Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

ALUMNI-UET, inicion fushatën e donacioneve për bibliotekën e re

$
0
0

Ardian CiviciPresidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, flet për rëndësinë që ka ALUMNI për universitetin.

Në 10-vjetorin e universitetit, shoqata e ish-studentëve inicion fushatën e donacioneve për ndërtimin e një biblioteke të re.

ALUMNI është ura që e lidh njeriun me një nga momentet më të rëndësishme në jetë- diplomimin në universitet. Nëpërmjet shoqatës ALUMNI, ish-studentët e diplomuar ndër 10 vite të funksionimit të Universitetit Europian të Tiranës, kanë ngritur tashmë një strukturë komunikimi, ndikimi dhe tani dhe mbështetje për universitetin e tyre. Sot mblidhet asambleja e 6-të e kësaj shoqate në UET, për të vijuar më tej me një super festë që përkon dhe me festimet e 10-vjetorit të universitetit. Këtë vit ata kanë vendosur t’i japin dhe një dimension tjetër shoqatës duke u angazhuar në mbledhjen e donacioneve për ndërtimin e një biblioteke të re për universitetin. Ndër 10 vite, UET shënon 14 mijë studentë të regjistruar, prej tyre vetëm 5492 studentë të diplomuar (deri 2015), 2738 nga cikli Bachelor, 2678 nga Shkolla Master dhe 76 në ciklin e Doktoraturës. Së fundmi, ish-studentët kanë iniciuar fushatën e donacioneve për të kontribuar në rindërtimin e bibliotekës së re, duke futur një kulturë anglosaksone të sjelljes mes të diplomuarve me universitetin e tyre. Presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, flet për rëndësinë që ka ALUMNI për universitetin.

Zoti Civici, në 10-vjetorin e universitetit, ju keni organizuar një takim festiv me ish-studentët e shoqatës ALUMNI. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Në traditën më të mirë të universiteteve evropiane, por edhe amerikane, ALUMNI-t janë një kontingjent i rëndësishëm, që në njëfarë mënyre janë pasaporta dhe cilësia apo standardet më të mira që prodhon një universitet. Cilësia e këtyre studentëve janë dhe pasqyra ku ne shikojmë veten, se çfarë produkti ka nxjerrë universiteti, sa i vlefshëm është ky produkt për tregun shqiptar, për ekonominë shqiptare dhe për zhvillimin në përgjithësi. Përveç studentëve në proces në Bachelor apo Master dhe Doktoraturë, ne kemi ndërtuar edhe një sistem të veçantë, ne i ndjekim dhe mbajmë kontakte vazhdimisht me studentët tanë që kanë mbaruar, për të parë sesa përputhet punësimi i tyre me diplomën që kanë marrë, sa e shpejtë ka qenë koha e punësimit dhe me çfarë cilësie e standardi, si ka qenë ecuria e tyre në pagë dhe në karrierë dhe në këtë mënyrë arrijmë në një konkluzion nëse universiteti po e arrin rolin e tij në shoqëri, si faktor zhvillimi dhe edukimi apo çfarë ka nevojë për të ndryshuar dhe rregulluar në proces. Takimi që do bëjmë me rastin e 10-vjetorit të universitetit me ALUMNI-n, është jo vetëm një takim që ne do bëjmë me studentët tanë që na kanë besuar që në fillim e që kanë mbaruar në UET, nuk është vetëm një komunikim brezash që prezantohen si ish-studentë të UET, por është dhe një diskutim për të parë se çfarë mund të bëjmë më tepër në të ardhmen duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, si ata e vlerësojnë universitetin dhe ia kthejnë këtë vlerësim në vendet ku punojnë ose në karrierat e tyre.

Si kontribuon ALUMNI për universitetin?

Përveç takime të rregullta vjetore, kemi disa vjet që shpallim edhe çmimin e Karrierës për më të suksesshmin në karrierë nga ish-studentët tanë. Gjithashtu, ata janë edhe një urë lidhëse me botën e punës, me këto institucione ku studentët tanë realizojnë praktika mësimore. Në këtë aspekt, Bordet e Punës ne i kemi ngritur pothuajse tërësisht me ish-studentët tanë të ALUMNI-t. Kontributi i tyre deri tani ka qenë i shumanshëm dhe ne kërkojmë që ta zgjerojmë. Ky kontribut ka të bëjë me projekte bashkëpunimi mes institucioneve, ku ata punojnë dhe universitetit, duke vazhduar me tavolinat e rrumbullakëta ose workshopet, ku ne ballafaqojmë kërkesat dhe cilësitë që kërkon tregu i punës dhe si janë përkthyer këto në programet studimore. Më tej, me ndërkombëtarizimin e universitetit, ku partnerët që bashkëpunojnë – ish-studentët tanë në institucionet e tyre – duke krijuar edhe pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare të universitetit për të shkuar deri në kontribute konkrete që një pjesë e tyre japin qoftë në formën e donacioneve, qoftë në formën e financimeve të ndryshme, qoftë edhe në formën e orientimit të financimit që është në dispozicion nga institucione të ndryshme në favor të universitetit.

Kultura e donacionit është e re në praktikën shqiptare. Si po realizohet kjo me UET ALUMNI-n? A ka një projekt konkret?

Donacioni nuk është se bën pjesë në veprimet e jetës së përditshme. Është më tepër një kulturë anglosaksone protestante, që ka edhe ajo kuptimin e vetë historik, por e rëndësishme është përmbajtja dhe filozofia e saj. Donacion është të japësh për shoqërinë në interes publik. Në rastin tonë, vetë drejtuesit e ALUMNI-t kanë iniciuar një fushatë donacioni për të kontribuar në forma të ndryshme, përfshirë edhe donacionet financiare, për të përmirësuar disa aspekte të universitetit. Një nga projektet konkrete është ndërtimi i bibliotekës së re, sistemit të informacionit dhe për gjithçka që e rrit shërbimin që ju duhet sot studentëve.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180