 2015. Mund të them që vështirësia më e madhe e këtij projekti ka qenë fakti se gjatë kohës që punoja me të, ndiqja edhe studimet. Kjo e bënte kohën e pamjaftueshme”, shprehet Agustini.
Pasioni i tij ka lindur fillimisht në familje, ku siç tregon ai vetë, edhe prindërit e tij kanë punuar për ruajtjen e traditave të Mirditës. “Faktikisht nisi si një lojë por që rezultoi me shumë sukses. Ishin prindërit ata që më frymëzuar me idenë e gdhendjes dhe punimeve artizanale, sepse si babi ashtu dhe mami bënin punime të tilla duke bërë veshje kombëtare të krahinës së Mirditës. Kam nisur që i vogël të merrem me punimet e drurit dhe kujtimi më i veçantë është një e vrarë që kam në dorë nga mosha 8-vjeçare që mundohesha të gdhendja drurin. Frytet e kësaj pune i mora më vonë, kur në klasën e 8-të fitova një konkurs me punime në dru.”
Gjithashtu ai ka edhe një “peng” lidhur me gjendjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe qasjen e të rinjve ndaj saj. Por pikërisht kjo ka qenë edhe një forca e tij më e madhe për t’u marrë me këtë gjë. “Gjendja e trashëgimisë jo materiale në Shqipëri nuk është në ditët e saj më të mira për vetë faktin se kanë ndikuar shumë faktorë si të jashtëm dhe të brendshëm kundër saj. Brezi i ri është shumë i apasionuar pas tendencave të reja, por kjo është një ndër shtysat kryesore që më jep forcë për të ruajtur këtë traditë që të parët e mi mezi e rritën dhe unë do ta kultivoj me shumë dashuri”
Në fund ka edhe një dedikim për familjen, universitetin dhe sigurisht profesor Bengun. “Roli i UET ka qenë i jashtëzakonshëm sepse ishte ai që më dha mundësinë e promovimit, ishte profesor Shpendi, i cili nuhati aftësinë time për këtë punim pa të cilin asgjë nga këto nuk do ishte e mundur. Tani që e kam përfunduar nuk më mbetet gjë tjetër veçse të falenderoj gjyshin, babain që më trashëguan këtë dhunti, profesor Shpendin i cili më ndihmoi deri në pikën e fundit në ekzekutimin e tij , dhe së fundmi UET i cili më dha mundësinë e promovimit dhe realizimit të tij. Ambiciet janë të shumta, por nëse do më jepej mundësia për të realizuar projekte të tilla si në UET dhe jashtë tij do ta bëja me shumë dëshirë”, përfundon Agustin Luli.