Sipërmarrësit ndajnë eksperiencat e tyre, frymëzimin e tyre, idetë dhe sfidat që kanë qenë pjesë e rrugëtimit dhe i kanë shndërruar ata në sipërmarrësit që janë sot
Dita e Sipërmarrjes u mbajt javën që shkoi në Universitetin Europian të Tiranës, e konceptuar si një moment komunikimi mes sipërmarrësve dhe studentëve të Menaxhim Biznesit.
Në këtë organizim disa emra të njohur nga fusha e biznesit shqiptar kanë ndarë me studentët historitë e tyre të sipërmarrjes, sfidat dhe vështirësitë më të cilat janë përballur gjatë rrugës, idetë dhe përkushtimin ndaj këtyre ideve që kanë bërë të mundur suksesin e sipërmarrjeve të tyre. Prof. asoc. dr. Ermira Qosja, organizatorja e këtij eventi, u shpreh se Dita e Sipërmarrjes është “një festë” që mundëson sipërmarrësit të ndajnë eksperiencat e tyre dhe të frymëzojnë studentët të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e botës së biznesit.
“Dita e sipërmarrjes, kthehet në një festë ku sipërmarrësit ndajnë eksperiencat mes tyre, me njerëz të cilët dëshirojnë të hyjnë në sipërmarrje dhe e kthejnë këtë ditë në një moment optimizmi për inovacionin, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e zhvillimin ekonomik të vendit. Dita e Sipërmarrjes, vjen këtë vit për të katërtën herë në universitet dhe synimi është të ndahen eksperiencat më të mira të sipërmarrësve shqiptarë me studentët e Fakultetit Ekonomik, por dhe të motivohen studentët për sipërmarrjen”, -tha ajo.
Qosja ftoi sipërmarrësit e pranishëm, të ndajnë eksperiencat e tyre, frymëzimin e tyre, idetë dhe sfidat që kanë qenë pjesë e rrugëtimit dhe i kanë shndërruar ata në sipërmarrësit që janë sot. Para studentëve folën për idetë në ndërtimin e sipërmarrjeve të tyre dhe sfidat e një menaxhimi të suksesshëm sipërmarrësit; Armand Peza nga “Geraldina Sposa”; Mirjana Kuka dhe Fabian Kuka nga “Diplomat Fashion, Salt & Last Super”; Shkelzen Marku nga “Partnership for Development Foundation”; Altin Prenga nga Mrizi i Zanave; Alma Gerxhani nga Mandarina Promotion; Feridiola Berberi nga ArtSpace dhe Armand Shkëmbi i Real Deal.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, ka qenë gjithashtu i pranishëm dhe ka përshëndetur këtë aktivitet të zhvilluar. Ai tha për studentët e pranishëm se ajo çfarë ka më tepër rëndësi në sipërmarrjen e biznesit është ideja.
“Ideja sot vlen më shumë se gjithçka. Më shumë se paraja, më shumë se pasuria”.
Duke theksuar më tej faktin se është ideja ajo që më pas çon në lindjen e sipërmarrjes, dhe rëndësinë që ideja ka, ai është shprehur se jo vetëm individët janë në gjendje të pasurohen nga një ide e mirë, por edhe shtetet me rritjen më të shpejtë ekonomike sot, janë ato shtete të cilat kanë ide dhe shesin ide.
“Kur unë u shpjegoj teoritë ekonomike studentëve të mi, mënyrën se si funksionon ekonomia por mbi të gjitha si duhet t’i përgjigjemi pyetjes së famshme të Adam Smith-it “Si pasurohet një komb?”, shpesh e kam të vështirë t’ju shpjegoj, të paktën në fillim, që pasuria më e madhe sot janë idetë dhe jo produktet materiale. Ata popuj që sot janë specializuar në prodhimin dhe shitjen e ideve, po pasurohen shumë më shpejt se popujt e tjerë që kanë ngelur me ekonominë klasike të prodhimit të gjërave materiale. Kështu që edhe për një vend si Shqipëria, duke iu referuar eksperiencave të mëparshme, ndoshta burimi më i madh që ne kemi për të krijuar, pasuruar dhe zhvilluar janë vërtetë idetë e mira të cilat pastaj shndërrohen në biznese po kaq të mira”.
Në këtë mënyrë ai ka inkurajuar studentët të gjejnë në vete frymëzimin dhe të kenë sa më shumë ide. Potenciali për të qenë i suksesshëm gjendet në ide, brenda vetës.
“Gjithsecili e ka te vetja mundësinë, që po pati idenë dhe fantazinë që duhet mund të zhvillojë dhe të ketë një biznes. Shkollën duhet ta shfrytëzoni për të kuptuar më tepër veten, për t’u frymëzuar dhe për të gjetur ide, të cilat më pas fare mirë mund t’i shndërroni në një biznes tuajin”.
Aktiviteti ishte një mundësi mjaft e mirë për të gjithë studentët të cilët duan të dinë më tepër rreth botës së biznesit dhe sipërmarrjes, të njihen me histori të vërteta nga njerëz të cilët kanë luftuar kundër vështirësive dhe pengesave, me një qëllim të vetëm, të sjellin në jetë dhe të kultivojnë ëndrrat e tyre. Ata kanë patur mundësinë të mësojnë me tepër dhe të shuajnë kureshtjen me anë të pyetjeve që u kanë drejtuar sipërmarrësve të ftuar, të cilët kanë qenë mjaft të hapur në përgjigjet e pyetjeve të drejtuara.
Armand Peza, kur pasioni kthehet në profesion
Armand Peza, sipërmarrësi i njohur shqiptar, themeluesi i “Geraldina Sposa” ka ndarë me studentët e pranishëm, eksperiencën e tij në botën e biznesit.
Sfidat dhe vështirësitë për të qenë i suksesshëm nuk janë të pakta në të tilla rrugëtime. Pikërisht këtë, z. Peza e ka ilustruar më së miri për audiencën e pranishme, fillimet e vështira dhe sfidat me të cilat është përballur gjatë rrugës, përjetimet dhe mënyrën se si ia ka dalë mbanë të triumfojë mbi to.
Duke filluar nga emigrimi i hershëm në Greqi, vështirësitë që tregu shqiptar paraqet për ata të cilët vendosin të ndërmarrin sipërmarrje të cilat për kohën mund të mos përqafohen kollaj dhe përballja me situata të vështira në të cilat Shqipëria ka kaluar si firmat piramidale apo viti ’97.
Megjithatë “Geraldina Sposa” është një ndër bizneset më në njohura në Shqipëri dhe kjo falë punës dhe përkushtimit me të cilin është punuar për ta bërë atë të suksesshme.
“Geraldina Sposa ofron tanimë një gamë të gjerë shërbimesh, jo vetëm organizime dasmash por edhe konferenca, seminare, kongrese dhe në nivele ndërkombëtare, festa private etj. Gjithçka arrihet me punë dhe përkushtim. Unë këtë punë e bëj me shumë pasion dhe jam i lumtur që ktheva hobin tim në profesion”.
Në fjalën e tij ai ka treguar një sërë eksperiencash personale dhe parimesh që sipas tij e bëjnë një biznes të suksesshëm, duke u “dhuruar” kështu studentëve një histori me të vërtetë frymëzuese.
Prenga: “Mrizi i Zanave”, një sipërmarrje e mirëfilltë shqiptare
I gjendur në një prej fshatrave më piktoreskë të veriut të Shqipërisë, “Mrizi i Zanave” është një ndër restorantet më të frekuentuara dhe pëlqyer, jo vetëm nga vendësit, por edhe nga shumë turistë të huaj, të cilët tërhiqen jo vetëm nga natyra magjepsëse, por edhe shërbimi cilësor që ky restorant ofron.
Altin Prega, sipërmarrësi i cili ka krijuar këtë biznes, ka treguar për studentët e Universiteti Europian të Tiranës eksperiencën e tij si sipërmarrës në Shqipëri.
“Kemi hasur shumë vështirësi, veçanërisht ekonomike në fillimet tona, me investime fillestare mjaft modeste. Por fokusi ynë kryesor, që në fillim ka qenë zbatimi i kuzhinës tradicionale. Dhe besoj se ne kemi kontribuar që tradicionalja të përqafohet më tepër në Shqipëri, sot ne nuk jemi më i vetmi biznes agroturizmi por ka edhe shumë të tjerë në Shqipëri, që kanë këtë lloj biznesi. Kushdo që ka ide për të bërë një sipërmarrje në Shqipëri, në mënyrë që ta ndiejë veten edhe më mirë, unë i sugjeroj të ketë orientim drejt identitetit shqiptar dhe drejt prodhimit lokal. Tradicionalja gjithnjë prek zemrat”.
Duke ndarë me studentët edhe historitë nga të cilat ai vetë është frymëzuar, për të qenë një biznesmen i suksesshëm, Altin Prenga ka rrëfyer një rrugëtim i cili të bën të besosh në ëndrrat e tua.