Historia e studentit të Juridikut në UET, që u kthye nga SHBA për të vazhduar karrierën në PD, duke u zgjedhur kreu i FRPD-së, në qytetin e lindjes, Berat
Në Shqipëri has çdo ditë, të rinj që duan të largohen nga vendi, për studime, për punë, por rrallë has të rinj që e kanë provuar jetën në Perëndim dhe kanë vendosur të rikthehen për të ndërtuar jetën dhe karrierën këtu. Enea Dardha është njëri prej tyre. Ai studion Juridik në UET, në vitin e dytë dhe para pak ditësh ka arritur të zgjidhet kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në qytetin e tij të lindjes, Berat.
Po pse një zgjedhje e tillë?
“Jeta ime është e lidhur me politikën dhe me Partinë Demokratike. Që kur isha i vogël prindërit më merrnin në tubimet e kësaj partie dhe kam në kujtimet e mia, disa foto me presidentin e asaj kohe, Sali Berishën. Duke u rritur, unë isha ndjekës i politikës dhe aktiv në strukturat e saj, për të mbërritur sot te ky moment, ku pas një fushate të gjatë dhe të bukur, në çdo fshat e çdo lagje, mora besimin e të rinjve të Beratit, për t’i përfaqësuar”, thotë ai. Ene ka jetuar dhe është shkolluar prej disa vitesh larg Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi për t’u kthyer? Një vendim i tij tërësisht personal, për të rigjetur veten dhe rrugën që donte të ndërtonte, atje ku e kishte nisur duke e nisur çdo gjë nga e para.
Ndoshta ishte kujtimi për atë emocionin që i jepnin fushatat, aktivizimi politik, njerëzit dhe komunikimi me ta. “Kam një lidhje të vjetër dhe të çuditshme me PD-në. Kur kam qenë vetëm 10 vjeç, dega e Beratit më dha një teserë anëtarësimi si dhuratë për demokratin më të vogël dhe aktiv që kishte qyteti i Beratit. Kjo për mua do të thotë shumë dhe tani është koha që unë të luftoj me të vërtetë për vlerat e djathta.”
Enea thotë se krahas angazhimit politik, arsimimi është gjëja më e rëndësishme për të, për momentin. “Universiteti është sigurisht i rëndësishëm, që jo vetëm të ndihmon të formohesh dhe aftësohesh më shumë, por edhe të krijon mundësinë për njohje të reja, për komunikim me të rinjtë dhe aktivizim konkret. Madje, besoj se kjo ka qenë një shtysë e mirë drejt fitores time”.
Ndoshta fitorja e forumit rinor, e bëri atë personazh për këtë shkrim, por ai sjell edhe një mesazh shumë të fortë për të gjithë të rinjtë shqiptarë: “Vendi ka nevojë për të rinjtë aktivë, që të luftojnë për të mirën e përbashkët dhe jo për të rinj të cilët largohen, duke gjetur kështu mënyrën më të lehtë për të zgjidhur gjërat”, thotë Enea.