Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Tablet dhe smartphone; për mësuesit e ardhshëm zgjidhja është teknologjia

$
0
0

tablet dhe smartphore-e ardhmja e arsimit-Microsoft mblodhi në Budapest 400 mësues nga e gjithë bota, me objektiv zgjidhjen e problemeve të arsimit përmes teknologjisë.

-Katër histori të treguara nga ata, që përmes inovacioneve të vogla teknologjike po nxisin mënyra të reja të mësimdhënies

Plot 400 mësues nga 82 vende të botës u mblodhën në Budapest javën e kaluar. Teknologjia ishte pasioni i përbashkët që bashkoi kultura, tradita dhe histori krejt të ndryshme. Nën moton “Hack the classroom”, ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e Microsoft, si pjesë e programit Microsoft E2 Global Educator Exchange. Qëllimi ishte që të gjenden zgjidhje inovative për të përballuar vështirësitë që hasin mësuesit e së nesërmes në klasa. Probleme këto shumë të ndryshme nga ato të disa dekadave më parë: Nga kërcënimi terrorist, deri te ndryshimet klimaterike, duke kaluar përmes barrierave gjuhësore. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa probleme që i gjejmë kudo në jetën tonë përtej klasave. Dhe në të njëjtën mënyrë që kanë ndryshuar sfidat, ashtu kanë ndryshuar edhe mënyrat për t’i përballuar. Nuk duhet të frikësohemi nga bota digjitale sot, por përkundrazi duhet ta përqafojmë atë.

Ekipi që përfshin Shtetet e Bashkuara, Vietnamin dhe Gjermaninë, ka simuluar një përkthyes digjital për klasat multikulturore. Dyshja Japoni-Australi është përqendruar në mësimdhënien e personalizuar përmes programeve të caktuara. Republika çeke dhe Finlanda kanë hedhur idenë e krijimit të grupeve të punës, me qëllim zhvillimin e aktiviteteve përfshirëse për studentët që jetojnë në pjesë të tjera të globit. Të tjerë kanë shfrytëzuar Skype-n për të përfshirë në klasë nxënës që nuk kanë mundësi të shkojnë. Por këta janë thjesht disa shembuj. Përtej këtyre, ka gjithçka tjetër që një mendje kreative mund të imagjinojë.

Minecraft, video-lojëra, kurse online dhe Google Maps – katër histori të mësuesëve hi-tech

Në Brazil është shumë i famshëm, thuajse një yll muzike. U përgjigjet më shumë se 30 email-ve në ditë, mban konferenca dhe seminare në çdo cep të vendit dhe gjithashtu ka një kanal shumë popullor në Youtube. Pasioni i tij janë video-lojërat, aq sa ndodh shumë herë që ta shohësh të veshur si një personazh i Minecraft. Është e vështirë t’i gjesh identitetin e vërtetë. Megjithatë, Francisco Tupy, 35-vjeçari që shpjegon arsimimin përmes teknologjisë në një shkollë bilinguale në Sao Paolo, është ndër profesorët inovativë më të zotë në Amerikën Latine. Projekti i tij u vlerësua me një çmim në Budapest. Objektivi ishte i qartë: Gjetja e zgjidhjeve digjitale për problemet analoge. Pas sfidave treditore, Tupy prezantoi krijimin e tij përmes një simulatori zgjidhjesh. Një fitore mëse e merituar. “Ideja ime”, shpjegon, “është të shkoj përtej përdorimit klasik që u bëhet video-lojërave”.

Pra, jo më për t’i përdorur si mjete të pastra argëtimi, por për të nxitur përmbajtjen e personalizuar. “Duke bërë këto lojëra, ne mund t’i përfshijmë studentët në aktivitete ndërdisiplinare. Gjithashtu mund t’u japim atyre mundësinë për t’i krijuar. Kështu mund ta transformojmë klasën në një studio kreative”. Por kjo nuk është mënyra e vetme si Tupy i përdor këto pajisje në auditor. “Për mua teknologjia është një lloj gjuhe. Gjithmonë, përpara se të filloj leksionin, pyes veten se si mund ta përdor për t’i surprizuar studentët”. Kujtimi më i bukur vjen falë Kukumës: Një projekt edukativ që zhvillohet në një kamp refugjatësh në Kenia, ku çdo mësues ndjek nga 150 në 200 të rinj dhe çdo tekst është i ndarë mes 10 nxënësve. “Mbajta një leksion përmes Skype dhe studentët që ishin atje më dërguan një selfie gjatë kohës që dëgjonin diskutimin. Kjo gjë më preku pa masë.” Dhe për ata që kanë pak burime në dispozicion, Tupy sugjeron: “Mjafton që të kuptoni principet bazë të pajisjeve hi-tech, më pas përdorni imagjinatën”.

Me siguri që kreativiteti nuk i mungon edhe “fqinjës” së tij, Melina Ignazzi, tridhjetëvjeçare nga Argjentina, mësuese e anglishtes në një shkollë publike në Buenos Aires. “Çdo burim që ju mund të mendoni, ne nuk e kemi”, tregon ajo. Mungesa më e madhe? Pamundësia për t’u lidhur në rrjet. Ama kjo është një situatë që nuk e ka penguar t’i drejtohet inovacionit. Duke pasur parasysh edhe faktin që sot gati askush nuk është i privuar nga një smartphone. “Të gjitha detyrat që u jap nxënësve kanë të bëjnë me teknologjinë. Për shembull, kur kemi mësuar parafjalët e vendndodhjes, i kam udhëzuar që të tregojnë mbi lagjen e tyre duke përdorur Google Maps”. Në një tjetër ushtrim, nxënësve u duhej të gjenin një lajm në gazetë. Më pas duhet të krijonin një histori të trilluar duke punuar mes tyre përmes Word Online. Kjo ishte një metodë që i ndihmoi të zhvillonin një shpirt kritik në seleksionimin e informacioneve të rrjetit. Pra, për të kuptuar se cilat ishin lajmet e përshtatshme dhe cilat jo. “Te ne ekziston akoma një sistem arsimor shumë tradicional. Nga njëra anë është një mësuese që shpjegon mësimin, dhe nga ana tjetër janë nxënësit që mërziten shpejt duke humbur përqëndrimin. Pajisjet hi-tech janë një mënyrë për të ndryshuar pozicionin e tyre pasiv me qëllim përfshirjen”

E njëjta filozofi edhe në një cep tjetër të botës. Në Breshia, Itali, profesoresha e matematikës Virginia Alberti, thotë se në institucionin ku ajo jep mësim nuk mungojnë mjetet. Por në fakt, nuk duhen shumë të tilla sepse për t’i ndryshuar gjërat përmes një prekjeje, mjafton shumë pak. “Tani që mungoj në auditor, koordinohemi përmes platformave online”, thotë Alberti nga Budapesti. “Unë u jap ushtrimet studentëve dhe ata i zhvillojnë, disa drejtpërdrejt në rrjet dhe të tjerë përmes letrës dhe lapsit. Ama të gjitha këto digjitalizohen përmes Office Lens, një aplikacion falas për të gjithë. Gjithashtu, në shumë raste përdor edhe Flipped Lessons, falë një materiali didaktik të vënë në dispozicion nga Politeknikumi i Milanos.” Kjo është një taktikë që i afron studentët me gjuhën universitare dhe përmbys skemën klasike të mësimdhënies. Profesoresha tashmë nuk shpjegon më leksionet që të rinjtë i kanë mësuar që në shtëpi, falë teksteve dhe videove të disponueshme në rrjet, por i diskuton në klasë me ta. “Ndërsa shohim videot, u them studentëve që të shkruajnë mendimet e tyre në tablet. Kështu ata ndihen më të lirshëm dhe nuk ka asnjë që nuk flet për shkak të mendimit se mund të thotë ndonjë budallëk. Mendimet e tyre i projektoj në mur dhe e bukura është të shohësh se si mendimet e shprehura qartë aprovohen nga të tjerët. Rezultati? Më thonë: A e di që tani vij me qejf në leksion?”

Pas një eksperience në shkencat informatike, Brian Aspinall nga qyteti i Ontarios në Kanada vendosi t’i përkushtohej mësimëdhënies në shkollën fillore. Në klasë ka arritur t’i miksojë të dyja gjërat: Mësimdhënien me informatikën. Dhe këtë e ka arritur përmes Minecraft, lojës legjendare të ndërtimit, e cila për hir të së vërtetës është gjithmonë e më popullore në shkolla. “Fëmijët e moshës shtatë apo tetë vjeç janë ekspertë të vërtetë. Ata janë mësuesit e vërtetë, unë thjesht e përdor lojën. Kjo lojë bazohet dukshëm në koncepte matematikore. Por jo vetëm, pasi përmes kësaj mund të mësosh historinë dhe gjeografinë duke ndërtuar mjedise të caktuara.” Nuk është çudi që nëpërmjet kësaj loje të bëhen edhe mrekulli. “Një ndër nxënësit e mi, i prekur nga autizmi, ka vështirësi në shprehjen e mendimeve vetjake. Falë Minecraft arritëm për herë të parë që të shikonim në ekran aftësitë e tij matematikore. Ishte një moment shumë i rëndësishëm si për mua ashtu edhe për prindërit e tij.”

Përktheu: Erjon Uka, nga “La Repubblica”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180