Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Panairi i Punës në UET, kthimi i universiteti si qendër profesionalizmi

$
0
0

Panairi i PunesMinistrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi: I rëndësishëm bashkëpunimi biznes-universitet

Universiteti Europian i Tiranës në partneritet me biznesin shqiptar ka organizuar për shtatin vit radhazi “Panairin e Punës”, që u çel sot me pjesëmarrjen e 54 kompanive të ndryshme që operojnë në tregun shqiptar.

Studentët e sapodiplomuar apo që vazhdojnë studimet në UET dhe nga universitete të tjera kishin mundësinë që të kontaktonin direkt kompanitë për të punë apo për intershipe të ndryshme që i ndihmojnë ata për nisjen e karrierës së tyre profesionale.

E pranishme në çeljen e panarit ishte dhe Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, e cila e konsideroi të rëndësishëm këtë aktivitet dhe bashkëpunimin mes sektorit të arsimit dhe sektorit të biznesit.

“Dua t’u them faleminderit këtyre bizneseve që operojnë në territorrin e Shqipërisë që janë bërë pjesë e këtij panairi. Gjatë këtyre  viteve të organizimit të panairit, numri i firmave pjesëmarrëse ka qenë përgjithësisht i qëndrueshëm. Kjo do të thotë që dëshira juaj për të punësuar studentët në ato aktivitete që janë shumë të rëndësishme në jetën e vendit vazhdon të ngrihet e të mbahet e gjallë. Nga ana tjetër, kemi një situatë me forcat e punës rinore të cilat kanë nevojë të nxiten më tepër, të marrin pjesë në tregun e punës, prandaj edhe komunikimi biznes-student është shumë i rëndësishëm”, tha ajo.

Ajo theksoi se qeveria shqiptare aktualisht, ka ndërmarrë disa nisma për nxitjen e punësimit dhe për këtë arsye ka vendosur në dispozicion edhe një fond të nxitjes së punësimit, i cili në krahasim me vitin 2013 është katër fishuar – nga 90 milionë ka shkuar në mbi 400 milionë – ku u jepet përparësi punësimit të të rinjve, sidomos për të dalë nga niveli i papunësisë, sidomos për ata që janë nën moshën 30 vjeç.

“Ajo që të gjithë bashkë duhet të bëjmë shumë kujdes është që te gjithë bashkë duhet ta bëjmë mendjen të hapet si një parashutë që të shikojmë se çfarë mundësish ka për të investuar në ato sektorë që janë sektorë strategjikë të zhvillimit të vendit. Ju e dini që vëmendja e zhvillimit ekonomik sot është përqendruar në tre sektorë të rëndësishëm: sektori i agrobiznesit, sektori i industrisë së lehtë dhe sektori i turizmit. Ju lutem shumë të keni mundësi të bisedoni për këto situata të reja që mund të sjellë bashkëpunimi me biznesin”, tha ndër të tjera Ekonomi.

Përfaqësuesi i Deloitte Albania, Roben Papaj, gjatë fjalës së tij në emër të biznesit të pranishëm tha se “kjo është një ditë, ku biznesi dhe akademia bashkohen bashkë për të parë dhe për të ofruar kapitalin njerëzor që sistemi i arsimit të lartë pregatit për tregun shqiptar”.

“Është kurorëzim i përpjekjeve që bën universiteti për të përshtatur kurrikulat por edhe kompanitë kanë mundësi që më parë nuk e kanë pasur. Është inkurajuese që bashkëpunimi mes universiteteve, akademisë dhe biznesit të jetë më afatgjatë dhe bizneset të mos kthehen thjeshtë në konsumatorë të asaj çfarë përgatit sistemi arsimor por të ndikojnë në formimin e brezit të ri dh të kapitalit njerëzor”, theksoi ai.

Për Prof.Dr. Adrian Civicin, Presidenti i UET-it, Dita e Panairit të Punës është një nga ditët më të rëndësishme në aktivitetin vjetor të universitetit.

Sipas tij, pjesëmarrja disavjeçare e kompanive nga më prestigjozet në vend, por njëkohësisht edhe interesi i madh i studentëve, dëshmojë më së miri standardet dhe objektivat që UET ka për realizimin e këtij aktiviteti.

“Në historinë e tyre mbi 700 vjeçare universitetet kanë përjetuar një dilemë të trefishtë: nëse duhet të ishin qendra edukimi, qendra shkencore apo qendra profesionalizmi? Në fakt shekulli 21 dhe të gjithë diskutimet që bëhen pa harruar dy të parat, gjithnjë e më tepër po kërkojnë që universitetet të jenë qendra profesionalizimi, për t’iu përshtatur zhvillimeve të shoqërisë dhe për t’iu përshtatur zhvillimeve të tregut të punës. Në fakt edhe po t’i referohemi origjinës së fjalës “panair”, panair vetë do të thotë ballafaqim, do të thotë përballje, do të thotë bashkëveprim dhe bashkëpunim për të ofruar vendet e punës. Por jo vetëm vendet e punës. Për të dëshmuar gjithashtu se çfarë kompetencash dhe çfarë profilesh të diplomuarish kërkon e që përbën për ne detyrën e shtëepisë për t’i pregatitur por nga ana tjetër edhe studentë nga ata që janë ekselentë  e cilësorë , ambiciozë dhe shumë kërkues, që me cilësitë e tyre të kontribuojnë edhe ata në zhvillimin e mëtejshëm të biznesit”, tha Civici.

Më tej profesor Civici theksoi se ky bashkëbisedim është mënyra më e mirë për të prishur atë elementin disi negativ të statistikave të punësimit që tregojnë se punësimi deri në moshat 25-30 vjeç ka vështirësitë më të mëdha dhe nivelet më të ulëta.

“Hapja e derës së tregut të punës për specialistët ekselentë nëpërmjet këtij bashkëveprimi dhe kontakti direkt është mënyra më e mirë dhe unë ju garantoj që asgjë nuk zhvilohet në mënyrë kaq rastësore sa duket. E gjithë dita e sotme e panairit do të përkthehet në një rishikim të programeve, rishikim të të gjithë punës sonë me studentët për t’i bërë ata sa më profesionistë, nën optikën që në fund të fundit studimet universitare janë investim nga i cili gjithëkush pret që të ketë efiçencën maksimale”, përfundoi Civici.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180