Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Rrjeti i pavarur i Rektorëve: SOS për konkurrencën dhe aktet nënligjore të Arsimit të Lartë

$
0
0

rektoret-“Universiteti, Zhvillimi dhe Inovacioni”. Rrjeti i Pavarur i Rektorëve inicion Konferencën e parë shkencore. Rektorët theksojnë statusin e ri të sektorit, si kontributor cilësor i Arsimit të Lartë në Shqipëri, pas 15 viteve nga universiteti i parë

 

-Lindita Nikolla: Reforma do të zbatojë parimin “një kut, një masë”, konsultim paraprak të akteve nënligjore me gjithë aktorët e sistemit

Si një prej shembujve më të mirë të impaktit që universiteti ka në politikat publike, ishte universiteti Polis, që ka mirëpritur konferencën “Universiteti, Zhvillimi dhe Inovacioni”, të organizuar nga Forumi i Pavarur i Rektorëve. Me pjesëmarrjen e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Rektorëve të universiteteve të pavarura shqiptare, kjo konferencë synoi të theksonte kërkimin shkencor dhe inovacionin si pjesë e pandarë e Arsimit të Lartë dhe në kontekstin kohor, të paraqiste sugjerimet e akademikëve për aktet nënligjore që po hartohen në kuadër të Reformës së Arsimit të Lartë. Në hapje të konferencës, Rektori i Universitetit Polis, Besnik Aliaj, tha se “Forumi beson se reforma dhe investimi më thelbësor për nevojat reale që ka vendi sot dhe për të ardhmen e tij, është garantimi i një sistemi vlerash dhe edukimi sa më cilësor që do të ishte shtylla kurrizore për një zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë aspekt, sot nuk kërkohet thjesht reformimi i arsimimit në këndvështrimin e mësimdhënies, por më shumë se kurrë kërkohet që universitetet të zënë vendin që u takon në shoqëri, duke qenë të dobishme për gjithë shtresat sociale. Kërkimi shkencor dhe ai i aplikuar apo dhe inovacioni, janë në këtë aspekt shtyllat kryesore dhe më të rëndësishme për t’u mundësuar këta objektiva zhvillimi.”

Reforma e Arsimit të Lartë nuk ka filluar akoma të zbatohet, ndaj shihet e nevojshme që të theksohet parimi, të cilin ministrja e Arsimit e cilësoi “një kut, një masë”. Në një kohë kur po përgatiten kritere të reja për pranimin në universitete, shqetësimi i universiteteve të pavarura është se ka një amulli për sa iu përket akteve nënligjore. Sot, institucionet shtetërore të Arsimit të Lartë zënë rreth 90% të sektorit, duke formuar praktikisht një sektor monopol. Universitetet e pavarura kërkojnë akreditimin ndërkombëtar nga agjencia angleze për të gjitha universitetet dhe gjithashtu vendosjen e konkurrueshmërisë si garantuesi më i cilësisë së edukimit. Kërkimi shkencor dhe inovacioni do të jetë në qendër të projekteve të këtyre universiteteve për vitet në vazhdim, me bindjen se dija universitare duhet të ketë impakt në jetën e qytetarëve dhe hartimin e politikave publike. Vetë ministrja Nikolla u shpreh se do të ketë një përfaqësim të të gjithë aktorëve të Arsimit të Lartë në hartimin e akteve nënligjore, që më pas do t’i hapin rrugë përfundimtare implementimit të reformës. Rektorët kanë theksuar statusin e ri të sektorit si kontributor cilësor në Arsimin e Lartë në Shqipëri, pas afro 15 vitesh nga hapja e universitetit të parë privat.

Lindita Nikolla: Reforma, sipas parimit “një kut, një masë”

“Ky është një moment i ri i debatit dhe i komunikimit tonë të përbashkët, në mënyrë që edhe me këtë paketë, ne jo vetëm të ushqejmë në frymë dhe në germë gjithçka që ligji i ri Arsimit të Lartë mëton të sjellë në institucionet tona pa dallim publike apo private, por pa dyshim, një debat i shëndetshëm për të mësuar realisht një orë e më parë atë që ne duam të ndodhë në institucionet tona të Arsimit të Lartë. Po, ne kemi sanksionuar të shpallim parimin “një kut, një masë”, por ne duam të jemi bashkë në një tryezë ku të gjithë përfaqësuesit e aktorëve të rëndësishëm të sistemit të debatojnë, të diskutojnë, hedhin ide dhe të zhvillojnë projekte të përbashkëta në atë që ne duam të jetë universiteti që ofron cilësi të re, që ofron mundësi të reja për vendin, për studentët dhe për pedagogët”, u shpreh përpara rektorëve, ministrja Lindita Nikolla, duke i parë si të drejta shqetësimet e tyre dhe premtoi se çdo vendim i mëtejshëm do të merret në konsulencë me të gjithë aktorët e sistemit. Ajo njoftoi se në Strategjinë Kombëtare të Shkencës dhe Inovacionit, që do të jetë një dokument themelor për zhvillimin e Arsimit të Lartë dhe mbi të gjitha kërkimit shkencor, universitetet do të jenë partnerë të padiskutueshëm. “Mendoj që jo vetëm strategjia e re kombëtare për shkencën, por pa dyshim edhe gjithë fryma e organizmit të jetës së re universitare, diversifikimi dhe konkurrenca që ligji i ri sjell për institucionet tona të Arsimit të Lartë, do t’i bëjë këto të fundit, grupin e studiuesve dhe shkencëtarëve gjithmonë e më shumë kompetitivë. Thënë kjo jo vetëm në drejtimin e thithjes së fondeve, por padyshim për t’i lidhur gjithmonë e më shumë ato me efektet zbatuese në kuptimin e efektshmërisë dhe përthithjes së vlerave të kërkimit dhe inovacionit në atë që ne duam të jetë zhvillimi ynë. Ne jemi deficitarë në kuptimin e mbështetjes që vijnë nga fondet publike, por mendoj që fusha e konkurrencës, idetë e hapura, dhe standardi i ri “një kut, një masë” për gjithë vlerësimin e institucioneve të Arsimit të Lartë do të mundësojë që ne të bëjmë edhe diversifikimin e financimit që lidhet jo vetëm me performimin e institucioneve të Arsimit të Lartë, por edhe në fusha si kërkimi shkencor dhe inovacioni. Ne do t’i promovojmë si risi të botës akademike, si risi të institucioneve tona të Arsimit të Lartë, që lidhin ngushtë akademizmin, pedagogjizmin me kërkimin shkencor”, përfundoi Nikolla.

Adrian Civici: Universitetet, të jenë pjesë e hartimit të politikave kombëtare

Ka qenë Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Adrian Civici, që ka referuar mbi dijen si një prej pesë faktorëve kryesorë të zhvillimit ekonomik global. “Tre detyra ka një universitet në historinë e tij. Të transmetojë dijen, të prodhojë dijen dhe ta grumbullojë dijen në biblioteka ose qendra informacioni. Të tria këto që duken bazat më klasike dhe më të sigurta të një universiteti, sot janë në diskutim, janë në dyshim në kuptimin filozofik dhe metodologjik të fjalës, për të kërkuar versionin më të mirë dhe janë në evoluim për të sjellë koncepte të reja. Në fakt, sipas gjithë statistikave, në të gjitha ato që ne i quajmë disiplina bazë, prodhohen dy libra të rinj çdo ditë. Kështu që sa të bindur mund të jemi nëse mendojmë se kemi zgjedhur një ose dy libra bazë, kemi realizuar transmetimin e dijeve dhe kemi çuar te studentët, specialistët e ardhshëm, ato dije që duhen”, tha Civici. Për të, universitetet duhet të zgjedhin të transmetojnë pa hezitim dijen e tregtueshme, pra dijen që krijon vlerë të shtuar në ekonomi. Gjithmonë e më shumë, cilësia e arsimimit po bëhet pjesë e indikatorëve të mirëqenies së një shteti, pasi ashtu siç dihet, është e vështirë të gjesh një shtet të zhvilluar me universitete jo cilësore, apo e anasjella. Ndër propozimet kryesore të profesor Civicit, ishin kthimi i bibliotekave tradicionale në qendra informacioni online për studentët, ku çdo i interesuar të ketë akses jo vetëm në librat fizikë, por në miliona libra dhe dokumente shkencore në botë. Propozimi i dytë ishte edhe përfshirja e universiteteve në hartimin e politikave publike. “Kërkohen vazhdimisht, edhe pas 26 vjetësh, këshillime me ekspertë të huaj, me organizata të ndryshme jofitimprurëse, por pak universitete janë prezente në projektet e mëdha të hartimit të politikave kombëtare. Ndërkohë që mund të ishin shumë më prezentë, për të kontribuar cilësisht, por njëkohësisht për të bërë një shërbim të pagueshëm, nga i cili edhe do të siguronin një pjesë të financimit të tyre.”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180