Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Studimi në UET: Studentët synojnë bizneset e tyre

$
0
0

ermira qosja- intervista kryesorePse duhet të nisni një biznes që në universitet? Nëse keni një ide brilante, ka disa arsye pse duhet ta ndërmerrni këtë hap tani; grantet, mbështetja dhe koha në dispozicion

A kanë të rinjtë e sotëm shpirtin sipërmarrës, apo të gjithë ëndërrojnë një punë në shtet? Intervistë me prof. asoc. dr. Ermira Qosja, e cila ka kryer një projekt mbi frymëzimin e studentëve për sipërmarrje. Pse të rinjtë shohin më shumë veten te hapja e një biznesi apo angazhimi në biznesin familjar, sesa te kërkimi i një pune në administratë apo në kompanitë private. Nga studimi i bërë me mbi 400 studentë në Universitetin Europian të Tiranës, doli se pas përfundimit të studimeve, synimet “për të nisur biznesin e tyre” dhe “për të  punuar në administratën publike” qëndrojnë në vend të parë me të njëjtat përqindje rreth 21%, ndërsa pas 5 vitesh projeksioni i tyre për karrierën ndryshon.  Bie ne sy rritja me rreth 15% e synimit për sipërmarrje, pasuar me rritjen 6% të synimit për të punuar në firmat e mëdha.

Çfarë synonte projekti juaj për të matur synimin apo inspirimin për sipërmarrje të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës? Cilat ishin rezultatet në këtë drejtim?

Projekti ynë mori udhë disa muaj më parë në Universitetin Europian të Tiranës dhe kërkoi të vlerësojë inspirimin (synimin) për sipërmarrje të studentëve në të tria nivelet e studimit, por me fokus kryesor në nivelin Bachelor dhe Master. Ne (së bashku me Ertila Drugën) kërkuam të identifikonim origjinën dhe kontekstin e krijimit të sipërmarrjeve të reja prej studentëve dhe karrierën e tyre në sipërmarrje, natyrisht në fokus ishte edhe oferta akademike dhe se sa ajo inspiron sipërmarrjen te studentët. Për këtë u formulua një pyetësor i strukturuar (bazuar dhe në modelin e pyetësorit të projektit GUESSS) me 13 pyetje, që iu prezantua studentëve në variantin online, gjatë periudhës shtator –tetor 2015.

Pyetjeve “Cilat janë synimet tuaja (të studentëve) të karrierës menjëherë pas mbarimit të studimeve dhe 5 vite më pas?” përballë disa alternativave: punonjës në sektor privat (respektivisht biznes i vogël, firma të mesme dhe të mëdha), punonjës në sektorin publik dhe në organizatat jofitimprurëse, të nisësh biznesin tënd, të marrësh përsipër biznesin e prindërve apo të të tjerëve, iu përgjigjën 403 studentë.

Përpunimi i të dhënave tregoi që pas përfundimit të studimeve, synimet “për të nisur biznesin e tyre” dhe “për të punuar në administratën publike” qëndrojnë në vend të parë me të njëjtat përqindje rreth 21%, ndërsa pas 5 vitesh projeksioni i tyre për karrierën ndryshon.  Bie ne sy rritja me rreth 15% e synimit për sipërmarrje, pasuar me rritjen 6% të synimit për të punuar në firmat e mëdha. Grupimi i përgjigjeve në 4 grupe: punonjës, themelues të biznesit të tyre, vazhdues i biznesit të prindërve dhe të të tjerëve, dhe rezultatet treguan dukshëm që, të qenit i punësuar zvogëlohet në funksion (favor) të të nisurit biznes 5 vite pas përfundimit të studimeve, megjithëse në përqindjen totale të qenit i punësuar mbetet më i lartë e kjo për shkak të riskut që sipërmarrja ka. Inspirimi për sipërmarrje te studentët e UET-it duket të jetë në përputhje dhe me trendet botërore, madje dhe të vendeve që shquhen për inspirim të lartë për sipërmarrje, si: Singapori, Izraeli, Argjentina, Polonia apo Meksika.

Inspirimi për sipërmarrje, a mund të themi që vjen si pasojë e vështirësive për të gjetur një vend pune, apo është një shtysë personale e gjithsecilit?

Bazuar në “Theory of Planned Behaviour”, synimet e zgjedhjes së karrierës në përgjithësi dhe synimet drejt sipërmarrjes (vetëpunësimit) në veçanti, në projektin tonë u panë në ndërvarësi të: kontekstit (ambientit) universitar, kontekstit (ambientit) familjar, motiveve personale dhe kontekstit (ambientit) social – kulturor. Studentët tanë e shikonin sipërmarrjen si një mundësi për të qenë të lirë e të pavarur në punë e në marrjen e vendimeve, si dhe si një mundësi për të realizuar ëndrrën e tyre. Ndikimin e kontekstit social në synimin për sipërmarrje të tyre  e vlerësuam duke ngritur pyetjen se “si njerëzit në mjedisin e tyre të afërt do të reagonin nëse ata do të ndjekin një karrierë në sipërmarrje”, rezultatet treguan se ato e konsiderojnë mjaft pozitiv angazhimin në sipërmarrje.

Përsa i përket ambientit universitar, ata e konsideronin klimën në universitet shumë pro sipërmarrjes, ndërkohë që rezultatet në lidhje me ofertën akademike tregonin që duhen më shumë lëndë që theksojnë sipërmarrjen dhe në studentë të shkencave sociale apo të juridikut.

Besohet se Universiteti i ditëve të sotme nuk duhet të jetë më vetëm një vend ku jepen dije, por dhe ku nxitet dhe formësohen prirjet e studentëve. A duhet që universiteti të nxisë shpirtin sipërmarrës të studentëve?

Biznesi i vogël në vendet e zhvilluara merr shumë vëmendje nga politikat qeveritare, për shkak të rolit që ato luajnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Prej viteve 1970, shumë vende perëndimore kanë ndarë të njëjtën eksperiencë në lidhje me biznesin e vogël, sepse kompanitë e mëdha nuk mundën të krijonin rritje të punësimit, për rrjedhojë u rrit rëndësia e firmave të vogla si krijuese të vendeve të reja të punës.

Puna e përditshme me studentët, veçanërisht në vitin e fundit të Bachelor-it dhe në nivelin Master tregon që, preokupimi i tyre më i madh është se ku do të punojnë dhe çfarë perspektive karriere ata mund te kenë.  Në kushtet ku burimet e rritjes ekonomike janë të kufizuara, në kushtet e masivizimit të arsimit të lartë, vështirësia e sigurimit të një vendi pune rritet, këtë e konfirmojnë tashmë dhe të dhënat zyrtare, për këtë arsye ndaj universiteteve shtrohet nevoja që gradualisht të transformohen, e përpos të tjerave do t’u duhet edhe të inspirojnë sipërmarrjen te studentët, të inkurajojnë inovacionin dhe startup-et e lidhura me to, për më tepër të nxisin një kulturë miqësore ndaj sipërmarrjes.

Në këtë kontekst, në UET zhvillohen shumë aktivitete në nxitje e mbështetje të sipërmarrjes te studentët, zhvillohen konkurse të ideve të reja, me studentët e financës, menaxhimit, informatikës ekonomike, por dhe dizajnit e komunikimit. Mes tyre, ka raste suksesi, ka ide dhe iniciativa shumë interesante. Në vitin e kaluar akademik, ne sollëm një konferencë të studentëve të masterit të emërtuar  “Entrepreunership & Management”, ku të ftuar ishin njerëz të biznesit, këtë vit akademik organizuam “Ditën e Sipërmarrjes” dhe një konkurs të start-up, me femrat e reja në biznes.

Studentë të UET-it e kanë marrë hapin ndaj sipërmarrjes?

Ka prej tyre që kanë nisur biznesin e tyre, ka të tjerë që vazhdojnë biznesin e prindërve duke inovuar brenda tyre, ka që kanë marrë përsipër të drejtojnë biznesin e të tjerëve, trendi është i njëjtë me atë që sjell dhe studimi i GUESS (Global University Entrepreneurial Spirit Students Survey) i themeluar nga “Swiss Research Institute of Small Business and Entrepreneurship” në Universitetin e St. Gallen në 2003, projekt në nivel global, ku në vitin 2014 u përfshinë 34 vende, më shumë se 700 universitete dhe databaza e krijuar tashmë ka kaluar numrin e 109.000 studentëve.

 Sa inovatorë janë të rinjtë shqiptarë kur vjen fjala te hapja e një sipërmarrjeje të re? 

Inkurajimi i startup-eve te të rinjtë, studentët kërkon politika lokale e qendrore në mbështetje të tyre, kërkon mbështetje në financimin e tyre, kërkon transparencë të institucioneve/organizatave që lëvrojnë grantet e startup-eve,  kërkon një qasje fiskale pro tyre (ndoshta çlirimi nga taksat e biznesit të vogël në paketën e sapo miratuar fiskale është një mundësi për pak frymëmarrje, pas një viti represion) dhe mbi të gjitha kërkon një klimë besimi ndaj sipërmarrjes së shoqërisë shqiptare.

 

 

ina kullaIna Kulla: Trashëgimia e biznesit, tregon qëndrueshmëri

Studente në UET, në vitin e tretë Bachelor në UET, dega Menaxhim Biznesi, Ina Kulla, tregon eksperiencën e saj në menaxhimin e biznesit familjar dhe ndihmën që i dhanë studimet në këtë drejtim.  “Duke qenë se punoj në një biznes familjar, kultivimi i shpirtit sipërmarrës-menaxherial tek unë, ka filluar natyrshëm që në moshë të hershme. Por rritja e dëshirës dhe angazhimit tim në sipërmarrje është thelluar me kalimin e kohës, nxitur edhe nga formimi dhe njohuritë e marra në UET. Biznesi ku unë jam angazhuar është një sipërmarrje franceze. Është kompania e mirënjohur e aksesorëve Penelope Jewelery & Watches.  Vendndodhja e ‘kompanisë mëmë’ është në Firence të Italisë. Përfaqësia e këtij biznesi është blerë nga familja ime në vitin 2002 dhe është shpërndarë në tregun shqiptar. Prej tashmë 14 vitesh në tregun shqiptar, Penelope përfaqësohet nga 23 dyqane  në të gjithë vendin dhe 40 dyqane të tjera anekënd botës. Nga përvoja ime personale, angazhimi në një biznes, më ka shërbyer për të rritur personalitetin tim dhe për të mësuar ç’do të thotë të mbash përgjegjësi, në çdo aspekt të jetës sime. E më e rëndësishme, në çdo aspekt të punës sime të ngarkuar menaxheriale-sipërmarrëse në biznes. Do t’i këshilloja të gjithë bashkëmoshatarët e mi të angazhohen dhe të punojnë  sa më tepër të munden. Në fillim le të punësohen në sipërmarrje të të tjerëve. Më vonë, pse jo, le të angazhohen me pasion e të gjejnë mundësinë dhe kohën të nisin sipërmarrjen e tyre. Për mua personalisht, biznesi është botë e gjerë me një pafundësi idesh, i cili të ndihmon të zbulosh hap pas hapi, me mençuri dhe pjekuri, qëllimin e jetës tënde”, shprehet ajo për “Mapo”-n.

Isa FidaIsa Fida, kur pasioni i hershëm kthehet në profesion fitimprurës

Studenti nga Maqedonia, Isa Fida, ka mbaruar Bachelorin, Informatikë Ekonomike, profili Menaxhim Biznesi në UET dhe vazhdon masterin po në UET në profilin Administrim-Biznes. Ai drejton një kompani të tijën që ofron shërbime interneti kryesisht.  “FidaHost.com si fillim, ofronte shërbimet e saj vetëm për faqet e vogla si blogje personale, web-faqe të ndryshme e jo shumë të vizituara. Me kalimin e kohës, duke fituar përvojë, FidaHost ka arritur të bëhet një nga zgjedhjet e para për shumë kompani online. Tashmë, FidaHost.com ka klientët e vetë, që nga web-faqe të vogla e blogje personale deri te faqet e mëdha si aplikacione qeveritare, dyqane online, gazeta online e shumë sipërmarrje të tjera. Pas suksesit disavjeçar në tregun shqiptar, FidaHost synon të shtrijë veprimtarinë e saj gjerësisht edhe në tregun rajonal e më tej, globalisht.  Ky do të jetë synimi ynë kryesor në të ardhmen. Përpos angazhimit tim me FidaHost.com, unë gjithashtu kam udhëhequr shumë fushata online marketingu për disa kompani të njohura në Shqipëri, universitete, parti politike, madje  edhe persona publikë”, shprehet ai për “Mapo”-n. Ai beson se të rinjtë janë ata që e çojnë përpara sipërmarrjen dhe inovacionin.  “Sipërmarrja rinore duhet të jetë një nga opsionet kryesore të çdo të riu. Çdo i ri duhet të fillojë sa më parë  të mendojë  një ide biznesi, e cila, ta mbajë sa më të motivuar për të punuar dhe sa më  krenar për arritjet e veta. Çdo i ri duhet të fillojë të ndërtojë të ardhmen e tij tani, sepse sa më parë të filloni punën drejt qëllimit tuaj, aq më shpejt do të fitoni përvojën dhe aftësitë e nevojshme.” – përfundon Isai.

 

6 arsye pse duhet të nisësh një biznes gjatë kohës së studimeve

Çfarë kanë të përbashkët Facebook-u, Microsoft-i, dhe Google? Sigurisht, këto kompani kanë ndryshuar botën. Por, me thelbësorja: këto kompani janë themeluar nga studentë. Tani që flasim, më tepër se çereku i studentëve të universiteteve britanike (27%) janë duke implementuar një plan biznesi sipas kërkimit të bërë nga Santander. Shanset për t’u bërë një filantrop-kapitalist nga biznesi juaj janë të pakta, por nëse i qëndroni me seriozitet realizimit të idesë suaj, nuk ka kohë më të mirë për ta nisur këtë, sesa gjatë kohës së universitetit. Dhe ja pse:

  1. Liria nga përgjegjësitë

Gjatë universitetit, përgjithësisht keni më pak përgjegjësi financiare dhe familjare. Universiteti ofron një mjedis të sigurt në të cilin, mund të eksperimentoni idetë tuaja,  gaboni pa kosto të lartë dhe mund të mësoni nga gabimet tuaja lirisht.

  1. Koha është me ju

Në varësi të degës së studimit, ju mund të keni konsiderueshëm kohë të lirë dhe ndërmarrja e një startup-i për idenë tuaj të biznesit, do të ishte një mënyrë e mirë për ta përdorur këtë kohë në mënyrë produktive dhe krijuese.

  1. Mbështetja nga universiteti nuk mungon asnjëherë

Edhe universitetet gjithashtu garantojnë disa fonde për studentët sipërmarrës. Ato kanë lidhje me biznese vendore dhe këshillues karriere, në mënyrë që t’i vendosin studentët në kontakt me ALUMNI-n e fushës së tyre përkatëse.

  1. Ndjekja e një pasioni është stimuli më i madh

Ndonjëherë jeta universitare duket e lodhshme dhe nisja e një ideje kreative, implementuar në biznes, mund ta thyejë këtë rutinë stresuese. Afërsisht 73% e studentëve të anketuar për Santanders, thanë që, motivimi i tyre për nisjen e një biznesi ishte ndjekja e një hobi me interes personal.

  1. Siguron të ardhura post-universitetit

Sidomos pas krizës financiare, shumë studentë nuk preferojnë idenë e punësimit nëpër korporata të mëdha, duke zgjidhur më mirë përpjekjet e vogla personale të bizneseve të nisura në startup-e.

  1. Në fund të fundit, fitoni aftësi të vlefshme

Edhe nëse biznesi nuk do të funksionojë për gjatë, apo ndryshoni mendim, ju do të keni fituar një koleksion të jashtëzakonshëm aftësish, të cilat, do të impresionojnë të gjithë punëdhënësit, në çfarëdo sektori që do të vendosni të punësoheni.

Burimi: “The Guardian”

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Latest Images

Trending Articles