Fondacioni për Liri Ekonomike akordoi për të dytin vit radhazi çmimin për nxitjen e ideve liberale në ekonime
Emri i Gramoz Pashkos dhe idetë e tij edhe një herë shërbyen si një simbolikë e nxitjes dhe promovimit të ideve liberale në Shqipëri me dhënien e çmimit “Pashko” për punën më të mirë shkencore në fushën e ekonomisë. Fondacioni për Liri Ekonomike, për të dytin vit radhazi e akordoi këtë çmim, të cilin këtë vit e meritoi Besarta Vladi me punimin e saj të doktoraturës me temë: “Faktorët e brendshëm organizativë që kushtëzojnë zhvillimin e inovacionit në biznes”. Punimi bën një analizë të kompanive të mëdha në Shqipëri dhe hedh ide se si mund të përdoret inovacioni për të hyrë në tregun global.
Themeluesi i FLE-së, Henri Çili e cilësoi këtë çmim një bashkim i dy gjërave që Pashko donte më shumë: lirinë e tregut dhe universitetin, pasi çmimi me emrin e tij i jepet një punimi shkencor në nivel doktorature, pra një vepre shkencore të sofistikuar që bazohet në idetë liberale. Ndërsa kryetari i bordit të FLE-së, Dr. Selami Xhepa, e cilësoi Pashkon si reformatorin e parë dhe të duhur të ekonomisë shqiptare, ndërsa vlerësoi punimin fitues për objektivitetin, qartësinë dhe përcjelljen e ideve që i shërbejnë më tej funksionimit të tregut të lirë.
Pashko, “Moisiu” i lirisë së tregut në Shqipëri
Më shumë se sa një moment për të ndarë një çmim për të rinjtë që merren me kërkim shkencor në ekonomi dhe sjellin idetë e tyre për zhvillimin e tregut të lirë në vend, ishte një mundësi për të folur për Pashkon, për idetë në të cilat ai besonte dhe promovonte dhe nevojën që ka sot vendi për këto ide. Shkrimtari dhe politikani Preç Zogaj, një bashkudhëtar dhe mik i Pashkos që nga ditët e para të Lëvizjes demokratike në vend, dhjetor 1990, tha se Pashko besonte te tregu si tek një fe dhe ai ishte në njëfarë mënyre themelues i kësaj feje në Shqipëri.
“E përgëzoj UET-in dhe FLE-në që kanë krijuar këtë çmim për të nderuar idetë e tij, veprën e tij, mendjen e tij. Pashko ishte një nga figurat qendrore të Lëvizjes së Dhjetorit, një politikan, një intelektual i papërsëritshëm. Nuk e gjej dot sot Pashkon në qarkullim si tipologji”, – tha ndër të tjera Zogaj.
“Gramoz Pashko besonte si në një fe tek fuqia e tregut, tek fuqia e nismës së lirë. Kam njohur politikanë ekspertë, figura publike, por besoj se ai me të vërtetë është themelues i kësaj feje në Shqipëri, është Moisiu i besimit në këtë fe”, – tha Zogaj.
Ndër të tjera, duke sjellë dhe kujtime nga fillimet e demokracisë në Shqipëri, ai theksoi se të gjithë ata që luftuan për demokracinë ëndërronin lirinë, por tek tregu ishin konfuz, ndërsa Pashko ishte më i qartë për shkak të intuitës dhe atyre që kishte lexuar. “Pashko ka lënë këtë trashëgimi që është një vlerë, sepse të gjithë sot e kuptojmë se tregu është fuqia e madhe e progresit të shoqërive. Ai kishte idenë se tregu dhe ligji ishin në të njëjtën anë të medaljes, por nuk duhet të fërkohen. Edhe unë besoj se natyrisht, tregu dhe ligji përfaqësojnë një duet të vazhdueshëm, por liria është mbi ligjin, edhe sipas Pashkos, sidomos për fillimet, por nuk përjashtohet që të ketë vlerë edhe në vazhdimet, sepse liria është e dhëna e madhe e shoqërisë, ndërsa ligji është krijim i njeriut”.
Simboli Pashko për nxitjen e frymës liberale
Administratori i Universitetit Europian të Tiranës dhe një nga themeluesit e Fondacionit për liri Ekonomike, Henri Çili, gjatë fjalës së tij tha se ky çmim është një mënyrë për ta kthyer emrin e zotit Pashko në simbolin institucional apo simbolin e lirisë ekonomike. “Pashko na ka ndihmuar gjatë këtyre 25 viteve, por këtë vit na ka ndihmuar dhe më shumë. Na ka ndihmuar me nxitjen e frymës liberale nëpërmjet këtij simboli. Ishin ngatërruar shumë punët në këtë vend, me punizëm me gjysmë punizëm, me kriptopunizëm etj., dhe them se me Pashkon, ne kemi një formë të kulluar të idesë më të pastër të tregut dhe lirisë. Ka ndryshuar diskursi politik për tregun në Shqipëri, nga shoqatat e biznesit deri tek instancat më të larta, madje dhe kryeministri po merr flamurin e uljes së taksave apo përjashtimeve fiskale. Për të shkuar tek Partia Demokratike, që fatmirësisht, pas shumë luhatjesh ka propozuar një sistem të ri fiskal me taksa të ulëta dhe lehtësime të tjera shumë të rëndësishme. Them se edhe ne kemi kontribuar modestisht në krijimin e kësaj tendence”. Çili përmendi fushatën e fundit të FLE-së kundër taksave të shumta, kundër ndryshimeve të shpeshta, me tryeza të realizuara me përfaqësues të biznesit, qeverisë dhe opozitës. Ndër të tjera, Çili shtoi se “një gjë tjetër ku mund të na ndihmojë Pashko, është për të dalluar çfarë është false dhe çfarë është vërtet liberale në diskutimin publik ose politik, pra pozicionimin. Futja në skanerin e mendimit liberal i ndihmon të gjitha palët që të qartësohen dhe ta kryejnë më mirë detyrën e tyre publike, pra të mos e kryejnë në mënyrë mashtruese. Kush është për sistem shtetëror, arsim falas, etj., të pozicionohet dhe të marrë ndëshkimin apo shpërblimin elektoral dhe anasjelltas, kush është për të kundërtën, të përballet me elektoratin për idetë”.
Inovacioni, “thembra e Akilit” e kompanive të mëdha shqiptare
Dr. Besarta Vladi ka mbrojtur doktoraturën në korrik të këtij viti me punimin shkencor që mori çmimin “Pashko” 2015, dhe punon pedagoge pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës. Punimi i saj u zgjodh nga juria mes 12 punimeve shkencore të paraqitura nga ekonomistë të rinj që studiojnë dhe punojnë brenda dhe jashtë kufijve. Po pse juria vendosi që të mbështeste këtë ekonomiste të re? Përgjigjen e jep vetë tema që ajo kishte zgjedhur dhe idetë e hedhura në të, ndërsa kryetari i jurisë, Dr. Selami Xhepa, e cilësoi si një punim objektiv dhe frymëzues, bazuar në frymën e nxitjes së tregut të lirë për rastin shqiptar. “Faktorët e brendshëm organizativë që kushtëzojnë zhvillimin e inovacionit në biznes” është një temë e bazuar në një analizë të kompanive të mëdha në Shqipëri. Vladi i ka vendosur vetes si qëllim të analizojë mjedisin e brendshëm organizativ të kompanive të mëdha në Shqipëri, si dhe rolin që luajnë faktorët e këtij mjedisi në zhvillimin e inovacionit. Ajo ka identifikuar faktorët e mjedisit të brendshëm organizativ, që luajnë rol të rëndësishëm në nivelin e inovacionit. Në përfundim të temës, ajo vë theksin tek ndërgjegjësimi i kompanive të mëdha në Shqipëri mbi rëndësinë që ka investimi në inovacion, sidomos implementimi i modelit të hapur të inovacionit dhe sjell edhe disa rekomandimeve praktike, të cilat mund të çojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale të nivelit të inovacionit, me synim përmirësimin e parametrave të këtij të fundit në të ardhmen.
Risitë që sjell studimi:
- Është studimi i parë i këtij lloji në Shqipëri, i cili iu hap rrugën studimeve të tjera më të thelluara në fushën e inovacionit dhe konkurrueshmërisë globale.
- Jep një panoramë të qartë të faktorëve të mjedisit të brendshëm organizativ, që ndikojnë në nivelin e inovacionit në kompanitë e mëdha në Shqipëri.
- Sugjeron alternativa të ndryshme dhe bashkëkohore për nxitjen e inovacionit në nivel biznesi dhe kombëtar.