Në prag të ndryshimeve kushtetuese që klasa politike po bën si pjesë e reformës në sistemin e Drejtësisë, politikani dhe avokati Spartak Ngjela boton 5 ide, 5 leksione që i dedikohen konstitucionalizmit.
“Pesë leksione për konstitucionalizmin”, titullohet libri më ri i Ngjelës, që botohet nga Shtëpia Botuese UET-Press, së cilës avokati i ka besuar dhe botimin e librave të tjerë të tij.
Libri, siç duket dhe nga titulli, i është dedikuar jurisprudencës dhe trajtohet në formë leksionesh, pesë të tillë, konstitucionalizmi. Leksioni i parë shpjegon konstitucionalizmin si filozofi e demokracisë, marrëdhënien me liberalizmin dhe demokracinë, leksioni i dytë prek marrëdhënien me shoqërinë, “Kushtetuta e parë si kontratë shoqërore”, leksioni i tretë trajton “konstitucionalizmin e parë si proceduralizëm”.
Në pjesën e dytë të librit, që përkon me leksionin e katërt, trajtohen Konceptet e Konstitucionalizmit, ndërsa në pjesën e tretë që është dhe leksioni i pestë, ndahet në disa pjesë: “Konstitucionalizmi: Filozofia e unitetit shoqëror; Konstitucionalizmi: shoqëria si një e tërë, dhe individi si një pjesë e saj dhe katër elementet qendrore të konstitucionalizmit.