Në Universitetin Europian të Tiranës u mbajt sot forumi i debatit mes ekspertëve të edukimit, drejtorëve të DAR-ve, drejtuesve të gjimnazeve mbi ndryshimet në sistemin parauniversitar në vend. “Përshtatja me ndryshimet e sistemit arsimor parauniversitar” ishte tema e takimit të 6-të të këtij forumi, ku ishte i pranishëm dhe Arbër Mazniku, ish-zvministër i Arsimit dhe Shkencës dhe aktualisht nënkryetar i Bashkisë Tiranë. Propozimi i UET për kthimin e gjimnazit në një cikël arsimi të përgjithshëm dhe të detyrueshëm solli diskutime dhe qëndrime të kundërta
Shkolla e mesme të jetë e përgjithshme dhe e detyrueshme, shkolla profesionale të jetë dyvjeçare pas gjimnazit.
Propozimi i hedhur për debat disa ditë më parë nga një grup ekspertësh në UET, ka marrë sot një formë më të detajuar dhe është diskutuar me përfaqësues të Drejtorive Arsimore Rajonale si dhe me drejtues të gjimnzave publike dhe private dhe ish-zv/ministrin e Arsimit dhe Shkencës, nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbër Mazniku.
Gjatë takimit të 6-të të forumit Universitet-Gjimnaz të organizuar nga UET, rektori i këtij universiteti Prof.Dr. Tonin Gjuraj, duke mbrojtur këtë propozim, i cili erdhi pas një pune disamujore të grupit të ekspertëve të edukimit në UET, tha se modeli i suksesshëm vjen nga modeli arsimor britanik.
Gjuraj mbrojti idenë se vetëm një arsimim i tillë do të krijonte të rinj me formim të përgjithshëm solid dhe të aftë të zgjedhin për profesionin e tyre, si dhe do t’i shërbente zhvillimit të gjithë shoqërisë.
“Pse të mos mendojmë të shkojmë drejt gjimnazit universal dhe të detyrueshëm e më pas një arsim profesional 2-vjeçar? Këto janë propozime për të cilat jam i bindur që mund të funksionojnë dhe duhet të funksionojnë, në një periudhë afatmesme”, tha Gjuraj, duke sjellë një analizë të hollësishme të studimeve që janë bërë në Britaninë e Madhe mbi këtë model arsimimi.
Sipas Gjurajt, “një gjimnaz i mirë i përgjithshëm me lëndë të mira të formimit të përgjithshëm, është shumë i rëndësishëm për të formuar qytetarin, për të krijuar një variacion fushash të dijes që në fund të ditës pastaj krijojnë një lloj sinergjie”. Duke përforcuar këtë propozim dhe duke argumentuar pse ka ardhur koha të kryhet një reformë e tillë, administratori i UET, Henri Çili, tha se arsimi profesional aktual është i dështuar ose i papërshtatshëm.
Në kundërthënie me këtë propozim, zoti Mazniku tha se kalimi i shkollës profesionale pas gjimnazit do të sillte një zvarritje në kohë dhe një zgjatje të edukimit.
“Një skemë e ngjashme do ta zgjaste sistemin arsimor, ndërkohë që nga “Bolonja” e tutje tendenca europiane ka qenë për t’i përgatitur pak më shpejtë e për t’i aftësuar pak më shpejt për tregun e punës e për të pasur mundësi që të funksionojnë në shoqëri”.
Megjithatë ai pranoi se sistemi parauniversitar ka mangësi pasi pretendoi se sipas tij “të rinjtë ta marrin të gjithë aftësimin e përgjithshëm që duhet dhe me ardhjen në arsimin e lartë, qoftë profesional ose jo, të marrin arsim specifik i cili i ndihmon për të aksesuar shoqërinë si një qytetar funksional”, argumentoi Mazniku.