Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

“EduFootprint” prezantohet në panaririn e Mjedisit

$
0
0

Instituti Europian Pashko ka marrë pjesë në panairin Klik Expo Klik që këtë vit i kushtohej çështjeve të mjedisit me projektin e ri që po zbaton në këtë fushë, EduFootprint. Ky projekt fokusohet tek përmirësimi i mënyrës së menaxhimit, planifikimit dhe monitorimit të konsumit të energjisë në ndërtesat publike në rajonin e Mesdheut. Një nga ekspertët e këtij projekti, Dr.Fatri Morina, sqaron se çfarë është ky projekt dhe ku konsiston ai.

“Qëllimi kryesor i projektit EduFootprint është përmirësimi i mënyrës së menaxhimit, planifikimit dhe monitorimit të konsumit të energjisë në ndërtesat publike në rajonin e Mesdheut. Realizimi i këtij qëllimi do të arrihet nëpërmjet përdorimit të një qasje inovative, e njohur si qasja e Vlerësimit të Ciklit të Jetës (VCJ), e cila merr në konsideratë jo vetëm ndikimin e drejtpërdrejtë energjetik të ndërtesave (konsumin), por gjithashtu dhe ndikimin e tërthortë si prokurimin publik, lëvizshmërinë dhe transportin, ndërgjegjësimin publik dhe sjelljen e tyre, sikurse dhe menaxhimin e mbetjeve. Ndërtesat publike në të cilat zhvillohen veprimtari të lidhura me edukimin, të cilat janë në fokus të këtij projekti, variojnë nga ndërtesat e kopshteve e deri tek kampuset universitare. Autoritetet lokale mund të përdorin udhëzimet në funksion të analizimit të impaktit mjedisor dhe konsumit të energjisë në ndërtesat ku zhvillohen veprimtari të lidhura me edukimin. Qëllimi dhe përmbajtja e projektit EduFootprint është e përputhur dhe e integruar me një tjetër nismë shumë të rëndësishme, e cila është ajo e iniciativës për edukimin e zhvillimit të qëndrueshëm, në harmoni me Planin e Veprimit të Energjisë së Qëndrueshme.

Termi ‘cikli i jetës’ i referohet aktiviteteve të mëdha gjatë rrjedhës së jetës së produktit nga prodhimi, përdorimi dhe mirëmbajtja e tij e deri në asgjësimin përfundimtar, duke përfshirë në këtë cikël edhe blerjen e lëndëve të para të nevojshme për prodhimin e produktit. Ndër konceptet më të reja të qasjes së Vlerësimit të Ciklit të Jetës është ‘Menaxhimi i ciklit të jetës’, e cila është një qasje e integruar për minimizimin e ngarkesave mjedisore gjatë gjithë ciklit jetësor të një produkti, sistemi, organizimi ose të një shërbimi. Kjo qasje inovative përbën dhe bazën mbi të cilën ngrihet dhe do të implementohet projekti EduFootprint. Fazat e VCJ, mbështeten në parime dhe kuadrin e vlerësimit të ciklit të jetës, duke përfshirë: 1) përcaktimin e qëllimit dhe fushën e veprimit; 2) fazën e analizës së inventarit të ciklit të jetës; 3) fazën e vlerësimit të ndikimit të ciklit të jetës; 4) fazën e interpretimit të ciklit, raportimin dhe shqyrtimin kritik, kufizimet e ciklit të jetës; sikurse dhe 5) marrëdhëniet midis fazave të ndryshme dhe kushtet për përdorimin e zgjedhjeve të vlerës dhe elementëve opsional. Përdorimi korrekt i një qasje të tillë ndihmon menaxherët e ndërtesave të arsimit që të orientojnë aktivitetet e tyre në harmoni me qëllimin e minimizimit të impaktit negativ mjedisor.

Qasja e Vlerësimit të Ciklit të Jetës integrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me gjurmën mjedisore, e cila është një instrument për matjen e performancës mjedisore të një organizate që ofron produkte ose shërbime, nëpërmjet qasjes së ciklit të jetës. Metodologjia e përdorur mundëson modelimin dhe kuantifikimin e ndikimit mjedisor të flukseve materialit/energjisë, emetimet dhe mbetjet e krijuara si pasojë e aktivitetit që zhvillon organizata nga perspektiva e zinxhirit të furnizimit (nga faza e nxjerrjes së lëndëve të para e deri tek menaxhimi i mbetjeve).

Qasja e Vlerësimit të Ciklit të Jetës  dhe Gjurma Mjedisore duhet të përdoren si instrumente për të mbështetur përmirësimin e ndikimit të energjisë dhe mjedisit si pasojë e aktiviteteve që zhvillohen nga shërbimet arsimore, duke synuar në këtë mënyrë maksimizimin e eficensës së përdorimit të resurseve. Projekti EduFootprint fokusohet në identifikimin dhe analizimin e pasojave mjedisore që vijnë si pasojë e sjelljes në ndërtesat publike (shkolla dhe universitetet) dhe përpjekjet mund të drejtohen drejt zgjidhjeve të qëndrueshme. Ky proces do të përbëhet nga disa faza, të cilat janë: 1)Përcaktimi i qëllimit të shërbimeve arsimore; 2)Përcaktimi i kufijve të shërbimeve arsimore të ofruara, aktiviteteve dhe përdorimit të energjisë dhe burimeve të tjera; 3)Dokumentimi i përdorimit të energjisë dhe burimeve të tjera; 4)Vlerësimi i impaktit të gjurmës mjedisore.

Në bazë të rezultateve të arritura, menaxherët e ndërtesave arsimore duhet të hartojnë një plan veprimi, me qëllim përmirësimin e impaktit negativ mjedisor. Plani i veprimit është rezultat i integrimit të të gjithë elementëve të EduFootprint, i cili shërben si një ‘kontrollues i realitetit’ duke demonstruar një angazhim të vërtetë për zhvillimin e qëndrueshëm, nëpërmjet veprime pozitive për të zvogëluar gjurmën mjedisore.”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180