Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Aplikimi në universitet, gjithçka që duhet të dini!

$
0
0

coverFlasin maturantët: Udhëzimi i ministrisë që ndryshon procedurën e mëparshme krijon paqartësi. Problematikat e aplikimit, ja katër të rejat e këtij viti

Ndryshimi i procedurës së aplikimit në universitet për vitin akademik 2016-2017 ka sjellë jo pak paqartësi në mesin e 40 mijë maturantëve. Udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit që doli në fund të muajit është krejtësisht ndryshe nga udhëzimet e viteve të kaluara dhe ka ndryshuar në mënyrë radikale mënyrën e aplikimit se si shkohet në universitet. Ky udhëzim ka caktuar si afat të fundit të aplikimit datën 11 gusht, ndërsa e gjithë kjo kohë ka ngritur shumë pyetje në kokën e kandidatëve se çfarë do të ndodhë pas aplikimit të tyre dhe si do të përzgjidhen fituesit.

Siç, shprehen disa maturantë nga gjimnazet e kryeqytetit në intervistat e tyre për Mapo-n ata po hasin vështirësi në sistemin online për të zgjedhur degët që preferojnë dhe ankohen për mungesë informacioni nga ana e Institucioneve Arsimore.

Problemet që ata ngrenë së pari kanë të bëjnë më kohën e limituar që është lënë në dispozicion. Ata thonë se nuk kanë kohën e duhur për të menduar degën që duan të vazhdojnë. Nga ana tjetër ata ngrenë shqetësimin se mund të penalizohen nga renditja e universiteteve ku duan të studiojnë.

Maturantët

Enea: “Jam i paqartë lidhur me universitetet private, sesi do kombinohen zgjedhjet tona të degëve. Koha për të vendosur degën që dëshirojmë është e shkurtër, pasi nuk kemi kohën e mjaftueshme për të menduar për degën që do zgjedhim. Për mua duket shumë e vështirë dhe kam frikën se mos gaboj në sistemin online dhe rrezikoj të përzgjidhem në një universitet, të cilin në fakt nuk e kam preferencë timen kryesore”.

Adhurim Hasa: “Problemi kryesor është mungesa e informacioneve, çdo ditë del një informacion i ri lidhur me aplikimin dhe jemi hutuar pa masë pasi nuk e dimë akoma si do funksionojë pjesa e përzgjedhjes së degëve. Drejtoria e shkollës nuk na ka dhënë informacione të sakta dhe dita kur supozohej të zgjidhnim 10 degët u shty deri në një moment të dytë.

Dega që preferoj është gazetaria ose marrëdhënie me publikun, por kjo e fundit është tek Universiteti Europian i Tiranës, dhe s’jam i sigurt si duhet ta plotësoj aplikimin në mënyrë që të shkoj atje”.

Erti Ymeri:“Problemi që kam hasur me aplikimin janë mungesa e informacionit dhe paqartësia e kritereve që duhet të përmbushim për të arritur degën që dëshirojmë. Instituti Arsimor ku unë përfundova gjimnazin ka vonuar me dhënien e informacioneve lidhur me aplikimin online madje edhe diplomimin e nxënësve e ka kryer me vonesë. Me ndihmën e shoqërisë përfundova aplikimin dhe jam tani pak më i qartë përsa i përket mënyrës dhe procedurave që duhen ndjekur si dhe pikësynimet e mia. Shpresoj që të fitoj degën që kam aplikuar për të studiuar, që është fizioterapia”.

Luani: “Në fillim kisha vështirësi për arsye që nuk isha e  informuar se si të aplikoja në sistemin online si dhe  për mesataren që është një nga kriteret bazë,si do llogaritej mesatarja dhe sa përqind përkojnë provimet. Dega që dua të vazhdoj është Teknologji Informacioni”.

Aldo Sula:  “Kam hasur vështirësi me aplikimin online, pasi akoma askush nuk ka dhënë informacion sesi të aplikojmë në sistem. Një problem tjetër është edhe mesatarja që është kriter për të vazhduar universitetin. Jam i detyruar të vazhdoj arsimin profesional, sepse  mesataria ime nuk përmbush kriterin bazë që kërkohet. Sigurisht që kjo më ka mërzitur”.

 

Universitetet, kriteret e aplikimeve për raundin e parë dhe të dytë

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar udhëzimin për pranimet në ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik 2016-2017. Agjencia Kombëtare e Provimeve ngarkohet që brenda datës 16 gusht t’u dërgojë universiteteve listat e aplikuesve, për çdo program studimi dhe më pas ato të bëjnë shpalljen e studentëve fitues në datën 5 shtator 2016. Pranimet në universitet edhe këtë vit do të jenë me dy raunde, duke u dhënë një shans të dytë edhe maturantëve të cilët do të kalojnë me sukses provimet në vjeshtë që të aplikojnë në universitet.

Raundi I, aplikimi dhe kushtet

Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Të drejtën të aplikojnë e kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, janë pajisur me dokumentacionin ligjor të këtij niveli arsimor, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program studimi, në universitetet publike apo private, plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga, Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë.

Maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e Maturës Shtetërore, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë, në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z. Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studimeve. Afati i fundit është data 10 gusht 2016. Kriteri i notës mesatare 6, nuk është kusht vetëm për ata kandidatë që do të aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional.

“Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në portalin e Maturës Shtetërore, nëpërmjet formularit të aplikimit, për çdo DAR/ZA sipas kalendarit të mëposhtëm, në datat 01-11 gusht 2016”, përcaktohet në udhëzim.

Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017.

Sistemi i portalit të Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. P.sh., nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë.

 

Hapat që duhet të ndiqni për të studiuar në UET

Raundi i parë

Hapi 1 – Maturantët kryejnë pagesën pranë zyrave të postës shqiptare ose në bankë në shumën 2000 lekë (mandati shkarkohet në faqen: akp.gov.al).

Hapi 2 – Maturantët mandatin e pagesës duhet ta dorëzojnë pranë sekretarisë mësimore të shkollës së mesme.

Hapi 3 – Maturantët duhet të aplikojnë në linkun: matura.akp.gov.al nga data: 01 – 11 Gusht 2016. Në faqen akp.gov.al maturantët do të shkarkojnë “Paketë informuese për formularin e aplikimit” ku do të gjejnë kalendarin me datat respektive për aplikim sipas qarkut të tyre;

Hapi 4 – Mund të rendisni deri në 10 preferenca por mos harroni duhet të zgjidhni si preferencë të parë p.sh: Universiteti Europian i Tiranës dhe programin që ju doni të studioni .

Hapi 5 – Maturantët fitues shpallen brenda datës 30 Gusht 2016 dhe regjistrimi në UET kryhet brenda datës 20 Shtator 2016 .

Raundi i dytë

Hapi 1 – Maturantët që nuk kanë mundur të aplikojnë në raundin e parë duhet të kryejnë pagesën pranë zyrave të postës shqiptare ose në bankë në shumën 2000 lekë (mandati shkarkohet në faqen:akp.gov.al) dhe e dorëzojnë pranë sekretarisë mësimore të shkollës së mesme.

Hapi 2 – Maturantët duhet të aplikojnë në linkun: matura.akp.gov.al nga data: 23 Shtator 2016 – 1 Tetor 2016.

Hapi 3 – Mund të rendisni deri në 10 preferenca por mos harroni duhet të zgjidhni si preferencë të parë UET-in dhe programin që ju doni të studioni.

Hapi 4 – Maturantët fitues shpallen brenda datës 4 Tetor 2016 dhe regjistrimi kryehet brenda datës 16 – 20 Tetor 2016.

Kujdes! Nëse nuk zgjidhni UET si preferencë nuk mund të regjistroheni pranë UET-it.

 

Problematikat me aplikimet për universitet, 4 të rejat e këtij viti

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr.Tonin Gjuraj, ngre shqetësimin se për kufizime burokratike në udhëzimin e MAS 

Maturantët që bëhen gati për të filluar universitetin duhet të jenë shumë të  vëmendshëm në plotësimin e formularit online që ka nxjerrë, Ministria e Arsimit, me anë të udhëzimit të fundit.

Afatet e lëna në dispozicion janë shumë të ngushta duke krijuar probleme që në nisje të këtij procesi.

Cilat janë të rejat e aplikimit të maturantëve për këtë vit?

E para, edhe universitetet private ashtu si dhe publiket do të jenë njësoj, të gjithë do të futen në sistemin e meritë-preferencë. Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim do të përfshihen edhe universitetet private. Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do ti vendosin universitet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50% dikush tjetër 30 % etj. E dyta, studentët do të zgjedhin 10 degë, por lista do t’u shkojë universiteteve pa renditje, ata do të vendosin vetë kë do të marrin apo jo nga kërkuesit duke respektuar kushtin që mesatarja e aplikantit të jetë mbi notën 6. E treta, të gjithë studentët që janë me mesatare nën 6 mund të shkojnë vetëm në shkollat profesionale 2-vjeçare. E katërta, afatet e raundit të parë të aplikimit janë shumë të ngushta nga data 1 deri më 11 gusht.Pra, pak ditë mbeten për të plotësuar formularin.

Por, çfarë duhet të kenë kujdes maturantët në ndjekjen e  procedurave të aplikimit dhe regjistrimit, në programet e studimit të ciklit të parë?

Udhëzimi i ri është krejtësisht ndryshe nga udhëzimet e kaluara duke ndryshuar në mënyrë radikale mënyrën e aplikimit se si shkohet në universitet. Në vitet e kaluara maturanti pasi mbaronte detyrimet e shkollës së mesme i drejtohej drejtpërdrejtë IAL-së ku dëshironte të regjistrohej, tani ai duhet të bëjë aplikimin nëpërmjet formularit online që ka vënë në dispozicion Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Nëse, ai nuk plotëson këtë listë me preferencat për universitetet dhe programet, rrezikon të mos fitojë në universitetin që dëshiron. Maturantët duhet ta kenë të qartë, që edhe pse kanë dëshirë të shkojnë në një universitet të caktuar nëse, nuk e kalojnë aplikimin nëpërmjet këtij formulari online nuk mund të shkojë në universitetin e dëshiruar.

Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr.Tonin Gjuraj, ngre shqetësimin se për kufizime burokratike në këtë udhëzim të ri përkundër parimit “një kut një masë” që ka kërkuar vazhdimisht universitetet private.

“Parimi “një kut një masë” duhet kuptuar si standarde të barabarta dhe jo si kufizim burokratik i hapësirave të lira të veprimit që ofron kapitalizmi. Ky udhëzim nga pikëpamja burokratike e kufizon sektorin privat, megjithatë në emër të frymës së mirë, që ka ligji ne e kemi mirëpritur ligjin e ri të arsimit të lartë. Por, në disa raste fryma e mirë e vetë Kryeministrit dhe Ministres Nikolla nuk është reflektuar në nivelin e specialistëve të administratës”,- thotë Gjuraj.

Më, tej zoti Gjuraj thotë se: “Ky udhëzim duhet të kishte pasur parasysh më mirë arsyet që një maturant zgjedh sektorin shtetëror dhe pse ai zgjedh sektorin privat”. “Megjithatë, mesazhi im për të gjithë maturantët është që ata duhet të jenë të vëmendshëm gjatë këtyre ditëve dhe të lexojnë udhëzimin me shumë kujdes. Ne, si Universiteti Europian i Tiranës kemi vënë në dispozicion persona të caktuar dhe zyrat tona rrinë hapur me qëllim ofrimin e ndihmës për maturantët që kanë vështirësi në plotësimin e formularit online. Duke qenë se është një procedurë tërësisht e re, ne po kujdesemi që asnjë maturant të mos penalizohet për shkak të moskuptimit të procedurave dhe hapave të nevojshëm që dikton udhëzimi numër 13 i MAS”, thekson ai.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles