Bashkëpunimi mes UET-it dhe Bashkisë së Tiranës ka angazhuar një grup studentësh të vitit të dytë Master në praktikë konkrete
Projekti më i fundit i UET vjen në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe konsiston në ndërtimin e website-ve dhe aplikacioneve për departamente të ndryshme të bashkisë. Projekti më i rëndësishëm është ai me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, por shumë shpejt do të punohet për t’i ardhur në ndihmë edhe Policisë Bashkiake dhe Ujësjellësit. Nën mbikëqyrjen e Dr. Anni Dasho Sharko, studentët e nivelit Master të degës Informatikë Ekonomike po bashkërendojnë punët për t’i ofruar bashkisë dhe qytetarëve një sistem dinamik të shkëmbimit të informacionit. Nëpërmjet kësaj faqeje, qytetarët do të kenë mundësi që nga celulari apo kompjuteri i tyre të lokalizojnë parqet e Bashkisë së Tiranës, të azhornohen me aktivitetet që zhvillohen në këto zona, të njihen me vendet që kanë objekte arkeologjike dhe kulturore, por në të njëjtën kohë është një formë shumë e mirë e komunikimit të kësaj agjencie me qytetarët.
Nga Erjon Uka
Në një thënie të tij kushtuar përdorimit eficient të kohës, Charles Darwin thotë se “Një njeri i cili shpenzon pa dobi kohën e tij, nuk ka zbuluar vlerën e jetës”. Në të vërtetë, koha është kthyer në asetin më të çmuar të njerëzve sot, në këtë botë dinamike ku çdo gjë kërkon përkushtim. Për fat të mirë, teknologjia e informacionit u ka ardhur në ndihmë njerëzve duke e bërë botën më të vogël dhe duke ndihmuar në kursimin e kohës. Nëse pak kohë më parë, një profesori i duhej një informacion nga një gazetë apo libër, përveç parave që do të shpenzonte do t’i duheshin ditë për të gjetur informacionin e kërkuar. Ose mendoni, studentët që duan të studiojnë jashtë shtetit, sa të vogla do t’i kishin mundësitë për të marrë informacion rreth jetesës në një vend të huaj dhe bursave që akordon universiteti i dëshiruar.
Teknologjia, nëpërmjet rrjetit të madh të internetit, ka krijuar një botë të tërë informacioni të aksesueshëm në çdo kënd të globit. Nëse je në një udhëtim, për pak minuta mund të gjesh listën e restoranteve dhe hoteleve me çmimet më të leverdishme, ose nëse kërkon të blesh një telefon celular, mund të krahasosh çmimet në gjithë botën dhe të porositësh atë që të duket më i përshtatshëm. Por përveç këtyre veprimeve, shumë gjëra janë thjeshtëzuar në jetën e gjithsecilit. Tashmë energjinë elektrike mund ta paguash direkt nga telefoni celular, duke shmangur radhët e gjata dhe procedura burokratike; pagesat në supermarket mund t’i bësh me kartë krediti për të shmangur mbajtjen e parave cash, prenotimet e biletave apo rezervimi në hotele mund të bëhet online dhe gjithashtu, transaksionet bankare mund të kryhen si nga kompjuteri personal ashtu edhe nga celulari.
Në Shqipëri, për vetë kushtet social-ekonomike të vendit, një proces i tillë që përfshin dixhitalizimin e materialeve dhe përdorimin e teknologjisë në institucione filloi relativisht vonë. Gjithsesi, ritmi i punës ka qenë i mirë dhe shumë institucione sot përpunojnë informacionin nëpërmjet kompjuterit duke e bërë atë transparent për publikun. Pasqyrimi i aktiviteteve, lajmërimeve apo raporteve nuk është më një çështje dëshire, por është kthyer në një domosdoshmëri për institucionet publike dhe private.
Në këtë pikëpamje, Universiteti Europian i Tiranës ka në filozofinë e tij bashkëpunimin me aktorë të tretë jashtë universitetit, por që kanë nevojë për këshillimin që vjen nga bota akademike. Jo vetëm pedagogët, por edhe studentët janë bërë pjesë e një aktivizimi të tillë. Projekti më i fundit vjen në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe konsiston në ndërtimin e website-ve dhe aplikacioneve për departamente të ndryshme të bashkisë. Projekti më i rëndësishëm është ai me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, por shumë shpejt do të punohet për t’i ardhur në ndihmë edhe Policisë Bashkiake dhe Ujësjellësit. Nën mbikëqyrjen e Dr. Anni Dasho Sharko, studentët e nivelit Master të degës Informatikë Ekonomike po bashkërendojnë punët për t’i ofruar Bashkisë dhe qytetarëve një sistem dinamik të shkëmbimit të informacionit. Nëpërmjet kësaj faqeje, qytetarët do të kenë mundësi që nga celulari apo kompjuteri i tyre të lokalizojnë parqet e Bashkisë së Tiranës, të azhornohen me aktivitetet që zhvillohen në këto zona, të njihen me vendet që kanë objekte arkeologjike dhe kulturore, por në të njëjtën kohë është një formë shumë e mirë e komunikimit të kësaj agjencie me qytetarët.
Agjencia duke lajmëruar këtë bashkëpunim në faqen e saj në facebook shkruan: “Bashkia e Tiranës dhe UET, së bashku për modernizimin e website-it të kryeqytetit. Pjesë e këtij bashkëpunimi është edhe ndihma për ndërtimin e website-it të APR-së nga një grup studentësh të talentuar të UET. Grupi i punës finalizoi dizajnin dhe strukturën. Shumë shpejt www.aprtirana.al do të jetë online”.
Intervista/ Flet Dr. Anni Dasho Sharko, pedagoge dhe koordinatore e IT Consulting
Pse është e rëndësishme praktika konkrete për studentët e IT-së
Ky është viti i dytë që studentët e nivelit Master në Universitetin Europian të Tiranës ndërtojnë platforma web ose aplikacione që u vijnë në ndihmë institucioneve publike dhe bizneseve. Dr. Anni Dasho Sharko sqaron se lënda Web-Design është konceptuar në këtë mënyrë për ta bërë më tërheqëse, por edhe për të nxitur aftësitë e studentëve. Përtej auditorit, studenti ka mundësinë që njohuritë e tij t’i finalizojë në diçka konkrete. Ky angazhim ndahet në tri faza, duke filluar si detyrë kursi, vazhdon në formën e internshipit ku studentët kanë mundësinë të bëjnë praktikën dhe për ata që vërtet kanë një ide inovative, e zhvillojnë në formën e një aplikacioni që u shërben edhe si temë diplome.
Çfarë është ky projekt dhe çfarë synohet nëpërmjet tij?
Projekti zhvillohet në kuadër të një lënde që jepet në nivelin Master, që quhet Web-Design, dhe për të ndryshuar metodologjinë e mësimdhënies menduam të bëjnë diçka ndryshe. E nisëm vitin e kaluar duke bërë një aplikacion të platformës web, me studentët e nivelit Master në këtë lëndë, që u erdhi në ndihmë kërkesave të Universitetit Europian të Tiranës. Kjo konsistonte në vlerësimin online të pedagogëve. Sivjet menduam të sillnim diçka të re, dhe meqë një prej studentëve tanë është pjesë e Bashkisë së Tiranës, menduam që ta ndihmojmë këtë institucion me tri ose katër faqe web-i, për të cilat ata kanë nevojë për t’u ridizenjuar ose duke i krijuar nga fillimi. Kontaktuam me ata dhe bëmë një analizë të shkurtër duke u bazuar te kërkesat e tyre dhe gjithashtu ndamë detyrat në grupe të vogla. Faqja e parë, e cila ka një rëndësi të madhe, është ajo e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, drejtuar nga Blendi Gonxhe, e cila është një faqe dinamike, që kërkon një koncept ndryshe nga faqet statike të dizenjuara në gjithë institucionet e tjera publike. Kjo faqe do të ndërtohet nga studentët e UET, por do të mbushet me informacione nga departamenti përkatës, të cilëve do t’u vëmë në ndihmë faqen e zhvilluar nga ne. Të tria grupet që do të punojnë, për tri departamente të ndryshme do të sjellin një dizenjim unik të platformave të faqeve web.
Çfarë do të ketë të veçantë kjo faqe?
Normalisht, mënyra e strukturimit të faqes është e njëjtë, por ka lehtësi për përdoruesin pasi nuk është e nevojshme të ketë administrator gjithë kohën për të hedhur të dhënat në faqe. Gjithashtu është atraktive, sepse është e lehtë për shikuesin. Në momentin e dytë kur faqja do të merret në dorëzim nga stafi i Bashkisë, do të ndihmohet nga ekipi ynë që ta mirëmbajnë vetë ata. Nuk do të jetë në dorën tonë dhe çdo facilitet do të jetë në dorë të Bashkisë. Ne ndërtojmë një platformë për të gjithë pjesëtarët që do ta mirëmbajnë më pas, duke bërë trajnim të ekipit të tyre, duke ndërtuar një modul se si bëhet hedhja e të dhënave dhe nëse do të ketë sërish nevojë për ne, qendra e re që është krijuar në UET, UET-IT Consulting, do të suportojë për çdo gjë tjetër.
Mendoni se kjo është një mundësi e mirë për studentët e UET që të aftësohen dhe të promovohen në tregun e punës?
Kjo ishte një ide pikërisht për këtë gjë, për të ndryshuar vizionin lidhur me studentët. Ne duam të promovojmë studentët tanë dhe të japin mesazhin se ata bëjnë një punë që është e krahasueshme me ata që janë profesionistë. Sidomos studentët e nivelit Master kanë një nivel shumë të lartë, duke i ardhur në ndihmë qoftë universitetit të tyre, por edhe institucioneve të tjera. Kemi dëshirë ta vazhdojmë edhe internshipin në pjesën e praktikës. Gjithashtu ne duam të punojmë edhe me Ujësjellësin e Tiranës, të cilët kërkojnë një aplikacion dhe studentët do ta zhvillojnë në formën e temës së diplomës. Pra ky proces ndahet në tre faza: fillon si detyrë kursi, kalon në formën e internshipit ku studenti bën praktikën dhe në fund ata që kanë një aplikacion real e zhvillojnë si temë diplome. Në këtë mënyrë studenti ka një vizion totalisht ndryshe për veten e tij, del më i përgatitur, merr një letër reference nga UET ku dëshmohet se ai i vlen biznesit dhe institucioneve të ndryshme dhe gjithashtu mund të sigurojë një punë të ardhshme në institucionin ku ne zhvillojmë këto aplikacione.
Cilat janë disa nga vështirësitë që studentët kanë hasur deri tani?
Vështirësi nga ana e zhvillimit, pra nga pikëpamja e IT, nuk ka. Ekipi është homogjen ku vazhdimisht diskutohet, analizohet, gjendet një platformë, monitorohen nga unë dhe nga disa asistentë që kemi në UET. Por gjithmonë ndonjë problem mund të haset nga pala pritëse e platformës e cila mund të shfaqi mendime të ndryshme për zhvillimin e projektit, por me kalimin e kohës i kemi sheshuar edhe këto probleme. Një vështirësi jo e vogël gjendet në analizën që do t’i bëhet departamenteve të caktuara për të kuptuar nevojat e tyre dhe mënyrën e implementimit në faqen e web-it. Shumë herë kjo mendohet si diçka e lehtë por ka nevojë për një punë shumë të madhe. Në fund të shkurtit ne duam të përfundojmë faqet e web-it dhe në qershor studentët më të mirë do të kenë përfunduar edhe aplikacionet.
Klejdi Domi: Aplikacionet ofrojnë ndihmë për qytetarët
Klejdi Domi është student i Informatikës Ekonomike, që është angazhuar në këtë projekt dhe gjithashtu ka rolin e liderit në një prej tri grupeve që do i vijë në ndihmë Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Ai shpjegon se grupi po merret me dizenjimin e një faqeje web-site për këtë agjenci. “Aktualisht jemi duke punuar për dizenjimin dhe programimin e faqes web ku do të përfshihen informacionet, eventet dhe lajmërimet që do të ketë kjo agjenci”. Ai mendon se projekte të tilla, me fokus krijimin e faqeve të internetit dhe aplikacioneve të thjeshta që përdoren nga qytetarët, i ndihmojnë këta të fundit në jetën e përditshme. “Institucionet e reja por edhe ato ekzistuese, me anë të Teknologjisë së Informacionit mundet të përdorin teknika të ndryshme për marketingun e tyre dhe për t’i ardhur në ndihmë popullit. Për shembull, shmangja e radhëve të gjata mund të anashkalohet me anë të krijimit të këtyre aplikacioneve, ku një person bën pagesën, deklarimet, denoncimet dhe kërkesa të ndryshme online”, shprehet Klejdi. Në fund, ai e sheh shumë pozitive këtë eksperiencë, pasi “iu jep mundësinë studentëve të kapërcejnë ato provat që bëjnë nëpër auditorë dhe të kalojnë në diçka reale që do t’u vijë në ndihmë të tjerëve.”
Silvana Qose: Një mundësi për të përmirësuar teknologjinë në vend
Silvana Qose aktualisht ka rolin e menaxheres së projektit në faqen që do të ndërtohet për Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Detyra e saj është menaxhimi dhe kontrolli i punës me qëllim arritjen e objektivave në afatet e caktuara kohore. Aktualisht po zhvillohet një website, i cili do të ketë informacion të mjaftueshëm, të kuptueshëm dhe të thjeshtë për qytetarin që do ta përdorë atë. “Do përfshijë aktivitete për mosha të ndryshme, vendndodhjen ekzakte të parqeve në Tiranë, karakteristikat e tyre si dhe aplikacione për sugjerime dhe ankesa nga qytetarët. Qëllimi është krijimi i një website funksional dhe lehtësisht të përdorshëm nga qytetarët”. Ajo e sheh si një domosdoshmëri dixhitalizimin e institucioneve publike pasi informacioni duhet të jetë i hapur dhe i aksesueshëm nga të gjithë. Ndër vështirësitë e projektit përmend mjetet teknike. “Vështirësia më e madhe janë mjetet teknike si për shembull hartat të cilat janë të vjetra krahasuar me sistemin që kemi tani dhe na vështirësojnë punën për GPS që do vendoset për vendndodhjen e parqeve. Megjithatë, institucioni na ka ofruar ndihmën e tij dhe sigurisht kemi gjetur zgjidhje”, shprehet Silvana. Si studente ajo vlerëson këtë përvojë pasi ndikon direkt në rritjen profesionale. “Një eksperiencë e tillë në këto momente na përmirëson profesionalisht dhe na jep një besim në vetvete, duke ditur se puna jonë bazohet vetëm në praktikë. Gjithashtu na jepet mundësia që të japim kontributin tonë në përmirësimin e teknologjisë në vend. Kjo është një arritje e madhe për ne duke qenë akoma në auditorë”, përfundon Silvana.
Xhersi Karaj: Çelësi i suksesit është bashkërendimi i aktiviteteve
Xhersi Karaj shpjegon se zhvillimi i faqes është i lidhur me klientin dhe fokusi kryesor është në kuptimin dhe realizimin e kërkesave të tij. “Produkti final kërkon një qasje të orientuar drejt përdoruesit fundor, ndaj në punën time strukturimi dhe fleksibiliteti përbëjnë hallkat më të rëndësishme. Ndër proceset më të zakonshme që kryej është analiza mbi kërkesat e klientit dhe komunikimi me ta. Sidomos kjo e fundit përbën një procedurë shumë të rëndësishme sepse zhvillimi i faqes është i lidhur drejtpërdrejtë me klientin për të cilin krijojmë faqen web. Kërkesat e tij duhet të përkthehen në punë nga ekipi i projektit. Përkthimi i kërkesave ekonomike të klientit në gjuhë të kuptueshme nga programistët përbën thelbin e profesionit për të cilin kam studiuar dhe vazhdoj të studioj, atë të Business Analyst”, – shprehet Xhersi. Gjithashtu, si student ai duhet të menaxhojë kohën mes studimeve dhe punës që po kryen aktualisht. “Menaxhimi i kohës përbën një sfidë më vete. Në fakt kjo është pjesa më e vështirë, por që gjithsesi deri më tani ia kam dalë suksesshëm. Çelësi i suksesit është bashkërendimi i aktiviteteve. Gjatë ditës kam të paracaktuar një ‘axhendë’ në kokën time. Duhet thënë se një lehtësi të madhe të krijon dhe orari mësimor në Universitetin Europian të Tiranës. Nëse do t’i vendosja një vlerë kohore të caktuar projektit do të thosha se ai maksimalisht merr rreth tri orë në ditë.” Gjithashtu Xhersi rendit edhe shumë përfitime që një student merr nga ky projekt. “Ideja e përfshirjes së studentëve në projekte të tilla bashkëpunimi janë reklama më e mirë që prezanton punën e studentëve dhe të vetë këtyre institucioneve. Studentit i jepet mundësia të performojë konkretisht dhe të prodhojë diçka reale e të matshme, të fitojë eksperiencë dhe të përballet me situata me të cilat do të ndeshet në të ardhmen në profesion. Modeli i shoqërive perëndimore tregon se përfshirja e studentëve në projekte të tilla është në vetvete një model i suksesshëm”.
Igli Tafaj: Bashkëpunime të tilla përbëjnë një vitrinë promovimi
Igli Tafaj në këtë projekt është i angazhuar në aspektin menaxherial dhe teknik. Në punën e tij ai realizon analizën mbi pjesën e programimit të faqes web dhe gjithashtu udhëheq grupin e punës në konkretizimin e detyrave lidhur me pjesën e programimit. Sipas tij, grupi i programimit mbart një rëndësi të veçantë pasi përbën “shtyllën kurrizore” të të gjithë projektit final. “Çdo projekt ka vështirësi të lidhura me menaxhimin e personave apo dhe respektimin e detyrave. Vështirësia më e madhe është padyshim respektimi i limiteve kohore dhe buxhetit të projektit. Kjo mendoj se përbën dhe pengesën më të madhe kur ke të bësh me nisma të tilla. Dua të theksoj edhe rolin shumë pozitiv që ka Universiteti Europian i Tiranës. UET është një promotor i madh në projekte të tilla me ne studentët, duke na mundësuar përfaqësimin dhe vënien në jetë të gjithë njohurive dhe aftësive që kemi përfituar gjatë viteve të studimit”. Igli e sheh këtë eksperiencë si shumë pozitive në planin e promovimit profesional dhe gjetjen e një vendi pune. “Me projekte të tilla në CV-në tënde kthehesh në një element potencial për t’u punësuar në institucionet publike dhe private. Në një ekonomi të tillë si kjo e jona, ku vazhdon të ndihet ende fuqishëm prezenca e publikes, bashkëpunime të tilla përbëjnë një vitrinë në të cilën mundesh që si individ të ekspozohesh suksesshëm. Institucionet publike në anën tjetër mendoj se janë më se të legjitimuar t’i reklamojnë këto projekte, pasi futen në vazhdën e atyre politikave sociale dhe ekonomike që i premton çdo qeveri që aspiron të vijë në pushtet. Fundja shpeshherë dëgjojmë për politikat e punësimit të të rinjve apo integrimin e të rinjve në institucionet publike. A nuk i përmbushin më së miri projekte të tilla?” – përfundon Igli.