Universiteti Europian i Tiranës organizoi në datat 4-7 korrik shkollën e pestë verore me maturantë nga e gjithë Shqipëria
Për të pestin vit radhazi, me temë “Unë lideri” Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi shkollën verore të lidershipit me maturantë nga e gjithë Shqipëria. Traditës së UET tashmë i janë bashkuar edhe të rinjtë nga organizata World Vision, duke u dhënë mundësinë një numri më të madh të rinjsh të përfitojnë nga leksionet mbi lidershipin, lojërat e ndryshme dhe punën në grup. Dekania e Studentëve në UET, dr. Anisa Subashi sqaron se përzgjedhja e pjesëmarrësve është bërë në bazë të aplikimeve, ndërsa të rinjtë nga World Vision janë një vlerë e shtuar e këtij trajnimi. Subashi ka qenë edhe përkrahëse e edukimit mes moshatarëve, prandaj grupet e të rinjve kanë pasur nga një mentor që aktualisht është student i UET. Jona Vina, studente e vitit të tretë thotë se: “Të qenit i ri dhe të bashkëpunosh me të rinjtë dhe për të rinjtë është një mision sa individual aq edhe shoqëror, i cili të plotëson dhe formon njëkohësisht. Kur punon me ta, ndjen mbi supe përgjegjësinë për të kontribuar mbi edukimin social dhe kulturor të tyre, njëkohësisht edhe në argëtimin e tyre. Lideri i së nesërmes vjen si një individ i thjeshtë, i cili i përshtatet aktualitetit, duke u treguar i drejtë në vendimet e tij, vendime këto, të cilat nuk vijnë në kundërshtim me mbështetësin. Një lider iniciues për kauza të qëndrueshme dhe që i nevojiten shoqërisë.”
Maturantët patën mundësi të marrin leksione mbi negocimin e konflikteve nga dr. Tomi Treska, mbi përdorimin e gjuhës së trupit nga prof. asoc. Gilman Bakalli, mbi zgjedhjet ekonomike të shtetit apo tregut nga dr. prof. asoc. Adrian Civici, por patën mundësinë të dëgjojnë edhe leksione praktike mbi shkrimin dhe menaxhimin e projekteve nga msc. Lutjona Lule.
Seldi Sulejmani: Një lider studentor duhet të jetë kreativ
Veten e mendon si një lider në formim e sipër, pasi lideri sipas tij ka disa karakteristika kyçe që është duke i përvetësuar. Ndërsa pjesëmarrjen në shkollën verore të lidershipit ia sugjeroi një mikeshë që kishte aplikuar më parë. Për Seldi Sulejmanin nga shkolla “Bota e diturisë” në Fier, kjo eksperiencë ishte ndër më të bukurat. “Ka pasur kaq shumë momente të bukura dhe të paharrueshme saqë e kam të vështirë të përzgjedh. Por mendoj që lojërat në grup dhe përgatitja e projektit janë më të veçantat”, thotë ai. Për bashkëmoshatarët e tij do të donte që lideri të kishte aftësitë komunikuese, kreativitetin dhe sjelljen pozitive. “Mendoj se disa veçori të lidershipit janë të lindura, por ka disa të tjera të cilat përfitohen gjatë jetës dhe sipas meje këto të dytat janë më të rëndësishme. Karakteristikat kryesore që duhet të ketë një lider në fushën studentore janë: aftësitë komunikuese kreativiteti si dhe sjellje pozitive.” Në fund thotë se: “Do të doja te zgjaste më shume kjo aventurë. Mendova: Kaloi dhe kjo eksperiencë e bukur. Tani duhet të kthehem ne realitetin tim të përditshëm, dhe duhet të mendoj për jetën studentore që më pret.”
Ilda Methasani: Lideri nuk mendohet, por konkludohet nga sfidat dhe eksperiencat
“Gjatë këtyre katër ditëve qëndrim patëm mundësinë të përjetojmë momente realisht të bukura. Për mua vlen për t’u përmendur leksionet apo bashkëbisedimet diverse dhe shumë tërheqëse nga pedagogët. Leksionet që patëm mundësinë të dëgjojmë ishin të ndryshme jo vetëm nga përmbajtja por edhe mënyra sesi u përcollën. Prof. Adrian Civici na bëri për vete me qetësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte. Po aq interesant ishte leksioni i gjallë dhe ngacmues i prof. Tomi Treska, pa lënë mënjanë diskutimin dinamik dhe thumbues të prof. Rolandit si dhe leksionet e tjera. Të bukura ishin edhe bisedimet që vinin krejt spontanisht mes pjesëmarrësve mbi tema të ndryshme. Pa lënë mënjanë edhe gjërat argëtuese, punën në grup, si dhe “energiser”-at apo edhe loja shumë e bukur e “engjëllit sekret”. Të qënurit një lider nuk është diçka që mendohet por konkludohet nga sfidat dhe eksperiencat e ndryshme. Unë e shoh veten si një lider potencial dhe e them këtë duke u bazuar tek aftësitë që zotëroj dhe sidomos nga eksperiencat e ndryshme si lider i një klase, grup projekti apo edhe lojërave të ndryshme, aktiviteteve në varësi të situatës, duke shtuar së fundmi edhe spikatjen gjatë aktiviteteve në shkollën verore”, thotë Ilda Methasani, maturante e gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë. Ndër karakteristikat që ajo do të shihte te një lider studentor do të ishin “të jetë vizionar dhe energjik, i besueshëm, bashkëpunues dhe i drejtë gjithashtu shumë i vendosur ndaj përgjegjësive dhe detyrave që i shtrohen.” Eksperiencën në shkollën verore të lidershipit e përmbledh me fjalët “Njohuri, miqësi dhe argëtim”.
Aldi Kasmi: Stafi i mrekullueshëm i UET të bën të ndihesh si në familjen tënde
Maturant në gjimnazin e Milotit, Aldi Kasmi mendon se aftësitë e një lideri janë të shumta dhe njëherësh të veçanta. Ndërtimi i figurës së liderit, sipas tij, është produkt i mundësive që të jepen në jetë dhe shkolla verore UET ishte një ndër to. “Shkolla e lidershipit UET është shumë e rëndësishme në botën studentore dhe të maturantëve. Si e tillë informacioni mbi të shpërndahet gjithandej, por këtë vit këtij informacionin e mora edhe nga miqtë e mi që studiojnë në UET”, shprehet ai. Përvojat e mëparshme dhe angazhimet në shoqërinë civile e kanë ndihmuar që të jetë lider në jetën e përditshme. “Përvojat dhe eksperiencat e shumta më kanë ndihmuar te zhvilloj aftësitë e mia të lidershipit dhe më kanë tërhequr më shumë drejt kësaj bote. Socializimi me shumë të rinj të tjerë më ka ndihmuar shumë në këtë fushë.” Por përveç argëtimit, leksionet ishin edhe pjesa më e rëndësishme e këtij trajnimi. “Leksionet ishin shumë interesante dhe të vlefshme, sidomos për lidershipin, një fushë e cila ka një vend të rëndësishëm në jetën time. Leksionet ishin të gjitha shumë interesante, zoti Adrian Civici, Fleura Shkëmbi, Roland Lami spikatën në mënyrën e tyre të të interpretuarit, gjithashtu temat që trajtonin ishin shumë interesante. Gjithashtu mënyra e organizimit të kësaj shkolle ishte shumë profesionale. Stafi i mrekullueshëm i UET të bën të ndihesh si në familjen tënde”, thotë Aldi. Në këndvështrimin e tij, formimi i liderit është një proces kompleks dhe gjithmonë do të jetë dilema nëse lider lind apo bëhesh. “Ka shumë këndvështrime në lidhje me të qenurit lider, lind apo bëhesh? Për mendimin tim një lider të mirë të bëjnë eksperiencat e fituara gjatë jetës. Mundësitë që të jep jeta me kalimin e kohës janë shumë të rëndësishme dhe ato kontribuojnë në aftësitë e një lideri të mirë. Një lider duhet të jetë mbi të gjitha i dashur dhe i duruar, të dijë të drejtojë një grup dhe gjithashtu te bëhet si një pjesëtar i thjeshtë i grupit, të barazojë veten me anëtarët e grupit dhe mbi të gjitha të jetë një dëgjues dhe folës i mirë. Fitimi i besimit ndaj pjesës tjetër të grupit është shumë i rëndësishëm. Lideri duhet të ketë aftësinë për të motivuar dhe të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur.”