Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

‘Grand strategy’ si diskutim akademik dhe nevojë kombëtare

$
0
0

gran strategyNga Kristaq Xharo*

Strategjia madhore është sot mjaft e fuqishme në debatin akademik mbi çështje të sigurisë. Profesor Xharo nga Universiteti Europian i Tiranës shkruan se ajo orienton kombet si të përdorin të gjitha instrumentet e fuqisë kombëtare për të arritur objektiva specifikë të sigurisë në një botë vazhdimisht në ndryshim. Shqipëria pavarësisht se një vend i vogël ka nevojë për një strategji të madhe.

“Grand Strategy” apo Strategjia Madhore nuk është sinonim i strategjisë së sigurisë, as i strategjisë së mbrojtjes, apo ndonjë lloj tjetër strategjie fushe përfshirë edhe biznesin. Si koncept, Strategjia Madhore është vendosur në një hapësirë dinamike të interesit ku ndodhet bota akademike dhe elitat politike. Një numër i konsiderueshëm universitetesh elitare, në botë, e kanë zhvilluar si fushë të rëndësishme studimi dhe shumica e vendeve, pavarësisht madhësisë dhe fuqisë e konceptojnë si orientues të politikave të veta kombëtare. Pavarësisht faktit, që te ne ky koncept, më tepër, ndodhet në “terra incognita”, studiuesit, kërkuesit, universitetet dhe institucionet e tjera akademike mund të afrojnë kontribute potencialisht të rëndësishme për studimin dhe aplikimin e këtij koncepti madhor. Debati mund të realizohet jo vetëm duke zhvilluar përkufizim të termit dhe vijëzime të kontekstit, por edhe duke shpjeguar nevojën e evoluimit e aplikimit me interes madhor edhe në një vend të vogël.

Në vijim, ky shkrim synon të nxisë debatin për strategjinë madhore duke afruar opinionin në zhvillimet bashkëkohore, por pa marrë përsipër të japë modelin, për të cilin do të nevojitesh të angazhoheshin grupe akademikësh e ekspertë të lartë të fushave. Shkrimi duke afruar një qasje për të menduarit e SM (strategjisë madhore), në kushtet e vendit tonë , as më shumë e as më pak mbron idenë se zotërimi i një strategjie të tillë ka shumë më tepër interes, se sa mungesa apo injorimi i saj. Kjo vlen si për të kuptuar më thellë historinë, por edhe për t’u përballur më mirë me sfidat për sot dhe të ardhmen. Ka disa vjet, që në studime të thelluar UET zhvillon kurrikula për çështje të strategjisë dhe sigurisë. Ai ka meritën, se në gjurmët e universiteteve më cilësore në perëndim ofron ambientin, kurrikulat dhe stafin akademik, për të thelluar, për të zhvilluar e debatuar në konceptet teorike edhe për çështje të tilla, si strategjia madhore.

Për një shpjegim të termit ose çfarë është “Grand Strategy”? – Pa pretenduar në një term direkt në gjuhën shqipe, ky koncept mund të vinte në formën e ‘Strategji Kombëtare’ ‘strategji mbarë-kombëtare’, ‘Strategji Madhore’, apo ‘Strategji e Madhe”, që simbolikisht në vazhdim po e përcjellim “SM”.

Përse vlen SM? – Strategjia Madhore si koncept orienton kombet si të përdorin të gjithë instrumentet e fuqisë kombëtare për të arritur objektiva specifikë të sigurisë në një botë vazhdimisht në ndryshim. Lidëll Hart një nga teoricienët dhe historianët më të famshëm të strategjisë shprehet se Strategjia Madhore (SM) në botën moderne është arti i menaxhimit të burimeve të një kombi për mbrojtjen, sigurinë dhe përfaqësimin e interesave të tij, përballë kërcënimeve aktuale dhe të perspektivës. Me fjalë më të thjeshta, SM është një proces gjatë të cilit vendi/kombi “kërkon të gjejë hisen e vet nën diell”; është një reflektim i historisë së pandërprerë të vendit, krijim dhe vepër e brezave. (Liddell Hart, B. H. Strategy). Në të njëjtin orientim edhe Eduard Lutvak, autor i disa punimeve voluminoze për “grand strategy” e lidh konceptin me njohjen, vlerësimin, menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha burimeve në dispozicion të një vendi për sigurimin e objektivave kombëtarë strategjikë, përballë kërcënimeve reale dhe potenciale.

Si për autorët e mësipërm, por edhe për Kolin Grei, Robert Art, Kristofer Lein, Hju Stracan e të tjerë dallojmë idenë e përbashkët që Strategjia Madhore, merret me çështjet më themelore të kombit, në kohë paqe e lufte. Ajo (SM) vlerëson interesat jetike të një kombi. Ajo është më e madhja dhe më e rëndësishmja edhe për faktin se është ajo që arrin (duhet) të harmonizojë të gjitha llojet e tjera të strategjive: të sigurisë, të mbrojtjes, politike, diplomatike, ekonomike apo edhe atyre specifike, si pjesë e përpjekjeve të shteteve për mbijetesë dhe prosperitet. Për këta teoricienë, por edhe për shumicën e botës akademike “Grand Strategy”/ Strategjia Madhore është e lidhur, por jo sinonim i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Strategjisë Ushtarake, Konceptit të Rishikimit të Mbrojtjes, vizioneve apo Udhëzimeve të tjera Strategjike. Në të njëjtin kontekst, SM është e lidhur, por jo sinonim me strategjitë e tjera të fushave, jo pak të rëndësishme si e mjedisit, ekonomisë, kulturës etj. Veç e veç, apo së bashku arritjet e këtyre strategjive ushqejnë dhe forcojnë Strategjinë Madhore, po aq sa edhe referohen në konceptet themelore të saj.

“Strategjia Madhore”- si një paradigmë akademike. SM e shfaq veten sot në debate të fuqishme të interpretimit akademik. Edhe pse ajo ka zënë një vend të nderuar debati në elitat universitare perëndimore, ajo ende është në fillimet e veta në mjaft vende të tjera. Është interesant fakti që vendet e fuqishme debatin dhe konfigurimin për SM e bëjnë të hapur dhe gjithëpërfshirës. Ndërkohë që në një numër vendesh (kryesisht të vogla), SM orientohet dhe realizohet e kufizuar, e mbyllur, dhe deri në nivel “sekret”. Për sa i përket vendit tonë besohet se hapja e një debati për konceptimin e “Grand Strategy”, si një disiplinë e maturuar akademike, që orienton dhe qartëson elitat politike vjen në një kohë, mjaftueshëm, të vonuar. Në këtë kontekst, ajo më së pari duhet të afrohet në debat, të rivlerësohet në kritika e më pas, të kapërcejë hendekun që ndan botën akademike nga nivelet e vendimmarrjes. Nëse do të arrihej në fazën e maturimit “grand strategy” (SM) do të duhej të konfigurohej si guida më e rëndësishme strategjike madhore e do të mund të përdorej si një orientues vizionar për kombin.

Ndryshe nga “ndrojtja intelektuale” e elitave politike, hapja e debatit për “grand strategy” (për kujtesë të SM), në auditoret universitare, vjen edhe nga fakti se, për botën akademike ai paraqet një proces krejtësisht të hapur e debatues. Strategjia e Madhe në terrenin akademik paraqet një botëkuptim thellësisht human dhe bindës. “…nëse shumica e studimeve në shkencat politike janë shndërruar në zë, ata po ashtu kanë nevojë për tinguj. Strategjia Madhore , siç mund të imagjinohet, harmonizon zërat dhe tingujt duke dhënë skenarin operistik të jetës së kombit (Lutvak). Fakti, që strategjia madhore është një trinom i interesave themelorë strategjike, burimeve të fuqisë kombëtare dhe instrumenteve për të lidhur të parat me të dytat, mund të çojë te ideja se strategjia madhore mund të jetë ‘domen’ vetëm i vendeve të mëdha e të fuqishme. Kjo, sepse vendet e fuqishme i zotërojnë të tria elementet. Ndërsa vendet e vogla kanë një distancë midis interesave jetikë me burimet dhe instrumentet.

Por, a kanë nevojë vendet e vogla për një strategji madhore? Përdorimi i dy cilësorëve “i vogël” dhe “madhor” duket se krijon edhe dilemën më intriguese të problemit. Fakti, që SM harmonizon interesat me burimet e instrumentet, duket që shpreh një “domen” që mund ta zotërojnë vetëm fuqitë e mëdha, pasi ato mund të jenë në gjendje të integrojnë burimet dhe instrumentet për të realizuar interesat madhorë strategjikë. Ndërsa vendet apo fuqitë e mëdha e kanë kapërcyer debatin për posedimin e strategjive madhore, si nevojë për të ruajtur rolin e vet në skenën globale, çështja zhvendoset për vendet e vogla. A kanë nevojë dhe mundësi edhe vendet e vogla për një Strategji të Madhe? Më e thjeshtë dilema zhvendoset drejt faktit nëse mund të mbijetojnë vendet e vogla. David Mitran thotë se 100 vitet e fundit kanë qenë “triumfi” i vendeve të vogla. Sipas tij, ndryshe nga 1914, kur bota ishte arenë e fuqive të mëdha, bota sot, gjithnjë e më shumë po kthehet në hapësirë të kombeve të vogla. Më shumë se 50% e shteteve sovrane kanë një popullsi më pak se 5 milionë banorë dhe rreth 50 nga 193 shtete nuk i kalojnë të 1.5 milion banorë. Me terma të bindshëm cilësorë dhe statistikorë ai jo vetëm argumenton idenë e mbijetesës së vendeve të vogla, por edhe nevojën për një strategji madhore, që do të shërbente si guidë për të ardhmen e tyre.

Duke zhvendosur debatin në truallin konkret, arrijmë nëse, edhe shqiptarëve si një vendi të vogël, iu nevojitet një Strategji e Madhe? Sipas vlerësimit të mësipërm, një vendi “të vogël” në përgjithësi i mungojnë burimet e fuqisë njerëzore, ekonomike, të mbrojtjes, të sigurisë, pavarësisht se ka të njëjtat interesa themelorë jetikë si vendet e tjera (më të mëdha, më të fuqishme, të barabarta apo më të vogla) për ekzistencë, mbijetesë, prosperitet e siguri për të ardhme. Në këto kushte mosekzistenca e disbalancës midis interesave afatgjatë dhe mundësive të limituara rrezikon të shmangë nevojën për të një “strategji madhore”.

Në favor të zotërimit të një strategjie të tillë po rendisim disa nga mendimet se përse, një vendi të vogël, si Shqipëria i duhet një Strategji Madhore. Jo thjesht, sepse si thotë E. Lutvak, se edhe fqinjët tanë, që gjithashtu kategorizohen si “vende të vogla”, por me kapacitete të ndryshme, e kanë pasur, mund ta kenë apo më së paku nuk e kanë shmangur diskutimin. Qoftë edhe për këtë arsye, do të ishte, gjithashtu, minimalisht e mjaftueshme. Në një kontekst më të gjerë Strategjia Madhore është një domosdoshmëri sepse:

Edhe një vend i vogël, vendi ynë, pavarësisht nga kufizimet në burime të fuqisë, nuk mund të mos ketë objektiva për interesat e tij jetike kombëtare. Sigurisht, këto interesa do të jenë shumë më të ndryshme, krahasuar me SM të vendeve/fuqive të mëdha, dhe në rastin konkret do të fokusoheshin kryesisht në mbijetesën kombëtare, sigurinë dhe prosperitetin. Dhe për sa kohë që “strategjia e madhe” është i vetmi orientues, që harmonizon lidhjen ndërmjet interesave kombëtarë me veprimet që ndërmerren për realizmin e tyre, ajo (SM), në mënyrë të qartë – direkte apo për inerci spontane –reflektive ( Lutvak), e dimë apo s’e dimë, e njohim apo e injorojmë ajo do të jetë e pranishme.

Realizmi në mënyrë të ndërgjegjshme dhe inteligjente e një strategjie madhore do të jetë rruga më e mirë për të siguruar interesat jetike afatgjatë të kombit. Rruga spontane, që ka qenë prezente në historinë tonë me pika-këputje, është bërë më e vështirë dhe më e dhimbshme. Ajo, për të cilën jemi duket më shumë e realizuar si meritë e idealizmit kombëtar, traditës dhe kulturës kombëtare, shanseve të dhëna, të fituara apo të humbura, ku në mënyrë modeste shfaqet edhe inteligjenca kombëtare. Ajo është ndikuar për mirë apo negativisht edhe individëve që më shumë se drejtuar e kanë sunduar këtë vend.

SM efektive sigurojnë një qëllim të unifikuar dhe drejtim të përbashkët për elitat drejtuese, për hartuesit e politikave, për vlerësimin e aleatëve dhe aleancave strategjike. Një strategji madhore, për vendet e vogla (edhe për Shqipërinë) zvogëlon rrezikun e vendimeve kaotike të udhëheqjeve politike në referencë me këtë objekt.

SM, si qasje sistematike dhe e përllogaritur ndaj interesit kombëtar ndihmon në kontributin sistematik dhe afatgjatë të të gjithë aktorëve të interesuar. Ajo që i jep shansin elitave “të luajnë” në nivelin taktik dhe operacional, i orienton ato për të qenë “të limituar” e të maturuar në nivel strategjik. Përcaktimi i hapësirës “për të luajtur” përkufizon në nivel të riparueshëm gabimet apo dëmet në nivel taktik apo operacional dhe do të orientonte ndikueshëm vetë liderët. Ndërsa, gjithçka e gabuar edhe përkohësisht në nivel strategjik, nuk kufizon dëmet vetëm te liderët apo elitat drejtuese (sunduese), por zgjerohen në nivel kombëtar dhe me ndikime në kohë dhe në hapësirë. Fatkeqësisht, ka mjaft shembuj që elitat drejtuese, duke mos respektuar “nivelin e lojës” kanë injoruar apo humbur aleatë dhe aleanca strategjike për interesat e ngushtë politikë, të cilat krahasuar me interesat kombëtare, do të konsideroheshin shanse të humbura.

SM mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në rastin e vendeve të vogla, siç shprehet Kolin Grei, sepse ndihmon për të ruajtur e menaxhuar burimet e kufizuara të vendit duke mbikëqyrur shpërndarjen e tyre. Çdo elite, që i mungon njohja e strategjisë madhore, “mbytet” në çështje të momentit dhe shpërdoron burime fuqie, në të cilat do të mbështetej e ardhmja. Jo rrallë, elitat politike e kufizojnë vizionin e vet në nivel elektoral (4-vjeçar), duke mos u shmangur nga abuzimi i atyre burimeve, të cilat do të duhej të mbeteshin “qoshe” në themelet e kombit. SM ndihmon elitat për të modifikuar sjelljen e tyre politike në raport me interesat kombëtarë.

SM minimizon apo shmang “pikat e këputjes” historike, të cilat për fat të keq në historinë tonë si komb e më vonë si shtet shfaqen sa herë që ndryshojnë elitat drejtuese. Tendenca për fillimin e epokave “zero”, shfaqen si një trend aq tërheqës për këto elita sa jo rrallë dëmtojnë vijimësinë. Ndërkohë, SM do të mundësonte e jetësonte opsionin e njohjes e respektimit të vlerave, të vendosjes së “gurëve” në kështjellën e kombit, nga e shkuara në të tashmen, me vizion të ardhmen. Zotërimi i SM ndihmon që probabiliteti i mbrojtjes, dhe avancimit të interesave kombëtarë, nën skenar strategjik, të ketë shumë më tepër mundësi suksesi, në analogji me veprimet fragmentare që burojnë nga mungesa e saj.

Nën këtë vështrim, për sa radhitëm më sipër mund të jenë vetëm një numër argumentesh, që kufizohen edhe nga hapësira e këtij shkrimi. Debati lidhur me këtë tematikë mund të thellohet e zgjerohet dhe kontributi i secilit ndihmon më së paku në sensibilizimin e çështjes.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180