Vilma Beqa zgjidhet Presidente e Qeverisë Studentore. Julian Bendo, nga viti i tretë, do të jetë Zv/presidenti i ri, ndërsa studentja e Juridikut, Dea Llagami do të mbajë postin e Sekretares së Përgjithshme
Studentët kanë liderët e tyre. Gjatë një procesi shumë transparent, senatorët e çdo programi studimi kanë votuar për të zgjedhur Presidentin e Qeverisë Studentore UET. E pranishme, Dekania e Studentëve, Anisa Subashi, duke folur para tyre bëri një përshkrim të gjithë procesit zgjedhor, nga bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku çdo program studimi i çdo viti zgjodhi senatorët përkatës, e deri te votimi.
Ajo gjithashtu vuri theksin në rëndësinë e një detyre të tillë dhe përgjegjësinë që çdo senator duhet të ketë për angazhimin që ka marrë përsipër. Një risi për këtë qeveri studentore është edhe pjesëmarrja e studentëve të nivelit Master.
Vilma Beqa, studente e vitit të parë në Marrëdhënie Ndërkombëtare, do të jetë Presidentja e re e Qeverisë Studentore në UET, një traditë e organizimit të vetë studentëve që nga hapja e këtij universiteti 10 vite më parë.
“Nuk ka nevojë të kesh një post që 20 vjeç. Mjafton të kesh një vizion. Mjafton të kesh besim tek e ardhmja. Unë jam idealiste. Edhe kur 99 për qind e gjërave janë keq, shoh atë 1 për qind që është mirë. Shqipëria ka shumë të rinj që shpresojnë, punojnë ose studiojnë, këtu apo jashtë vendit me mendimin për t’u kthyer. Unë besoj se shpresa e tyre është më e fortë se pesimizmi i prindërve. Si Presidente e Qeverisë Studentore UET do të përpiqem që mesazhi i punës sonë të shkojë deri tek studenti i bankës së fundit. Dëshiroj të krijoj një sistem funksional, pra që qeveria të mos jem vetëm unë. Synoj një Qeveri Studentore që të mbahet mend, por jo për ndonjë gjë të madhe që mund të thuhet, por për atë që bën. Premtimi im: Jo para studentëve si e UET, por para UET si e studentëve.
Zakonisht nuk flas kur nuk kam diçka për të thënë. Por, të rriturve do t’u thosha: Kujtoni kur keni qenë dhe ju të rinj dhe na kuptoni. Mos prisni “pjekuri” prej nesh por na vlerësoni për atë që kemi, “besimin tek jeta”. Vazhdoni të na mësoni që gjërat nuk arrihen pa mundim, por me sa më pak “nuk” dhe “mos”. Na tregoni 99 rrugët ku NUK duhet shkuar, jo vetëm atë një ku duhet shkuar”, – shprehet Presidentja e re e Qeverisë Studentore UET.
Ishin nëntë kandidatë në garë për t’u zgjedhur në funksionin më të lartë drejtues të studentëve, kryesisht nga viti i parë. Përpara votimit, secili prej tyre bëri një prezantim të shkurtër të vizionit të tij udhëheqës duke u ndalur më shumë në përfaqësimin dinjitoz të studentëve dhe zgjidhjen bashkërisht të problemeve.
Kandidatët ishin: Odela Preni, Rinold Kaca, Vilma Beqa, Xhoi Bare, Dea Llagami, Andorel Ndoj, Eri Guce, Eleni Sina dhe Arta Feca. Në fund të votimit, Vilma Beqa, studente e vitit të parë në Marrëdhënie Ndërkombëtare, u shpall fituese me një diferencë të konsiderueshme votash. Postin e zëvendëspresidentit do ta mbajë Julian Bendo nga viti i tretë, ndërsa sekretare e Përgjithshme do të jetë Dea Llagami, nga viti i parë Juridik.
Gjuraj: Presidenti, i pari midis të barabartëve
Përcjellja sa më e shëndetshme e politikave dhe projekteve akademike të UET tek studentët mbetet shqetësim i vazhdueshëm i rektoratit të universitetit. Për këtë arsye, Qeveria Studentore do të jetë në fokus të vazhdueshëm të punës akademike të zyrës së Rektorit dhe Dekanes së Studentëve.
Pas zgjedhjeve të Dhjetorit, me formimin e qeverisë së re të përfaqësuesve studentë, në mënyrë që gjërat të ecin më mirë, sinergjia studentë-administratë është e domosdoshme.
Si një shtysë përfundimtare në drejtim të një gare ambicioze deri në fundin e saj, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr Tonin Gjuraj, zhvilloi një takim me 8 kandidatët e shpallur në garën për postin e presidentit të Qeverisë Studentore para zgjedhjeve për president.
Ai u shpreh se ka qenë në vijimësi të ndjekjes së procesit zgjedhor studentor përmes informimit të vazhdueshëm nga ana e Dekanes së Studentëve, Anisa Subashi, por edhe nga përfundimet e monitoruesve të KQZ-së që kanë instruktuar procesin nga fillimi në fund. Profesor Gjuraj tha me entuziazëm se ka vërejtur konkurrencë në këtë fazë të fundit të procesit, si pasojë e cilësisë së kandidatëve për president të Qeverisë Studentore.
“Ne si Rektorat jemi të baraslarguar në mbështetje nga të gjithë kandidatët. Ajo çfarë na intereson është që personi që do zgjidhet në atë përgjegjësi, të jetë i vetëdijshëm për pozicionin që merr dhe të vijojë të punojë fort që ta rrisë nivelin e qeverisjes studentore të UET. Ju do të na kërkoni fort, ne do t’ju krijojmë të gjitha hapësirat e nevojshme. Në fakt, ne kemi nevojë për ndihmën tuaj në menaxhimin e burimeve njerëzore në këtë institucion të madh prej 4000 studentësh”, – u shpreh rektori.
“Sa i përket garës suaj, suksesi juaj do të mbështetet tek bashkëpunimi i frytshëm dhe konstruktiv që ju do të keni me studentët e tjerë të Qeverisë Studentore. Por bashkëpunim konstruktiv ju mund të keni edhe me njeri-tjetrin, edhe pse jeni konkurrentë. Sigurisht që në fund vetëm një do të fitojë, por nëse të gjithë punojnë fort për të dhënë më të mirën, studenti apo studentja e zgjedhur do të jetë një primus inter pares i më të mirëve. Në fund fare, ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e UET të gjithë së bashku”, – vijoi ai.
Profesor Gjuraj u shpreh entuziast mbi kandidaturat nga vitet e para. Ai i vlerësoi ato si të guximshme dhe me përgjegjësi. “Shoh cilësi. Cilësia juaj e lartë do të bëjë që gjithkush të jetë bashkëpresident”, – tha ai.
Rektori Tonin Gjuraj dhe Dekania e Studentëve, Anisa Subashi, u bënë të qartë të rinjve kandidatë për drejtues të qeverisë studentore se studenti apo studentja e zgjedhur nga senati, do të jetë pjesë e pandarë e mendimit strategjik të Universitetit Europian të Tiranës. Një nga metodat më të mira që do të kryesojë bashkëpunimin mes Rektoratit, Administratës dhe Qeverisë Studentore do të jetë ajo e ‘Design Thinking’, si një nga risitë më të përparuara të universiteteve anglo-saksone dhe instituteve kërkimore më prestigjioze.