Në një studim mbi komunitetin më të vjetër rom në Shqipëri, atë të Levanit në Fier, studiuesja Nevila Koçollari, e Universitetit Ismail Qemali në Vlorë, tregon me imtësi përjashtimin, arsyet e këtij përjashtimi dhe pasojat që ai sjell mbi këtë kategori njerëzish.
Punimi i saj paraqet sfidat që tradita rome vendos përballë integrimit social dhe pikat e forta që nxitin këtë proces për grupet rome në komunën e Levanit, të ndara në dy fise me eksperienca e mendësi të ndryshme: Fisi Meçkara, i lidhur më shumë me integrimin, dhe Kallbuxhët, tradicionalisht shëtitës, sot më pak. Punimi i Koçollarit tenton të gjejë një përgjigje në lidhje me pyetjen, nëse përjashtimi social i romëve është produkt i perceptimeve të përkatësisë etnike, apo ndikohet nga kultura e varfërisë. Gjetjet tregojnë se sfida më e madhe që romët vazhdojnë të raportojnë përballë integrimit, është lypja, sidomos për romët kallbuxhë, nga e cila ata sigurojnë të ardhura që sfidojnë modelet e tjera të punësimit dhe edukimit. Nga ana tjetër, modelet e familjeve rome socialisht të integruara, janë vazhdimisht një shtysë për ndryshimin e mentalitetit, sidomos tek të rinjtë romë, që kanë nisur të kthejnë sytë nga shkolla dhe biznesi. Në studim thuhet se “Arixhinjtë e Levanit ”, është një shprehje tipike shqiptare, që simbolizon episode sjellore, lidhur me lëvizjet e shumta, të tepruara të njerëzve nga një vend në tjetrin, bagazhet e ekzagjeruara për udhëtim, nxirjen e tepërt nga rrezet e diellit në verë. Përveç se krahason, ajo tregon edhe faktin, se popullata rome e Levanit, ka qenë më e njohura për popullsinë shqiptare. Nuk ka shifra të sakta për popullatën rome, sepse asnjë regjistrim zyrtar në Shqipëri nuk i ka evidentuar romët, edhe pse jetojnë në shumë zona te vendit ( INSTAT, Buletini Statistikor, 2003). Punimi është një përpjekje për të treguar fizionominë e grupeve rome në komunën e Levanit, duke u përqendruar tek modelet e integrimit dhe historitë gojore të tyre. Levani ka rreth 500 familje rome, të regjistruara, të ndara në dy grupe të mëdha: Meçkara, pronarë tokash dhe Kallbuxhët, që nuk kanë tokë. Vëzhgimi i grupeve rome që bashkëjetojnë në një territor, sjell mundësi të mira krahasimi për modelet e jetesës që zhvillojnë grupet përkatëse. Gjetjet tregojnë se sfida më e madhe që një pjese e romëve (kallbuxhët) i bëjnë integrimit social të tyre është lypja. Pikërisht lypja, i diferencon grupet rome nga njëri-tjetri. Studimi thotë se çështjet janë parë nën dritën e punës sociale, profesion që ndikon në ndërtimin e kapaciteteve ndihmëse, në ndërgjegjësimin e romëve për vlerat e tyre dhe në orientimin e mundësive, sipas politikave të zhvillimit të zonës. Metodologjia e studimit Baza teorike e punimit përbëhet nga konsultimi me materiale dhe informacione zyrtare vendase dhe të huaja. Sipas “Pakicat dhe mbrojtja e të drejtave të tyre në Shqipëri, Konventa, legjislacion, raporte dhe materiale shpjeguese mbi pakicat kombëtare”, botim i QSHNI, Tiranë 2004, f.155, pohohet se romët në Shqipëri janë minoritet gjuhësor që jeton i lirë, jo në kampe. Arixhinjtë, jemi mësuar t’i perceptojmë si popull pa atdhe, fakt që konfirmohet dhe nga te gjitha burimet e literaturës ndërkombëtare. Romët jetojnë në Shqipëri që prej më tepër se 600 vitesh (A. Trushaj, historian, 2009) . Ata kanë arritur në Shqipëri para pushtimit Otoman dhe për arsye sigurie, kanë ndryshuar besimin e tyre fetar, në besim mysliman, siç bëri një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare në atë kohë. Gjatë Luftës II Botërore, romët e Shqipërisë nuk u persekutuan në kampet e vdekjes, siç ndodhi në shumë vende të Evropës Lindore. Ata kanë marrë pjesë në luftë me ushtrinë shqiptare kundër pushtuesve të huaj. Pas luftës, shteti shqiptar ndoqi politikën e asimilimit ideologjik dhe të homogjenizimit të kombit shqiptar, duke e konsideruar këtë komunitet si pjesë të popullsisë shqiptare, por deri në vitin 1960 romët e Shqipërisë bënin ende jetë nomade. Mendohet se urbanizimi që i imponoi shteti komunist shqiptar romëve, bëri që pjesa më e madhe e tyre të humbasin gjuhën. Ata nuk e shkruajnë gjuhën e tyre dhe nuk kanë asnjë shkolle ku ta mësojnë atë. Në përputhje me politikën e punësimit të plotë, shteti komunist ishte i detyruar t’u siguronte punësimin si burrave, ashtu edhe grave, në funksion të nivelit të shkollimit dhe të aftësive të tyre. Koçollari thotë se në vitet 1990, shqiptarët u njohën me termat “Rom” dhe “Gypsies”( Marushiakova & Popov, 2003). Me përmbysjen e komunizmit dhe me fillimin e ndryshimeve demokratike, romët ishin të parët që humbën punësimin dhe shkuan me shpejtësi në fund të klasifikimit social. Fëmijët romë u shndërruan masivisht në lypsa dhe viktima të trafiqeve të ndryshme të personave dhe organeve, si dhe të prostitucionit. Nga studimi paraprak i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, për hartimin e Strategjisë Kombëtare për komunitetin rom (Tiranë, 2003), rezulton se situata ekonomike e romëve të Shqipërisë dhe kushtet e jetesës janë në nivele shumë të ulëta për shkak të papunësisë, që është në shifra disa herë më e madhe se pjesa tjetër e popullsisë jo rome. Kushtet e shëndetit dhe të strehimit, thotë studimi, kanë qenë dhe janë shumë të këqija për një pjesë të madhe të tyre, fakt që i klasifikon ata si grupe të varfra në Shqipëri. Aktualisht, të dy grupet rome, raportojnë se ndiejnë diferenca të dukshme me pjesën më të madhe të popullsisë. Nga ana tjetër, arrijnë të kuptojnë se përkojnë në vlera me mazhorancën, por nuk mund t’i pranojnë të gërshetuara në këmbim të zhvillimit. Romët janë të vetëm në përballimin e problemeve, sepse e quajnë veten primitivë karshi të tjerëve dhe tërhiqen për të mos u përzierë në shoqërinë e madhe.
Sfidat në mjedisin rom në Levan janë të mëdha; nga njëra anë dëshira për integrim, nga ana tjetër rrënjëzim i kallbuxhëve te lypja, e cila mundëson fuqizimin problematik të tyre, pasi me te ardhurat e siguruara nga lypja ata sigurojnë vendstrehim dhe ushqim. Tradita i detyron romët të jenë të izoluar, ndërsa zhvillimi i gjen të papërgatitur psikologjikisht dhe moralisht të kapërcejnë pengesa e paragjykime për një status e pozicion social më dinjitoz. Kjo dilemë duket se do të vazhdojë për sa kohë mungon zbatimi i strategjisë kombëtare për romët. Ndonëse grupet rome dallojnë mes tyre, përsëri mbeten të varfra dhe në nevojë, pasi edhe brezat e rinj të romëve meçkara ose emigrojnë, ose punojnë, duke qenë të përjashtuar relativisht nga edukimi. Proceset e rritjes urbane dhe tranzicioni shqiptar, nuk zbutin izolimin për romët, por rritin mundësinë e thellimit të paragjykimeve. Kjo tregon koston e lartë që tranzicioni vendos për këto grupe. Ky realitet nuk prek vetëm raportet mazhorancë-romë, por dhe vetë grupet rome, që komunikojnë keq ndërmjet tyre për zonat e zotërimit të “tregut të pronave”, atij të punësimit, prirjes së shkollimit etj. Në një situatë ku puna e vazhdueshme pothuaj mungon, duhet stimuluar edukimi i fëmijëve dhe brezave të rinj, si edhe çelja e kurseve artizanale profesionale, si rrobaqepësi, punim hekuri, për të aftësuar ata që nuk pranojnë të shkollohen. Duhen tërhequr në programe të tilla gratë, simboli i lypjes, bashkë me fëmijët. Duke mundësuar profesionet para-sjellëse, ndryshimet në mentalitet do të jenë më afër.