Maturantët që bëhen gati për të filluar universitetin duhet të jenë shumë të vëmendshëm në plotësimin e formularit online që ka nxjerrë ministria me anë të udhëzimit të fundit.
Afatet e lëna në dispizicion janë shumë të ngushta duke krijuar probleme që në nisje të këtij procesi.
Cilat janë të rejat e aplikimit të maturantëve për këtë vit?
E para, edhe universitetet private ashtu si dhe publiket do të jenë njësoj, të gjithë do të futen në sistemin e meritë-preferencë. E dyta, studentët do të zgjedhin 10 degë, por lista do t’u shkojë universiteteve pa renditje, ata do të vendosin vetë kë do të marrin apo jo nga kërkuesit duke respektuar kushtin që mesatarja e aplikantit të jetë mbi notën 6. E treta, të gjithë studentët që janë me mesatare nën 6 mund të shkohjn ë vetëm në shkollat profesionale 2-vjeçare. E katërta, afatet e raundit të parë të aplikimit janë shumë të ngushta nga data 1 deri më 11 gusht.
Po çfarë duhet të kenë kujdes maturantët në ndjekjen e procedurave të aplikimit dhe regjistrimit, në programet e studimit të ciklit të parë?
Udhëzimi i ri është krejtësisht ndryshe nga udhëzimet e kaluara duke ndryshuar në mënyrë radikale mënyrën e aplikimit se si shkohet në universitet. Në vitet e kaluara maturanti pasi mbaronte detyrimet e shkollës së mesme i drejtohej drejtpërdrejtë IAL-së ku dëshironte të regjistrohej, tani ai duhet të bëjë aplikimin nëpërmjet formularit online që ka vënë në dispozicion Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Nëse ai nuk plotëson këtë listë me preferencat për universitetet dhe programet, rrezikon të mos fitojë në universitetin që dëshiron. Maturantët duhet ta kenë të qartë që edhe pse kanë dëshirë të shkojnë në një universitet të caktuar, nëse nuk e kalojnë aplikimin nëpërmjet këtij formulari online nuk mund të shkojë në universitetin e dëshiruar.
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr.Tonin Gjuraj, ngre shqetësimin se për kufizime burokratike në këtë udhëzm të ri përkundër parimit “një kut një masë” që ka kërkuar vazhdimisht universitetet private.
“Parimi “një kut një masë” duhet kuptuar si standarte të barabarta dhe jo si kufizim burokratik i hapësirave të lira të veprimit që ofron kapitalizmi. Ky udhëzim nga pikëpamja burokratike e kufizon sektorin privat, megjithatë në emër të frymës së mirë që ka ligji ne e kemi mirëpritur ligjin e ri të arsimit të lartë. Por, në disa raste fryma e mirë e vetë kryeministrit dhe ministres Nikolla nuk është reflektuar në nivelin e specialistëve të administratës. Ky udhëzim duhet të kishte pasur parasysh më mirë arsyet që një maturant zgjedh sektorin shtetëror dhe pse ai zgjedh sektorin privat”,- thotë Gjuraj.