Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Rikthimi i mesatares, poshtë notës 6 nuk pranohesh në universitet

$
0
0

ShkollaKëshilli i Ministrave ka miratuar dje mesataren që do iu duhet gjimnazistëve për të shkuar në shkollë të lartë. Nxënësit me mesatare më të ulët se 6 nuk mund të shkojnë në universitet publik. Mesatarja përllogaritet mes tërësisë së notave të të gjitha lëndëve dhe notave të provimeve të maturës

Maturantët e 2016-s që kanë notë mesatare poshtë 6-s nuk do të kenë mundësi të konkurrojnë në universitet. Këshilli i Ministrave i ka dhënë fuqinë propozimit të Ministrisë së Arsimit. Vendimi i marrë dje në mbledhjen e qeverisë, vlen për universitetet shtetërore dhe ato private. Nota 6 vlen jo vetëm për kandidatët e Bachelor, por dhe për studimet e nivelit të dytë që është shkolla Master.

Në kuadër të reformës së mëtejshme që qeveria e majtë po ndërmerr në sistemin e Arsimit të Lartë, Këshilli i Ministrave mori dje vendimin për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e Arsimit të Lartë, për vitin akademik 2016-2017.

Këshilli i Ministrave vendosi se “Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e Arsimit të Lartë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e Arsimit të Lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6 (gjashtë).”

Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë; b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.

Përjashtohen nga mesatarja shkollat e larta profesionale. “Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit të ri, do të jenë institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Për zbatimin e këtij vendimi, janë ngarkuar Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore, dhe institucionet e Arsimit të Lartë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180