Zëvendësministrja e Arsimit flet për raportin kombëtar të vlerësimit të klasave 3 dhe 5
Zevendesministrja Nora Malaj_1Në një intervistë për gazetën “Shqip”, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, bën publike rezultatet e raportit kombëtar të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të klasave të 3-ta dhe të 5-ta, që sipas saj, për fat të keq, këtë vit paraqiten edhe më dobët se vitin e kaluar. “Fatkeqësia e madhe është se rezultatet e këtij viti janë edhe më të ulëta sesa vitin e kaluar, duke qenë se bëhet fjalë për mangësi të mbartura”, deklaroi Malaj. Sipas zëvendësministres, sa u takon rezultateve sipas raporteve fshat-qytet, publik-privat, meshkuj-femra vërehet se arritjet e nxënësve në qytet janë më të larta se të atyre në fshat; arritjet e nxënësve në shkollat private janë më të larta se arritjet e nxënësve në shkollat publike; nga një diferencë prej 15 pikësh në nivel kombëtar rezulton se arritjet e nxënësve romë janë më të ulëta sesa arritjet e nxënësve në përgjithësi. Ndërsa mbi bazë qarqesh, i pari në listën e më të mirëve renditet Berati, për të përfunduar me më të dobëtin që është Qarku i Fierit.
Zonja Malaj, si paraqiten rezultatet e raportit kombëtar të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të klasave të treta dhe të pesta për këtë vit shkollor?
Edhe këtë vit, njësoj si vitin e kaluar është bërë analiza, që do të bëhet nesër (sot) publike, që lidhet me atë që quhet projekti PISA, mbështetur nga AKP-ja, ku paraqiten në detaje rezultatet e klasave të 3-ta dhe të 5-ta, me qëllim evidentimin e nivelit të tyre. Analiza e realizuar në nivel kombëtar i referohet disa kategorive specifike, si: niveli i arritjeve fshat-qytet, publik-privat, mazhorancë-rom, arritjet e vajzave, të cilat janë të krahasueshme me të djemve, nga ku vërehet se arritjet e vajzave janë më të larta se arritjet e djemve. Vetëm në shkollat private rezulton se djemtë kanë arritje më të larta sesa të vajzave. Arritjet e nxënësve në qytet janë më të larta se arritjet e nxënësve në fshat; arritjet e nxënësve në shkollat private janë më të larta se arritjet e nxënësve në shkollat publike; nga një diferencë prej 15 pikësh në nivel kombëtar rezulton se arritjet e nxënësve romë janë më të ulëta sesa arritjet e nxënësve në përgjithësi, ndërsa arritjet e nxënësve vajza rome në raport me djemtë romë rezulton se këto të parat kanë arritur vlerësim më të lartë. Pra, mesatarja totale kombëtare është 44.76%, mesatarja kombëtare për femra është 46.04%, pra shikojmë që vajzat janë më mirë sesa djemtë, ndërsa e kundërta siç e theksova më lart, ndodh në shkollat private. Nga totali i nxënësve romë, mesatarja kombëtare është 28.73%, pra në njëfarë mënyre mbeten ende në kuadrin e asaj që e quajmë analfabetizëm funksional, sepse nuk janë në rezultatet e asaj që ne kërkojmë, ndërsa vajzat rome janë më mirë, me rezultatin 31.87%. Duke iu referuar nivelit të arritjeve sipas qarqeve, vërehet se rezultatet më të ulëta i ka qarku i Durrësit dhe i Fierit, ndërsa Qarku i Beratit është vlerësuar me rezultatet më të larta, 48.13%, Dibra me 48.7%, Durrësi me 40.71%, Elbasani me 44.08%, Fieri me 40.49%, Gjirokastra me 43.57%, Korça me 44.14%, Kukësi me 43.13%, Lezha, 42.73%, Shkodra 47.96%, Tirana 48.8%, Vlora 45.70% dhe ajo që quhet mesatarja totale kombëtare është 44.76%. Po të vërejmë në të gjitha tabelat dhe nga mënyra sesi janë paraqitur të dhënat rezulton se vajzat kanë rezultate më të larta se djemtë edhe në komunitetin rom.
Si është e mundur që nxënësit e shkollave private kanë rezultate më të larta sesa ata të publikut?
Unë personalisht nuk e shoh publikun dhe privatin si dy hallka që janë kundër njëra-tjetrës, por si dy shina të një traseje. Sistemi privat lindi si një nevojë e formimit dhe e tregut të punës për të bërë mësime të dedikuara. Po të shikojmë, si sistemi publik dhe ai privat kanë produktivitetin e tyre, por sistemi privat është më i dedikuar në bazën materiale, në qasjen për ta orientuar dhe për të punuar edhe në mënyrë individuale me nxënësin. Në anën tjetër, numri i nxënësve në një klasë të caktuar është më i vogël dhe këtu del në pah problematika e shkollave publike. Privati të bën të mendosh që kur ka bazë materiale bashkëkohore, mësim të dedikuar, të orientuar dhe kur nxënësi punon më shumë orë, sepse mësuesi i përcakton më shumë orë për studimin pas mësimit ka më shumë produktivitet. Atëherë këtu kemi: produktivitet të mësimit, që kur ka shumë nxënës, mësimi është më pak produktiv, kemi pamundësi të prindërve për të ndihmuar nxënësit, në shkollat private kjo zgjidhet, sepse mësuesi bën jo vetëm mësimin por edhe edukimin për të realizuar të plotë detyrën, prandaj nxënësit i duhen më pak orë për të mësuar në shtëpi, ndërsa në publik, për fat të keq, kjo praktikë është ende inekzistente.
Si mund të arrihet kjo edhe në shkollat publike?
Natyrisht që kjo arrihet, por lind nevoja që qendrat multidisiplinare, që janë në bashki të ndryshme, të mund të shërbejnë edhe për të orientuar nxënësit dhe prindërit në këtë drejtim ose edhe vetë shkollat si qendra komunitare, që kanë këtë qëllim, të kenë mundësi që ajo kategori fëmijësh, që ka mangësi, të ndihmohet dhe t’u jepet shansi që të përfitojnë shërbime të ofertuara dhe të detyruara. Kjo me qëllim që standardi i tyre të merret i plotë, sepse po flasim për sistemin arsimor dhe për taksapaguesit shqiptarë, prandaj është shumë e rëndësishme që ku bën politika arsimore të dihet edhe se ku do shkojë buxheti dhe sesi duhet të jetë i dedikuar, pasi edhe ligji i arsimit të lartë parashikon pikërisht këtë, që në bazë të numrit të nxënësve dhe të nevojave që ata kanë të përfitosh edhe buxhetin. Dhe nëse ne do arrijmë që realisht ta ndërtojmë në mënyrë perfekte sistemin arsimor, një objektiv që ia kemi vënë vetes, atëherë ky sistem dhe ky ligj do të ndihmojë që të arrijmë rezultate të mira. Kjo tregon se ne jemi ende në mes të sfidave dhe nuk i kemi realizuar të plota, prandaj kemi shumë punë për të bërë. Kjo është arsyeja pse për herë të parë kemi bërë një hartëzim të plotë, për të parë 3 elementë: elementin mësues, elementin kurrikul, që është kurrikula e re, elementi që lidhet me mjetet didaktike, elementi prind dhe nevojat që ai ka dhe elementi i fëmijëve me aftësi ndryshe dhe mënyra sesi ata do të orientohen që të marrin rezultatet e munguara.
Referuar analizës në nivel kombëtar, cilët janë faktorët që ndikojnë në këto arritje të dobëta?
Nga rezultatet dhe analiza që është bërë për faktorët që ndikojnë në vlerësimin e tyre del që: Rreth 50% e popullatës së prindërve kanë arsim të mesëm, ndërsa me arsim të lartë janë rreth 20%. Fëmijët e prindërve me shkollë të lartë kanë rezultate më të larta, ndërsa prindërit që kanë nivel më të ulët arsimimi kanë kryesisht fëmijë me rezultate më të ulëta. Pra, arsimimi i prindërve është një nga faktorët që ndikon shumë në rezultatet e fëmijëve. Një tjetër faktor kyç në këtë drejtim është edhe punësimi i prindërve. Vërehet se fëmijët që vijnë nga familje me ekonomi të mirë kanë arritje më të larta në shkollë, ndërsa fëmijët me ekonomi të dobët kanë rezultate më të dobëta. Një tjetër faktor i rëndësishëm lidhet edhe me frekuentimin e shkollës, fëmijët që e frekuentojnë rregullisht shkollën kanë rezultate më të larta, ndërsa fëmijët që bëjnë mungesa, kanë rezultate më të dobëta. Njëkohësisht koha që shpenzojnë nxënësit për të realizuar detyrat e shtëpisë, ndikon pozitivisht ose negativisht. Nxënësit që kanë harxhuar më shumë kohë për të mësuar kanë rezultate më të mira, nxënësit që nuk i kanë kushtuar shumë kohë mësimeve në shtëpi janë vlerësuar më dobët, gati në nivelin minimalist. Një tjetër vlerë është që nxënësit që njohin mirë të drejtat e tyre kanë rezultate më të mira në shkollë, janë më proaktiv dhe mendimet që japin janë më të plota, që përbëjnë 81.7% të tyre; ndërsa 3% e nxënësve që nuk i njohin të drejtat e tyre kanë dalë më dobët. Në raport vërehet edhe një tjetër grupim nxënësish, që përbëjnë 15.3% të të gjithë totalit, që janë nxënësit që janë në dijeni të të drejtave të tyre, por që nuk janë aktivë.
Sa orë mesatarisht i kushtojnë nxënësit të mësuarit në shtëpi?
Koha e shpenzuar për të mësuar nga testimi që kemi bërë zgjat 3-5 orë, në ditë, por natyrisht një mësim i mirë ka të bëjë sidomos edhe me qasjen që ka fëmija për ta marrë këtë produkt në klasë, duke qenë se jo të gjithë nxënësit dalin me dije të plotë nga klasa. Ajo që vërehet është se nxënësit që shpenzojnë më shumë orë në ditë për të mësuar apo për të bërë detyrat e shtëpisë janë edhe ata që dinë të formulojnë pyetje, të konceptojnë apo t’u përgjigjen me logjikë, jo mekanikisht, përmendësh. Pra, ata që punojnë të paktën 3 orë në ditë në mënyrë sistematike vlerësohen maksimalisht, ndërsa ata që mësojnë me periudha jo të përcaktuara në orar, kanë rezultat më të ulët. Por, ka edhe fëmijë që mësojnë vetëm gjysmë ore në ditë, që rrjedhimisht shpërblehet me një vlerësim negativ, pasi kjo është thjesht të marrësh dhe të kopjosh detyrat, çka është minimaliste, sepse fëmija nuk ka kohë ta kapë mësimin, ta përthithë apo ta përpunojë atë që quhet vlerësimi i dijes jo në mënyrë mekanike, por në mënyrë logjike dhe kreative. Madje, analiza që u bëhet këtyre rezultateve na tregon edhe një gjë tjetër, sesi nxënësit janë të aftë në mënyrën e shfaqjes së mendimit, në mënyrën e shprehjes së tyre dhe në analizën që i është bërë nxënësve në testin e gjuhës shqipe shikojmë që mesatarja e nxënësve në këtë lëndë është rreth 42.63%. Rreth 35% e nxënësve të klasës së 5 kanë marrë 0-1 arritje, çka tregon se njohuritë e tyre janë të pamjaftueshme ose minimaliste. 13.41% e nxënësve kanë marrë nën nivelin 0, ndërsa në nivelin 1 regjistrohen 1.26% e nxënësve, fakte që tregojnë se nxënësit, pjesëtarë të komunitetit rom në masën 70% të tyre janë në nivelin 0, ndërsa 30% e tyre janë në nivelin 1. Pra, është një nivel absolutisht minimalist, duke pasur parasysh investimin që bëjmë, që nis që me tekstet shkollore, që jepen falas apo më tej, me programe të dedikuara. Pra, rezultatet e arritura na tregojnë që në kompetencën që shfaqin si: aftësi për ta njohur gjuhën e leksikut, marzhi i gabimeve që ata bëjnë, mënyra sesi i identifikojnë apo përcaktojnë llojet e fjalive, mënyra sesi nxënësit arrijnë të ballafaqohen me procesin e të mësuarit, të lexuarit apo të kuptuarit, të gjitha këto tregojnë se niveli i tyre lë shumë për të dëshiruar, për këtë arsye kjo na ka bërë të mundur që i gjithë ky krahasim që bëjmë në analizën e klasave 3 dhe 5, të shërbejë për të arritur në një përputhje të produktit që kemi, të produktit që po investojmë dhe të asaj se çfarë na duhet për të ndihmuar mësuesit në mënyrë që, siç kemi thënë edhe në krye të herës, të eliminojmë analfabetizmin funksional. Me këto rezultate, me gjithë shkundjen e madhe që i bëmë sistemit në këto dy vite, përsëri produkti që ne marrim në klasën 3 dhe 5, tregon se ka diferenca të mëdha për të bërë një vlerësim të saktë të nevojave dhe për të kuptuar që ende sistemi i arsimit nuk ka arritur të jetë mjaftueshmërisht mirë, pra jemi ende në nivele shumë të ulëta për të realizuar atë çfarë ne dëshirojmë për t’ju afruar standardit.
Si paraqiten rezultatet në krahasim me ato të vitit të kaluar?
Fatkeqësia e madhe është se rezultatet e këtij viti janë edhe më të ulëta sesa vitin e kaluar, duke qenë se këto janë rezultate të mbartura, prandaj del shumë i nevojshëm ndryshimi i kurrikulës, bashkëpunimi i modelit bashkëkohor për të realizuar produktin, prandaj është shumë e nevojshme përfshirja e nxënësve në një cikël të plotë të metodikave të reja, prandaj del e nevojshme që duke nisur nga ky vit që në klasën e 5 të fusim provimin kombëtar, në mënyrë që nxënësit të mësohen njësoj si bashkëmoshatarët e tyre europianë, jo vetëm me dy provime, por me katër, që të dinë të orientohen drejt dijeve kompetente që ata duhet të shfaqin në cikle të ndryshme në fazën e të mësuarit. E kam fjalën këtu për lëndët bazë, si gjuha shqipe dhe letërsia, por edhe të shkencave ekzakte, si dituria e natyrës që është sa shkencore, aq edhe shoqërore. E rëndësishme është të arrijmë një proces mësimor, që është i matshëm dhe i monitorueshëm, i diagnotikueshëm nga elemente që e bëjnë të pamundur vlerësimin e plotë të mësimdhënies. Kjo na nxjerr në rezultatet paraprake të arritura nga testimi i mësuesve, ku rezultoi se gati 40% e arsimtarëve nuk janë në gjendje të përdorin metodologjinë bashkëkohore. Nxënësve i duhet nxitur fantazia, në mënyrë që ai të jetë pjesë reale e ideve të zhvillimit dhe jo pjesë e varësuar e të menduarit mekanikisht, ku mësuesi është ai që shpjegon ndërsa nxënësi e riprodhon, siç ndodh aktualisht sipas modelit tradicional të mësimdhënies te ne. Kjo është një nga sfidat e radhës të Ministrisë së Arsimit, që të bëjë një evolucion në drejtim të kualifikimit dhe formatimit të ri të mësuesit me qasjet bashkëkohore me nevojat që ka tregu sot.
Çfarë mekanizmash do të përdorë Ministria e Arsimit për të arritur këtë objektiv?
Nëse ne do të arrijmë që të koordinojmë kapacitetin e mësuesit me dëshirën që ka, por edhe me metodat bashkëkohore, dhe këtu duhet Ministria e Arsimit që të punojë fort për të krijuar hartën e nevojave që kemi dhe për ta ndihmuar mësuesin që të kalojë këtë handikap, që është modeli tradicional për ta ndërthurur me atë bashkëkohor, që mësimi të bëhet joshës, për ta bërë të menduarin e tij në mënyrë kreative. Nëse arrijmë këtë, kemi realizuar sfidën më të madhe, kemi përgatitur qytetarët e ardhshëm për t’u bërë të gatshëm për të përballuar çdo lloj sfide që po i ofrohet aktualisht zhvillimit global. Është domosdoshmëri që të realizojmë këtë, në të kundërt ne do të vazhdojmë të licencojmë dhe të standardizojmë analfabetët funksionalë mbi bazën e modeleve të vjetra. Prandaj theksoj që gjithë kjo analizë ka një qëllim shumë të rëndësishëm, të diagnostikojë mangësitë dhe të ndërhyjë me ndihmën e nevojshme dhe konkrete që u duhet mësuesve. Qeveria dhe MAS duhet të marrë përsipër ta bëjë të dedikuar këtë formim, në mënyrë që në fund të mos ia lëmë përgjegjësinë mësuesve dhe nxënësve. Prandaj, një nga hallkat e rëndësishme në këtë drejtim është partneriteti me prindërit. Ka ardhur momenti që të realizohen tekste të veçanta ose udhërrëfyes për t’i orientuar prindërit sesi duhet të jenë pjesë ndihmuese për fëmijët e tyre dhe për të mos i futur fëmijët në qorrsokakë. Prindërit duhet të orientohen për prirjet e fëmijëve pasi jo të gjithë kanë aftësi të mirë të të shprehurit, mund të ndodhë që dikush ka aftësi më të mira në matematikë, prandaj është i nevojshëm ky test, sepse na orienton drejt prirjeve të fëmijëve./Shqip