Organizohet në Universitetin Europian të Tiranës tryeza “kundër korrupsionit” me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile
BE ka planifikuar që të investojë 10 milionë euro për ta ndihmuar Shqipërinë për të vënë në zbatim planin strategjik dhe planin e veprimit në luftën kundër korrupsionit
A kemi një faj kolektiv për nivelin e lartë të korrupsionit në vend? Një pyetje që gjithkush mund t’ia bëjë vetes dhe të mendojë sa herë ka pranuar që të gjejë rrugën e shkurtër për të zgjidhur një problem dhe dashur pa dashur është bërë pjesë e skemës korruptive duke bërë që Shqipëria të ketë nivele të frikshme të korrupsionit në çdo institucion. Pikërisht për të parë çdo qytetar nga vetja dhe për të mos u bërë pjesë e korrupsionit që gjeneron të këqija të tjera për shoqërinë, përfaqësues të organizatave të huaja në vend, BE, OSBE dhe UNDP, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe institucione të tjera kanë ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi të qytetarëve në luftën kundër korrupsionit. Fushata startoi dje në një tryezë të hapur diskutimi organizuar në Universitetin Europian të Tiranës, ku studentët, pedagogët, dhe përfaqësues të shoqërisë civile hodhën idetë mbi atë çfarë duhet bërë për ta parandaluar dhe për ta luftuar si duhet korrupsionin. E ashpër në gjykimin e saj ishte drejtuesja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadorja Romana Vlahutin, e cila i kërkoi së pari qytetarëve shqiptarë që të mos kishin më frikë të denonconin korrupsionin.
Mospranimi, hapi i parë i luftës
“Kam një teori timen personale, që kur ke një problem duhet t’i shkosh në
thelb problemit. Dhe në fakt thelbi i problemit në gjithë ato vende që po e luftojnë fenomenin në nivelet e larta është se korrupsioni është një nyje mes politikës,
biznesit dhe krimit’, tha ambasadorja Vlahutin dje në UET. Korrupsioni, sipas saj, është në fakt një sfidë kyçe sa i takon qeverisjes, pasi në të bazohen të gjitha format e tjera të korrupsionit, mes të cilave veçohet korrupsioni politik, që shfaqet në forma nga më të ndryshmet, si financimi i paligjshëm i partive politike, blerja e votës, kapja e shtetit nga influencat politike, etj.“Të gjitha këto, shtoi ajo, kanë ndikim dhe efekte në gjithë sektorët e ekonomisë e shoqërisë”. Ambasadorja e BE-së gjatë fjalës së saj shpjegoi thelbin e korrupsionit dhe mënyrat për ta luftuar atë duke e konsideruar korrupsionin si një transaksion që blihet dhe shitet. Media dhe Shoqëria Civile tha Vlahutin, luajnë një rol në luftën kundër korrupsionit, ndaj ajo e sheh rolin e tyre vendimtar në këtë luftë. “Në fund të fundit korrupsioni është një transaksion, njëra pala që i kërkon paratë dhe tjetra që i jep. Në rast se njerëzit do të kenë frikë atëherë korrupsioni do të dominojë. Nëse njerëzit do pranojë që korrupsioni është mënyra e vetme që të marrin shërbimit e duhur do të jetë e vështirë të shërohet sistemi. Unë mendoj se media dhe shoqëria civile luajnë një rol të rëndësishmë në luftën kundër korrupsionit. Na nevojiten institucione funksionale dhe një gjyqësor funksional. Por na duhet edhe një klasë politike e përgjegjshme ndaj atyre që u ka dhënë votën. Sepse këta persona janë zgjiedhur për të shërbyer, po ashtu duhet të kemi qytetarë të informuar. Na duhet që të lëvizim dhe ecim përapara në këtë luftë”, tha ajo ndër të tjera. Vlahutin tha se BE do të investojë 10 milionë euro për të ndihmuar Shqipërinë që të vërë në zbatim planin e veprimit për të luftuar korrupsionin. “Ajo që është më e rëndësisme është që të rrisim mbështetjen tonë. BE ka planifikuar që të investojë 10 mln euro për ta ndihmuar Shqipërinë për të vnënë në zbatim planin strategjik dhe planin e veprimit. Fusha të ndryshme që janë shqetësim përsa i përket Shqipërisë janë financimi i partive politike, por në mënyrë de facto edhe mosndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë”, theksoi ambasadorja.
Por e vetme shoqëria nuk e lufton dhe parandalon dot korrupsionin pasi për luftën ndaj tij nevojiten institucione funksionale dhe mbi të gjitha një klasë politike e përgjegjshme.
Ambasadorja e konsideroi me rëndësi mbështetjen për qytetarët dhe shoqërinë civile në rritjen e intolerancës publike ndaj korrupsionit. Vlahutin mes të tjerash theksoi se në Shqipëri duhet luftuar kultura e mosndëshkueshmërisë, e cila e bën korrupsionin të lulëzojë. “Nëse njerëzit do të jenë të lodhur dhe pasivë korrupsioni do të lulëzojë, por nëse njerëzit do të pranojnë që korrupsioni është mënyra e vetme që të merren shërbimet e duhura atëherë është e pamundur që të shërohet sistemi. Në fjalën e saj, ambasadorja Vlahutin tha se ky fenomen i merr qytetarëve të drejtat dhe liritë e tyre themelore. “Në mënyrë që të merrni shërbime ju duhet të paguani taksa, kështu që kurrë nuk duhet të jeni në një pozitë që të paguani dyfishin për t’i marrë këto shërbime, si p.sh. për t’u trajtuar si duhet në spital apo që t’ju jepet një punë për të cilën ju jeni më së miri të kualifikuar”, etj.
Sipas ambasadores, korrupsioni minon themelet e vërteta të demokracisë dhe lufta kundër tij është kryelufta, apo nëna e çdo beteje tjetër që do të bëjmë.