Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Talentet e kanë zgjedhur universitetin e tyre

$
0
0

cover kryesoreSë bashku me ekselentët dhe lidershipin, UET do të vazhdojë të stimulojë edhe studentët e talentuar si në art, ashtu edhe në sport. Kanë qenë këngëtarë, modele, balerinë, aktorë dhe sportistë që kanë studiuar në UET ose vazhdojnë ende të kryejnë studimet, ata që i kanë dhënë tonin mbrëmjes së “UET Talent Club”

Nga Erjon Uka

Shtatori është muaji ku puna nis vrullshëm dhe përcaktohen ambiciet për vitin e ri akademik. Mes provimeve të vjeshtës, regjistrimeve të reja dhe organizimeve të ndryshme, Universiteti Europian i Tiranës u kushton një rëndësi të veçantë edhe klubeve studentore. I tillë ka qenë takimi i “UET Talent Club”, ku shumë studentë të njohur për publikun janë mbledhur në një mbrëmje për të trokitur gotat dhe për të biseduar së bashku. Kanë qenë këngëtarë, modele, balerinë, aktorë dhe sportistë që kanë studiuar në UET ose vazhdojnë ende të kryejnë studimet, ata që i kanë dhënë tonin kësaj mbrëmjeje. Tashmë është një fakt i njohur se talentet së bashku me ekselentët dhe liderët e rinj mbështeten dhe stimulohen në aktivitetin e tyre nga Universiteti Europian i Tiranës. Në fjalën e tij përshëndetëse, administratori i Universitetit, Henri Çili shprehu kënaqësinë e tij për punën që UET ka bërë në këtë drejtim gjatë këtyre viteve duke u bërë promotor kryesor i studentëve. “Jam shumë i lumtur sot që organizojmë UET Talent party me studentë që janë diplomuar apo vazhdojnë ende studimet. Është kënaqësi që kemi mundur sadopak t’ju mbështesim në aktivitetet tuaja si në këngë, aktrim, modeling, sport etj. Këtë takim do ta kthejmë në një traditë të përvitshme, ashtu si kemi kthyer në traditë edhe dhënien e bursave për studentët e talentuar”, – përfundoi shkurtimisht ai. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe presidenti Adrian Civici, rektori Tonin Gjuraj, dekani i Fakultetit, Juridik Ksenofon Krisafi, si dhe shumë pedagogë të tjerë që i janë bashkuar festës së studentëve.

Duke parakaluar në mënyrë simbolike mbi tapetin e kuq, studentët e vlerësojnë këtë takim si një mundësi e mirë për të vazhduar traditën dhe për t’u mbledhur me njëri-tjetrin. Ata pranojnë me një zë që UET ka qenë një mbështetje duke i dhënë edhe një formim tjetër krahas atij artistik apo sportiv. Skandinada Lalaj, Arjon Muça dhe Eni Llazani tregojnë nga këndvështrime dhe kohë të ndryshme se si e kanë parë UET-in, marrëdhënien e tyre me pedagogët dhe ndjesinë e të qenit i famshëm në auditorët e universitetit. Stafi akademik dhe aktivitetet e shumta shihen si pika më e fortë e këtij institucioni, ku edhe pse mund të kesh një status publik, është e vështirë të bëhet kompromis me notën.

Skandinada Lalaj: Në UET, të qenit i famshëm nuk të ndihmon për provimet

E diplomuar për Marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, modelja Skandinada Lalaj kujton kohët e studimeve, duke vlerësuar rolin e UET-it dhe pedagogët. “Në vitin 2008 kam nisur studimet për marrëdhënie ndërkombëtare. Atëherë UET nuk kishte këtë emër gjigant që ka sot. Në ato vite unë merresha me modeling dhe aktivitete të ndryshme televizive, kur erdhi propozimi i Henri Çilit për të studiuar në UET. Personazhe të tjerë që përfituan nga bursat e talentit ishin edhe Anjeza Shahini, Xhemi Shehu etj. Kisha dëgjuar pak për UET-in, por ato pak fjalë më jepnin siguri, duke bërë që ta pranoja me bindje ftesën për të studiuar në këtë universitet”, – shprehet ajo. Leksionet dhe stafi akademik i universitetit kanë qenë pika më e fortë duke lënë edhe mbresa në kujtesën e saj. Skandinada thotë se “jam ndjerë shumë mirë në UET, sepse universiteti i ofronte të gjitha kushtet, duke dalluar kështu nga institucionet e tjera. Në UET kam kaluar shumë çaste të bukura, por kënaqësia më e madhe ishte momenti kur në leksionet me shumë studentë dëgjonim profesorët tanë. Do të përmendja Artan Fugën dhe Henri Çilin, por edhe shumë pedagogë të tjerë. Organizomin mjaft aktivitete duke pasur edhe të ftuar, me të cilët bënim bashkëbisedime miqësore”. Në fund ajo thekson se të qenit e famshme nuk ka influencuar në vlerësimet që ka marrë nga pedagogët dhe këtë e sheh si një ndër pikat më të forta të universitetit.“Ndoshta të qenit talent ka ndikuar jashtë leksionit dhe seminarit, ndërsa në auditor e kam ndjerë veten njëlloj me të tjerët. Më vjen shumë mirë, pasi tregonte se ne edhe pse mund të ishim më të njohur trajtoheshim njëlloj dhe mendoj se pikërisht ky fakt e ka veçuar UET-in nga universitetet e tjera”.

Arjon Muça: UET, universitet me standarde perëndimore

Pjesëtar i spektaklit “Big Brother” dhe prej disa kohësh një prezantues i suksesshëm, Arjon Muça po kryen studimet Master pranë Universitetit Europian të Tiranës. Studimet e ciklit Bachelor i ka nisur në vitin 2009, kur edhe sipas tij ka qenë viti ku UET mori shkëlqimin që vazhdon ta ruajë edhe sot. “Vitet e para kanë qenë shumë të bukura dhe UET arriti shumë shpejt që me vrullin karakterizues të dominonte tregun. Shumë herë më vjen keq që të rinjtë e nënvlerësojnë sektorin privat. Organizimin dhe kushtet që të ofron UET-i, unë nuk i kam hasur as në shkollat italiane, ku edhe kam kaluar një pjesë të gjatë të jetës sime. Stafi akademik, komunikimi i pedagogëve dhe organizimi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të një niveli të lartë”. Por, si e ka parë veten një personazh kaq i njohur për publikun në sallat e leksioneve? “Qenia VIP mund të më ketë ndihmuar në një buzëqeshje më shumë që mund të të japë pedagogu, por në UET nuk kanë bërë kompromise me notat. Madje mund të them se ndonjëherë ka ndodhur edhe efekti i kundërt, sepse mund të ndodhte që pedagogu të kishte një paragjykim apo antipati për ty. Ndaj ka edhe raste që nuk të ndihmon fakti që je një personazh i njohur”, – shprehet duke qeshur Arjoni, ndërsa e sheh si diçka shumë pozitive faktin e takimeve të herëpashershme të “UET Talent Club”. “Mua më pëlqejnë shumë këto takime. Sa herë më ka ardhur ftesa nga ana e UET-it e kam pranuar me kënaqësi, sepse një pjesë të madhe të personazheve i njoh personalisht dhe e shoh si një mënyrë të mirë për t’u mbledhur dhe për të folur kryesisht për studimet”.

Sportistët ndihen të vlerësuar në UET

Jo vetëm talente nga bota e artit dhe e spektaklit, por edhe sportistët kanë një vend të veçantë në universitet. Shumë bursa studimi janë dhënë për sportistët e ekipeve kombëtare të futbollit, basketbollit dhe volejbollit, duke mos harruar edhe sportet e tjera individuale si noti. Basketbollisti i Vllaznisë dhe i ekipit kombëtar që nga viti 2011, Eni Llazani vlerëson nismat e UET-it në mbështetje të talenteve dhe kryesisht të sportit. Student në programin Financë-bankë, ai shprehet se “UET më ka bërë shumë përshtypje, sepse përballesh me një shumëllojshmëri karakteresh dhe marrëdhënia me profesorët është shumë e mirë. Sa herë kemi nevojë për diçka, trokasim në dyert e pedagogëve për të na dhënë informacionet e duhura. Janë shumë miqësorë me studentët, duke na bërë të ndihemi mirë dhe të japim maksimumin. Angazhimi në nivele të larta në basketboll ndoshta më ka privuar nga ndjekja në mënyrë të rregullt e leksioneve dhe do të uroja që këtë vit të mbyllja edhe studimet Bachelor. Kur vjen puna te provimet, të qenit basketbollist i mirë nuk të ndihmon shumë”, përfundon Eni.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles