Analiza e revistës prestigjioze “Forbes” mbi impaktin që ka arsimi i nivelit të dytë për individët dhe kompanitë
Nga Sean Gallagher, Forbes*
Në Shtetet e Bashkuara dhe përreth botës, një debat i rëndësishëm po zhvillohet sa i përket kostove dhe përfitimeve të arsimit të lartë. Në epokën e pas Recesionit, çështjet si për shembull punësimi, kthimi i investimeve dhe borxhi studentor kanë dalë në plan të parë. Një nga analizat e fundit publikuar nga New America Foundation “Shqyrtimi I borxhit të studentëve të diplomuar”, tërheq vëmendjen mbi nivelet në rritje të borxheve të studentëve shkaktuar nga ndjekja e specializimeve pasuniversitare dhe vë në pikëpyetje leverdinë e fondeve publike në diplomat e masterit. Megjithëse kjo analizë ngre disa çështje të rëndësishme, të bësh një diagnozë negative të gjithë arsimimit të të diplomuarve injoron kërkesën në rritje për të dhe vlerën e një diplome master të profesionistëve në ekonomi.
Deri në vitet 1970, diplomat master ishin gjerësisht një ngushëllim për studentët që ndiqnin specializimet doktorale. Sidoqoftë, në dekadat në vijim, masteri doli të ishte një kredencial profesional kyç, i preferuar nga punëdhënësit – së pari me rritjen në progresion gjeometrik të masterave në administrim biznesi si kredencialet kyçe në biznes dhe më vonë përmes pranimit të masterave profesionalë në fusha si inxhinieria, kujdesi shëndetësor dhe shkenca. Sot, shumica e diplomave master në SHBA nuk jepen më në fushat tradicionale lidhur me „diplomën idilike të shkollës“, nocion i dekadave të shkuara (siç janë artet dhe shkencat humane) – por në disiplina profesionale dhe teknike si biznesi, edukimi, shkencat kompjuterike dhe inxhinieria.
Gjithmonë e më tepër, punëdhënësit vlerësojnë zgjidhjen e problemeve, mendimin kritik dhe aftësitë teknike që të diplomuarit zhvillojnë përmes arsimimit. Sipas të dhënave që nxjerrin publikisht dhe analizave që firmat bëjnë në tregun e punës për miliona vende pune që kanë hapur kompani si Nurning Glass Technologies, më tepër se 20% e pozicioneve të hapura në ekonominë e SHBA-ve sot, preferojnë ose kërkojnë nivele të specializuara të arsimuarish – ndërkohë që rreth 11% e popullsisë ka një diplomë të avancuar. Kolegjet dhe universitetet i janë përgjigjur kësaj kërkese përmes krijimit të programeve akademike të orientuara ndaj industrisë dhe modeleve të shpërndarjes së re. Ndërkohë që lëvizja për inovacionin në arsimim është e preokupuar me hapjen e kurseve online masive falas, inovacioni real po ndodh në programet e masterit që bazohen në terrenin e punës dhe mund të ndiqen në formatin ekzistues, online, ose edhe në formate të tjera hibride.
Ekonomistë dhe specialistët të tjerë edukimi kanë dokumentuar shpërblime në paga, mundësi ekonomike dhe benefite për studimet master – dhe këto benefite të kapitalit njerëzor janë realisht në rritje. Një analizë e vitit 2012 nga Rezerva Federale zbuloi se virtualisht, gjithë rritja e rrogave përmes shpërblimit falë arsimimit të specializuar në dekadën e fundit ishte pasojë e diplomave të avancuara dhe jo më kot të diplomuarit e gradave të larta përfitojnë 30% shpërblim mbi pagën më tepër se ata që mund te kenë vetëm Bachelor. Sipas të dhënave të vitit 2013 të Departamentit të Punës të SHBA-së , norma e papunësisë për individët që kanë diplomë master ishte vetëm 3.4% në 2013 krahasuar me normën 6.1% të të gjithë punonjësve të tjerë. Duke pasur parasysh orientimin e njohurive dhe natyrën komplekse dhe globale të ekonomisë sot, punëdhënsit shpesh kërkojnë diplomën master për shumë nga hapësirat në zgjerim të lidershipit dhe profesionale-teknike në tregun e punës.
Kërkesa e tregut për të diplomuarit në Master
A ka nevojë ekonomia e SHBA-ve apo ekonomia botërore për më shumë të diplomuar master në letërsi angleze apo në arkeologji? Me shumë gjasa jo – nuk kemi absolutisht asgjë kundër ndjekjes së këtyre drejtimeve. Studentët po votojnë me vendimet e tyre, dhe tregu po u përgjigjet: sipas të dhënave të Council of Graduate Schools, masteri në këto fusha ka rënë gjatë viteve ndërkohë që përfshirja në fusha si shkenca kompjuterike, shkencat e shëndetit dhe inxhinieritë vazhdon të rritet. Madje, edhe masterat në administrim biznesi nuk janë imunë ndajë ndryshimeve të prirjeve të tregut. Prirja aktuale mes studentëve, punëdhënësve dhe shkollave të biznesit është preferenca ndaj programeve master të specializimit të lartë në financë ose menaxhim, të cilat formojnë specialistë të mprehtë dhe jo teoricienë përgjithësues.
Së fundmi, ndërkohë që përfitimet ekonomike individuale si rrjedhojë e masterit janë të qarta , nuk duhet të harrojmë përfitimet shoqërore dhe përfitimet në “eksternalitetet” (në terma ekonomikë) që janë krijuar nga arsimimi i niveleve të larta. Studiuesit si Richard Florida, Enrico Moretti dhe Edward Glaeser vazhdojnë të zbulojnë se nivelet e larta të arsimimit çojnë në përfshirje më të madhe sociale, mirëqenie më të madhe sociale, jetesë më të gjatë, shëndet dhe prosperitet ekonomik. Duke parë këto dinamika, në vend të kritikojmë diplomat master si një produkt i “flluskës së edukimit“, ne duhet të gjejmë mënyrat që të rrisim mbështetjen ndaj arsimimit të një cilësie prekshmërisht të lartë.
*Sean Gallagher është shefi i strategjive arsimore në Universitetin Verilindor të Bostonit